
Ky roman botohet pas vdekjes së autorit, por është shkruar që në rini të tij, në fillim të viteve 1960, para se Adem Demaçi të bënte burgun e parë.
Atë e botoi i biri, dr. Shqiptar Demaçi, pasi siguroi një kopje të zbuluar në Arkivin e Kosovës nga zoti Selatin Novosella, bashkëvuejtës iautorit, ku dorëshkrimi isekuestruar nga shërbimi secret jugosllav e kish depozituar, pas burgosjes së shkrimtarit.
Ashtu si “Gjarpijt e Gjakut” që u botua në 1958 dhe shenjoi talentin dhe drejtimin e romancierit tonë, tema është kritika e mendësive prapanike që I gërryenin dhe I pengonin shqiptarët të hynin në udhën e përparimit shoqëror, parakusht për të fituar edhe të drejtat e tyre kombëtare e më pas shtetin e vet.
Maturantët e një shkolle në Prishtinë në vitet 1960 e pëlqenin lëndën e letërsisë edhe pse mësuesi i tyre Feriz Teja ua bënte atë jo vetëm të këndëshme por edhe i nxiste të krijonin vetë sprova, skeçe teatrale, duke marrë tema nga jeta e tyre, sidomos në fshat. Në gojën e nxënësve autori vë shumë mendime interesante për thelbin e krijimtarisë, për kritikën letrare, për paragjykimet tradicionale dhe përpjekjet për t’i përballë ato. Këta djem dhe vajza janë po aq të shkathët, të zgjuar, të çiltër e guximtarë sikurse moshatarët e tyre në Europën mbarë, të cilës I përkasin në mënyrë të natyrshme.
Po sjell disa fragmente nga romani në fjalë.
f.8
Dy personazhe
Në këto fjalë shungulloi dera e oborrit dhe në rrugë doli Hajrizi. Çantën e lëkuqme me libra ia dha Shemsiut dhe vetë nxori krahnin prej xhepit e nisi me I krehë flokët e gështejmë. Hajrizi ishte djalosh shum mâ ibâshëm dhe mâ I pashëm se Shemsiu, por pispillohej shum mâ tepër se ai. Shemsiu vishej dosido dhe në krye mbante një beretë të vjetrueme, e shokët e klasës e thërritshin ‘Pandël’. Hajrizi kishte në trup rroba gjithmonë të hekurosuna e edhe në cegmin mâ të madh shkonte kryeshtruet. Shokët atë e quejshin ‘Pysqyl’.
f.15
Mësuesi i letërsisë
Në klasë hyni profesori ishqipes Feriz Têja. Ky ishte nji burrë me shtat jo fort të hjedhun por të lidhun përmrekullí. Flokët i kishte të krehun lëmuetaz përveç nji bleni i cili saherë mâ ilavirej mbi ballin e gjanë tanë toja-toja nën të cilin strehue prej vetullash të denduna dhe nda prej hundës sqepshkabe qëndrojshin syt e rrebtë depërtues si ata të sqyfterit. Gojën pak si të madhe e sajojshin buzët e trasha të cilat mbas çdo fjalie të thanun me elegancë e përpikni të pashoqe vijshin e tkurreshin disi si në të thartë. Kishte kah nja tridhetë vjet, ishte i martuem me nji mësuese, përveç shqipes disa paraleleve u jepte edhe frangjisht e psikologji. Shpeshherë kishte adet me thanë: “nga ndonji fjalë turçe ban lazëm”, dysha nuk jepte kurr, por edhe pesshet i kishte të randa rrum sa rrota e mullinit, tallej shpesh por vetë nuk qeshte kurrnjiherë – i qeshnin vetëm syt… Spjegonte rrallë, por kur spjegonte të gjithë maturantët shndërroheshin në sy e veshë. E flitte shqipen me plot gojën dhe e folmja e tij shndërrohej në muzikë të vërtetë. Shumicën e orëve e çfrytzonte për leximin dhe spjegimin e vjershave, tregimeve, novelave e fragmenteve të ndryshme. Lexoheshin edhe hartimet mâ të mira dhe sajimet e ndryshme të nxanësve. Herë-herë nxanësit pyetshin edhe për gjana që nuk ishin drejtpërdrejt të lidhuna me letërsin (njani e pat pyet nji ditë: çka mendoni ju, a do të pëlcasi Lufta e Tretë Botnore?), e ky përgjigjej prore me gjakftoftësi pa harrue në fund me thanë: prá nuk don me thanë se âsht vetëm kështu si po thom unë, mund të jetë edhe ndryshe, prandej ju duhet ta vrani edhe vetë mendjen në lidhje me të gjitha këto.
