KosovaLajmeRajoniShqiperia

Dasma Tiranse

Alba Bedri Kepi (Alimehmeti)

Botim Tiranë 2020

Para disa ditësh, shoku im Bedri Alimehmeti më dhuroi një kopje të librit “Dasma Tiranse” të shkruar nga e bija, zonja Alba Kepi. Kishte kohë që ai më kish folur për projektin e të bijës. Padyshim, mu bë shumë qejfi sepse, ndonëse i rritur në Tiranë, ndonëse kam marrë pjesë në shumë dasma tiranse, nuk kisha dijeni të mjaftueshme për veçoritë e këtyre dasmave. Por libri- monografi në fjalë, pothuaj në gjysmën e vëllimit ndalet në momente historike të qytetit të Tiranës, si dhe në etapat zhvillimore ekonomike, politike, etnografike, patriotike të kryqytetit të Shqipërisë. Prandaj mendoj se vlerat e tij janë të shumëfishta.

Po sjell disa fragmente.

 

f.27

Ҫdo familje tiranse kishte një lidhje të veçantë me oborrin. Ai ishte vendi i shlodhjes, i meditimit, vendi i qetësisë fizike e shpirtërore, vendi i mikpritjes së parë të mikut o të një të afërmi, por edhe vendi i bisedave intime apo sekrete.

Në oborrin e pasëm të kësaj shtëpie të kujtimeve të mia , (bëhet fjalë për shtëpinë e autores në Tiranë) u varros në vjeshtën e 1944, i Pari i shtëpisë. U pushkatua me breshëri plumbash në prag të shtëpisë më 12 nëntor 1944, natën e terrorit komunist në Tiranë, e bashkë me të edhe 12 persona të tjerë, të vrarë barbarisht e të hedhur në një gropë pranë hotel “Bristolit”. Faji i vetëm, që kryen ata, qe atdhetarizmi i mendimeve dhe i sjelljeve të tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike.

 

  1. 44

Një tjetër figurë përfaqësuese për antologjinë letrare të trevës tiranse është Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952). Ai ishte një personalitet shumëdimensional, klerik e teolog, mësues, luftëtar pëe liri,botues letrar, publicist, gazetar, historian, shkrimtar, poet e satirist. Shumë nga vjershat e tij u përfshinë në vëllimet poetike “Grenxat e kuqe” (1915) e “Dokrat e hinit” (1922), botuar gati një shekull më parë, shumë popullore e të lexuara nga tiransit autoktonë.

Kryevepra e Hafiz Ibrahim Dalliut është “Patriotizma në Tiranë”, libër që nonat dhe ijet tiranse, e ruajtën me kujdes në sepetet e arkat e tyre, aty ku ruanin gjerat më me vlerë, në kushtet e një rrezikshmërie të madhe, kur regjimi komunist imponoi zhdukjen e kësaj vepre.

Dhe pse qe një atdhetar i vërtetë e një nga katër mësuesit e parë të Normales së Elbasanit (1909) , pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, ku u vendos alfabeti i gjuhës së sotme shqipe dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, që në ditën e krijimit të saj, Hafiz Ibrahim Dalliu u persekutua dhe e dënua nga regjimi komunist pas vitit 1944. Për një akuzë absurde, edhe pse në moshë të thyer, ai u burgos në vitin 1946 nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Nga burgu, ku e mbylli atë pushteti diktatorial, Hafiz Ibrahim Dalliu nuk e kurseu të drejtën e vet për të qenë përsëri patriot e për të thënë të vërtetën, shprehur me frymëzim nëpërmjet vargjeve të poezisë “Komunistët”:

 

Komunistët

 

Po kërkove bukën, të japin urinë,

Po kërkove jetën, të japing patërdinë,

Po kërkove nderin, të japing llaftarinë,

Po kërkove shokun, të japing pabesinë,

Po kërkove besën, të japin tradhëtinë,

Po kërkove mëshirën, të japin gjakësinë,

Po kërkove njeriun, të japin kafshërinë,

Po të jesh shenjtor,të bashkojnë me qenërinë,

Po kërkove dritën, të japin errësirën,

Po deshe shijen, të japin të vështirën,

Po kërkove fenë, të japin mundimin,

Po kërkove dhimbjen, të japin acarimin,

Po të duash paqen, të bashkojnë me krimin,

Po të duash familjen, të japin burgimin,

Po kërkove rregullin, të japin kukudhin,

Po kërkove Zotin, të japin të paudhin.

 

  1. 46

Nga krijimtaria e Ramazan Demës, nga vëllimi “Buqetë dhimbjesh” po japim poezinë “Epitaf”, shkruar në vitin 1939, që e ruan aktualitetin.

 

Epitaf

(një pseudopatrioti)

 

U vetquejt “shqiptar”

Se ia desh nevoja

Mirëpo taksirat

Shpejt i doli boja.

 

Ҫfarëdo lloj flamuri

Me nderim iu fal,

Sepse metelikun

Pat për ideal.

 

Kush ia mbushi torbën

I tha shpejt Amen!

Se qe kokë e madhe

Mbahej xhentilmen.

 

“Viva” i tha Duçes,

E “Zhivo” Serbisë

“Jasu” i tha grekut

“Jashënsen” Turqisë.

 

Ndryshonte lëkurën

Si kameleoni

Atdheu për të

Qe Napoleoni.

 

Ky –thotë- Dynjaja

Quhet manovrim

Prandaj prehet n’vorr

Për atdhe…jetim.

 

f.55

Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë shqiptare.

Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për figurën e gruas dhe sidomos për rolin social ekonomik e shpirtëror të saj brenda familjes.

Jeleku, këmisha, dimiqt e çdo pjesë e veshjes duhej të ishte ekskluzivisht e qendisur me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg.

Ҫdo vakti i ditës i përgjigjej një veshje e caktuar. Ҫdo rasti pritjeje, ceremonie gëzimi apo vdekje i përshtatej një veshje e caktuar. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepeve, e qokave etj.

f.60

Panairi i përvitshëm i Tiranës, kryesisht me karakter blegtoral imponoi ngritjen e një pazari të përjavshëm, ku u hapën dyqanet e para të tregtarëve për grumbullimin e prodhimeve, por ndërkohë duhet thënë se zejtarët tiranas kishin nisur të përpunonin mjeshtërisht hekurin, bakrin dhe argjëndin. Dhe, si rezultat i këtij zhvillimi në Pazar u ndërtuan dyqanet e parë, ku ushtroheshin këto zeje. Pa harruar se nuk kishte familje në Tiranë që të mos merreëj me rritjen e krimbit të mëndafshit, këtë e dëshmon fakti që jo rastësisht pema më e rëndësishme në kopshtet e bahçet e shumta të qytetit ishte mani.

Hekurin e përpunin në punishtet e tyre familjet e njohura tiranase Ҫeliku, Nallbani, Cenameri, Tagani etj. Mjeshtër në punimin e bakrit ishin Bunecët, Shundët etj. Në punimin e drurit shquheshin familjet Skënderi, Muça etj. Familja Marika shquhej në përpunimin e bulmetit. Rrelët, Begejt, Alimehmetët etj shquheshin në artin e qendistarisë. Falë mjeshtërisë së tyre, veshjet kombëtare të të gjithë krahinës, shtrojet e mbulesat morën një vlerësim të madh.

Punimet e arit, të argjendit apo në filigram nga duart e arta të pjesëtarëve të familjeve Kunjxhiu, Argjendari, Vorpsi etj ruajnë edhe sot vlera të papara, pa thënë se në ato vite kërkoheshin në Venedik, Raguzë, Manastir e gjetkë.

…..

Artizanët vendali u shquan për prodhimin e objekteve prej druri me çark, madje i eksportinin prodhimet e tyre në Shkodër, në Kosovë, në Maqedoni, në Elbasan etj me karvanë të mbushur me çibukë, llulla e pipa druri. Mjeshtërinë e tyre tiranasit ua mësuan elbasanasve, shkodranëve e kosovarëve.

U zhvillua në këtë Pazar edhe prodhimi i enëve të baltës nën artin e zejtarëve të Farkës, të cilët u bënë furnizuesit kryesorë të një zone të gjerë për rreth.

 

  1. 62

Pazari i Vjetër i Tiranës

Buzë rrugëve me emrat e prodhimeve që shiteshin, u ngritën më pas edhe dyqanet.