f.32
Familja nga fshati
Në shtëpin e Rrahman Lulakut edhe mbas pothuej tridhetë vjetësh jete qytetare, mashkujt ende hajshin ndamas, ende në shtëpi gatuheshin bukë mbasdore, ende nji femën qëndronte në kambë e u shërbente burrave ndërsa drekojshin; këtu dreka ende fillonte me bukë e lang e kryhej me diçka mâ të mirë, këtu përpeqi ende hahej me bukë, në kët shtëpi t’ejteve rregullisht pa ia huçë kurr, qiteshin trejte; në kët shtëpi mëngjesi nuk shtrohej në tërvesë , por fëmijt merrshin nga nji copë në dorë, kurse darka e burrave prore çohej n’odë, sepse oda e Rrahman Lulakut rrallë a hiç ngrysej pa të paktën një mysafir. Në kët shtëpi shum gjana ende shkojshin katundarisht dhe askush nuk merrte guximin me ndryshue gjâ. Rrahmani kishte bâ vetëm një ndryshim të vogël, për “hyzmet” rreth tërvesës së burrave e kishte ngarkue Sanijen në vend të së bijës së tij të madhe Havës.
f.37
Këshillat e mësuesit
Feriz Têja vazhdoi: Mundem me ju thanë troç se tema e hartimit ka qenë e vështirë, madje shum mâ e vështirë se që keni mundë me marrë me mend edhe ju vetë. Tue pasë para sysh nji dëshmi të tillë mund të thom edhe para jush se me hartimet tuaja jam shum ikënaqun. Po ju lavdoj para sysh I bindun se ju tashma ti pjekun e të pajisun me dije të gjithanshme, nuk do të deheni me suksesin tuej, sepse mos harroni që njeriu – njeriu i vërtetë – icili e kupton dhe spjegon jetën në bazë të materializmit dialektik, pra edhe nji herë po e spikas, njeriu logjik, nuk duhet, nuk guxon e nuk mundet kurr me qenë i kënaqun me nji sukses, me nji krijim të vetin të mâparshëm qoftë ai diçka edhe që mund ta mrekullojë tanë rruzullin e tokës… Paj Gjakovari ynë nuk e ka aspak keq që në rasat kur i dëshiron dikujt të keqen i thot: “t’u rrittë mendja”. Nuk kemi pá e ndie vetëm nji herë se sa e vërtetë âsht ajo fjala e urtë e popullit tonë: “mendja e madhe e zeza e krés”!… Po ju flas kështu e kaq me kambëngulje po i përsëris këto fjalë t’urta popullore, sepse dëshiroj që ju të mos gjindeni kurrnjiherë në bishtin e atyne që mbasi kanë krye njifarë shkolle mendojnë se dijnë gjithçka, prandej çdo gjâ që shofin rreth vedit, çdo përpjekje të të tjerëve e nënçmojnë e përqeshin dhe për çdo pyetje që mund t’u drejtohet ata e kanë përgjegjen e gaçme si me e nxjerrë prej xhepit. Njerzit e këtij kallëpi mendojnë se edhe dija mund të blehet në shkollë si vitaminët në barnatore! E ka krye i biri i botës shkollën, e ka futë diplomën në kornizë dhe tash mendon se dimën për tê mâ nuk ká. Duhet të mendoni mirë, të dashtun shokë, se çka âsht shkolla? Shkolla âsht nji themelat e cila t’i çel syt e nëse ti do t’i përdorish këta sy ose jo – mvaret pikërisht prej teje; shki a t’i jep krahët e se si, kur dhe kah do të fluturojsh, e fundi i fundit nëse do t’i çfrytëzojsh fare këta krah jashtzakonisht të kushtueshëm mvaret vetëm e vetëm prej teje. Ҫka do të na duhej zbulimi i elektricitetit nëqoftëse njerzimi nuk do ta çfrytzonte për nevojat e veta? Ta marr nji shembull edhe mâ të thjeshtë: çka do t’i duhej zbulimi i zjarmit sikur njeriu të mos e përdorte për nevojat e veta të tjera, çka do t’i duhej atij zjarmi sikur ai të vazhdonte me ngranë mishin e papjekun e të paziem, sikur ai të vazhdonte me jetue në shpellat e ftofta, çka iduhet njeriut pushka të cilën në nji luftë të vardisun nuk do ta përdorte? Shkolla për né duhet të jetë si nji barkë e vogël me të cilën do të mundemi me lundrue oqeanit të pafundmë të dijes. Pra shkolla për né duhet të jetë nji lundër ndihmatare, lundër shpëtimtare e na duhet të lundrojmë me tê e jo ta varrosim vedin në tê… Këto fjalë që ithashë deri më tash nuk janë aspak jashtë thelbit të çashtjes për të cilën jemi tue bâ fjalë, por janë të lidhuna ngusht me hartimin tonë. Prej hartimeve tueja shifet qartë se shumica prej jush shkollën e kupton ashtu si duhet me e kuptue, për shumicën prej jush shkolla âsht vetëm një detonator, por natyrisht tejet idomosdoshëm, i cili nji ditë do të ndezi e do të zbërthejë tanë prirjen, talentin e vullnetin tuej për të krijue diçka të vlefshme, për të lanë mbas shpirtit nji të mbërrimë, nji fryt, qoftë në lamën e arteve a të shkencave, me të cilin do të hyni në radhën e njerëzve… E tek e fundit cili duhet të jetë qëllimi themeltar içdonjanit përveçse me u largue prej shtaze sa mâ tepër e me u bâ njeri – sa mâ njerí! Nuk dij a ka nevojë me ju grishë që të rikujtoni me anën e historis se sa shtazë ka qenë dikur njeriu para mija vjetësh, atëherë kur vllau kishte marrëdhanje seksuale me të motrat e baba me të bijat, kur njeriu hante njeriun… Pra po shofim qartë se sa na populluesit e këtij rruzulli jemi largue prej shtazëve, por edhe prej njerëzve jemi shum larg!… Ende sot n’Algjerí, për shembull disa sillen me disa si me shtazë, ende disa njerëz në thojza u mohojnë njerëzve tjerë atë që kanë vetë, atê që askush nuk e pruni me vedi e asqë do ta marri me vedi: lirin njerëzore, lirin kombtare. Pra, siç po shofim, edhe shum shekuj kanë me u rropatë këto krijesa për me u bâ mâ tepër njerí se shtazë!…
f.45
Hartimi i Shemsi Rrotelit
“Për me shtrue sa mâ qartë mendimet e mija në lidhje me krijimtarín letrare më duhet kët gjâ me e bâ në nji mënyrë pak si të tërthortë: faktet nga jeta të cilat u shërbejnë letrarëve me thurë e me shtjellue punimet e veta më duhet me ikrahasue me drithë. Faktet e dorës së parë, dmth. motivet me randsí të madhe shoqnore mund t’i krahasojmë, bie fjala me grunë, faktet me randsí të dorës së dytë me misër, të dorës së tretë me elb, e kështu me radhë. Këto fakte mund të shifen dhe të gjinden kudo dhe kurdo e asnji letrar ivërtetë nuk mund t’ankohet kurr tue thanë për shembull se “nuk po kam se për çka me shkrue”! Në këso rastesh kemi të bajmë, ma merr