Ngjizma ishte vendi ku shitej gjiza.

Orizna ishte vendi ku shitej orizi i ardhur kryesisht nga fshati Prezë, që mendohej që kishte orizin më të mirë në zonën e Tiranës.

Djathna qe vendi i shitjes së djathit.

Krypna qe vendi ku shitej kripa e blerë nga qiraxhinjtë në kriporet e zonës së bregut të detit (Kavajë).

Gjelnat ishte vendi ku shiteshinshpendet, pula, gjela, rosa, pata e gjela deti.

Pemnat ishte vendi ku shiteshin frutat.

Qerret ishte vendi ku fshatarët, e ardhur enkas për të tregtuar prodhimet e tyre në Pazar, linin aty mjetet e transportit, qerret e karrocat.

 

Shitësit ishin vetë fshatarët, prodhues të mallit të tyre, kurse bleërsit ishin qytetarët, fshatarët e tjerë ose tregtarë tiranas, që i blenin për t’i tregtuar më pas..

Zakonisht si masë shitjeje përdorej qasja. Një qase përmbante 40 kg mall, gjysmë qase 20 kg dhe koshi, si masa më e vogël, me 10 kg.

 

Një vend i caktuar në pazarin e Tiranës ishte për zejtarët e tregtarët e qytetit, të organizuar në sokaqe.

Sokaku i kazanxhive kishte kryesisht vllehë e voskopojarë.

Sokaku i shajakxhinjëve ishin tiranas vendali dhe vllehë.

Sokaku i kujanxhinjëve ishin voskopojarë.

Sokaku i terzive ishin tiranas dhe krutanë.

Sokaku i kasapëve përbëhej vetëm nga tiranas.

Sokaku i samarxhinjëve ishin vendali dhe vllehë.

Sokaku i kovaçëve ishin përgjithsisht egjiptianë.

 

Zejtarët tiranas ishin të organizuar në esnafe. Rreth shtatëmbëdhjetë të tillë zhvilloheshin me kujdesin e ruajtjes së rregullave të tregut, të trashëgimisë së zanatit dhe të zgjidhjes së problemeve të anëtarëve të tyre.

 

f.73

Regjimi komunist u grabiti arin tregtarëve dhe qytetarëve tiranas. Ja një listë sipas gazetës Bashkimi 22 mars 1945

Vllazën Kazazi                                    16 430 000 franga ari

Vllazën Ҫoka                                       14 990 000

Murat Begeja me vëllezër            5 774 000

Hysen e Reshit Alimehmeti          3 902 000

Osman Vaqarri                                  1 440 000

Besnik Tugu                                        614 000

Ramazan Konçi                                  1 946 268

Ymer e Sali Beqiri                             614 000

Sadik Kazazi                                        398 000

Abdulla Turkeshi                              2 433 200

Ismail Fortuzi                                     224 000

Qamil Dibra                                        1 870 290

Bijtë e Gaqi Oparit                           371 000

Manol Kume                                      6 832 400

Vllazën Tase                                       3 830 000

Vllaznia Mehmeti                             126 000

Ramazan Zdrava                               130 850

Halit Mani                                           143 000

Vath Baroni                                         130 850

Avdulla Aliu dhe nipat                    126 800

Qamil Hoti                                           264 500

Hysen Drishti                                      143 000

Filip Korra                                            2 259 000

Fetah Kasmi                                        126 800

Mustafa Kasmi                                  224 250

Vllazën Loxha                                     749 000

Ramazan Berberolli                         622 100

Mersin Konçi                                      668 000

Sefedin Zhubi                                    159 200

Qamil Zhubi                                        203 750

 

A.Qoshja dhe I.Deliu                       1 566 000

Mehmet Kasmi me vëllezër         830 000

Vëllezërit Dushi                                 1 606 320

Gjon Laca                                             884 000

Vllazën Spahija                                  325 250

Kasmi e Ferra                                     252 250

Iliaz Dajçi                                             126 800

Xhevat Gabeci                                   830 000

Xhundi Sheko me bij                       27 950 000

Pashuk Bib Mirakaj                          1 755 000

Xhemal Begeja                                  143 000

Ibrahim Begeja                                 1 440 000

Qamil Shtiza                                       126 000

 

Gjithsej                                                112 469 828 franga ari

 

  1. 100

Shkesi

Ҫka shkesi që shkon e vjen

E një llaf s’na e dëften?

Në na daltë nusja e mirë

T’i japim mish e kabuni.

Në daltë nusja e keqe

Do ia shkulim ndonjë musteqe!

 

Kënga e nishanxhiut

“Ҫ’lidh ashtu, nishanxhi?

Lidh nishonet që do ti.

Nishonet i lidh unë t’u këndu,

Kam një çun për t’u martu..”

 

Kënga e fejesës

“Sa shyqyr që qenka këtu o shyqyro-o

Shyqyr boka baba vet o shyqyro-o

Që fejon djalin e vet o shyqyro-o

T’i vij nusja për hyzmete o shyqyro-o

Sa shyqyr që qeka këtu o shyqyro-o

Shyqyr boka nona  vet o shyqyro-o

Që fejon djalin e vet o shyqyro-o

T’i vij nusja për hyzmet o shyqyro-o

Hyzmet pak o me lezet o shyqyro-o..”

 

 

f.139

Vallja e Napolonit

I pari në këmbë çohet dhëndëri e pas tij nusja me shaminë e bardhë të nusërisë në dorë. Sapo vendosen përballë njëri-tjetrit, himni shndërrohet në këngë:

E kush kërcen Napolonin

E bija e Kapedonit.

 

Kështu nis një nga vallet më të bukura të dasmës tiranse.

Të pranishmit e rrethojnë çiftin e ri duke rrahur duart. Napoloni kërcehet qark e qark, pastaj me ndalesa dhe, në fund, shpinë më shpinë.

Gojëdha tregon se Vallja e Napolonit quhet e tillë se një vajzë e kërcente atë aq bukur sa mashkulli i saj, pas çdo hedhje e rrotullimi, i hidhte mbi trup, mbi ballë e në gjoks një napolon floriri.

Për herë të pare, kjo valle është kërcyer në një dasmë në Zall Herr, aty dikur kah viti 1880.

 

 

Vallja e Malenakes

Nuk ka dasëm në Tiranë ku të mos kërcehet kjo valle e kënduar.

 

Hajde malenake

Duje lalën e.

Hajde gushbardhake,

Duje Lalën e.

Hajde moj boj esmere,

Duje Lalën e obobo.

Hajde top sheqere,

Knoqe Lalën e.

 

Hajde gocë e Lalës,

Ҫ’e hudh vallen e.

Hajde gojsheqere,

Knoqe Lalën e.

Hajde moj malenake,

Ma jep fjalën e.

Hajde moj gushbardhake,

Merre Lalën e.

 

 

  1. 146

Vallja “Ra Faja prej fiku”

Kjo valle nuk mungon kurrë në dasmat tiranse. Kërcehet pas mesit të natës, thënë ndryshe, kur dasma është në kulmin e saj.

 

Ra Faja prej fiku

Ra Faja prej fiku.

Nuk e zu dekiku

Nuk e zu dekiku.

 

Valltarja femër , me trupin pak të përkulur, sillet rreth e rrotull sheshit, nën ritmin e muzikës, ndërsa vazhdimisht i fshin sytë gjoja të përlotur nga të qarët, me që burri i saj i dashur ka pësuar aksident, “ka rënë nga fiku”. (Fiku gjendet në të gjitha shtëpitë tiranse). Pasi përshkon të gjithë sheshin, futet në skenë valltari mashkull. Dasmorët shpërthejnë:

Divi dom dom

Divi divi dopa

Faja ra ke gropa..

 

Valltari mashkull kërcen  si një topall, me që bëhet fjalë  gjoja “për të aksidentuarin”. Dasmorët shpërthejnë në gaz e hare.

Të rroftë Faja nuse

Me shami të kuqe

 

Por Faja kthehet në normalitet dhe vajtimi i nuses ndërpritet, vallzimi vazhdon plot virtuozitet.

 

Valle të tjera:

Si mësoi karroca e Dylit

Tate du fuston

E kam shtëpinë me rrasa

Jam kaçaku i ferrës

Hec bretkoce

Pallaveshja e Lalës etj

 

Konspektoi Bardhyl Adem Selimi, 15 prill 2021

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button