mendja, me nji fenomen tjetër icili na shpie atje kah jam tue synue unë me këta rreshta. Letrari icili ankohet për “mungesë motivesh” ose “frymzimesh”, ndoshta nuk e din as ai vetë se “motive” e “frymzime” ka rreth e rrotull nesh siç thot populli “me kerr”, por nuk mjafton vetëm kjo! Nuk mjafton që ta kemi grunin bie fjala, ose misrin dhe e pat puna! Me grunë mund të ziejsh, po e zamë, hashure, kokrrat e misrit mund të hahen të zieme ose të pjekuna dhe asgja tjetër! Prej drithit nuk mund të gatuejsh asgjâ, sepse për me gatue duhet ta bluejsh si grunin, si misrin ashtu edhe elbin etjerë! E këtu prá qëndron ajo çashtja themelore. Tash para nesh shtrohen tri pyetje kyçe: me blue drithin a jo? Si me blue drithin? E pyetja mâ e randë: kush mundet me blue drithin e kush nuk mundet? Sa për pyetjen e parë nuk duhet me qenë fort idijtun për ta gjetë përgjegjen e drejtë; duhet qenë vetëm njeri idrejtë dhe indershëm e përgjegjja gjithsesi do të jetë pozitive, sepse siç thamë pak mâ mâ naltë a mund të gatuhet diçka prej drithit?… Pyetja e dytë âsht: si me blue drithin, dmth. si me i përpunue faktet nga jeta, si me ishtjellue ato artistikisht? Por të kthehemi prap në mënyrën tonë të tërthortë të bisedimit, të flasim edhe mâ tej me anën e drithit. Si me blue drithin? Këtu qëndron ajo fije e hollë që çmohet jashtzakonisht e që quhet talent… Ata që megjithë kulturën dhe dijen e tyre nuk janë në gjendje me blue drithin, dmth. nuk janë në gjendje me përpunue artistikisht faktet nga jeta që na rrethon, tregojnë qartas se nuk kanë kërçik, nuk kanë prirje me u marrë me krijim dhe sajime të suksesshme letrare. Edhenëse ndonjeni, nga dëshira e madhe për me u bâ shkrimtar ose poet, do t’ia fillojë me u ankue se si “nuk po ka mbi çka me shkrue, nuk po ka frymzime” e ndonjani madje që âsht ipafytyrë e jo ipërvujtë 30 mund të deklarojë shpesh se “unë jam tue shkrue shum mirë, por nuk po kam për kê me shkrue, kam lindë pesëdhetë vjetë para kohe dhe askush prej lexuesve nuk po mundet me më kuptue…” Në lidhje me pyetjen: si me blue drithin, unë mund të thom vetëm kaq: për kët gjâ nuk ekziston kurrfarë reçete absolute dhe të lumët na që nuk ekziston ndonji formulë e caktueme se atëherë edhe letërsija do t’ishte bâ nji zanatë irëndomtë si, bie fjala daktilografija! Megjithë këtë ma merr mendja se diçka mund të thuhet. Faktet që hasim na në jetën e përditshme ose që i huasim nga kallximet e të tjerëve ose që ilexojmë në tekstet historike, nuk mjafton vetëm me imarrë me i grumbullue në letër, me i radhitë nga pak e mbaroi! përulësi
Kët material duhet ta përpunojmë në mendjen tonë mirë e mirë. Pra, t’ia nisim me drithë prap… Sa mâ mirë e sa mâ im që ta bluejmë grunin, ka gjasa që ajo që do të gatuhet prej tij do të dali mâ e mirë. Por – edhepse bluemja âsht gjâ themelore, sepse bâhet nji këcim cilsuer prej drithit në miell – nuk duhet të kënaqemi vetëm me kaq: mielli duhet edhe të sitet, gjasat për cilsin mâ të naltë të sendit që do të gatuhet bâhen edhe mâ të mëdha! Por edhe me të situnit nuk mbaron puna, nëqoftëse do të gatuejmë bukë atëherë do të mvaret nëse do t’i qesim brumit mjaft tharëm ose pak, nëse at brum do ta lamë mjaft kohë me ardhë ose jo e mandej nêse do ta pjekim si duhet ose do ta lamë brumin pa pjekë e ban vakí ngandonjiherë edhe me e djegë. Pra siç po shifet qartas nga ky krahasim iim tejet vulgar ikrijimtaris letrare me drithin e miellin, me shkrue vetëm nji kallxim ose nji vjershë don me thanë me ia hy nji puné shum të vështirë dhe me shum përgjegjësi… Po si me i përpunue prá këto fakte nga jeta të cilat mund t’i mbledhim me anën e shqisave tona, si me ishndërrue këto njohuni tonat shqisore për jetën dhe shoqnín në konkluza logjike për jetën dhe shoqnin? Do të përgjigjem shkurt e trup: për t’iu avitë sa ma shum së vërtetës mbi jetën dhe shoqnin duhet patjetër që të jemi të mprimë prej dialektikës – të mirremi vesh – prej dialektikës materialiste. Këtu diku afër, qëndron edhe përgjègjja në pyetjen e famshme tradicionale – përmbajtja apo forma? Dialektika na ndihmon që ta gjejmë edhe përgjigjen e drejtë të këtij problemi tue shtrue para vedit vetëm disa pyetje shum të thjeshta: a mâ mirë âsht me qenë i shëndoshë si për kah trupi ashtu edhe për kah mendja (lexo: përmbajtja!), apo me qenë ibukur dhe i sëmundë? A mâ mirë âsht me pasë nji radio-aparat jo të bukur, por që punon mirë, apo nji asi që âsht i bukur, por icili nuk punon kurrsesi ose që kap bie fjala, vetëm Prishtinën? Dihet se si do të përgjigjej çdo njeri me logjikë. Nëqoftëse ndokush do të na thonte se jemi tue aktrue kët çashtje në mënyrë fort të thjeshtueme, unë do t’i bâjsha atij vetëm kët pyetje: a thue në letërsin tonë, të mos shkojmë aspak më larg, a thua ma randë peshojnë vargjet e Migjenit apo të Lazgush Pogradecit, kur dihet mirëfillit se i pari ika dhanë randsín e dorës së parë përmbajtjes aqsa idyti ika dhanë randsi formës? Vetë koha – ajo gjykatore e përsosun – ka dhanë përgjigjen mâ të mirë… Po më duket se deri më tash vuna mjaft gjana në pah sa për të mundë me u përgjegjë edhe në pyetjen e tretë të shtrueme mâ naltë: kush mundet me blue drithin, dmth. kush mundet me përpunue dhe shtjéllue artistikisht faktet nga jeta? Mundet ai i cili âsht i pajisun me njohje të shëndoshë të të“Drithë e miell bashkë” 45 katër ligjeve të dialektikës dhe jo vetëm me njohjen e tyne, por domosdo edhe me aftsin për t’i zbatue krijimisht ato ligje në analizimin dhe studimin e jetës e shoqnís ku jeton. Edhepse, ma merr mendja, kjo âsht kërkesa themelore, prapseprap, krijimtarija letrare nuk mund të mendohet pa njoftjen shum të mirë të gjuhës dhe frymës së sajë, pa vullnet të fortë dhe pa vetbesim se puna do të kunorzohet me sukses. Tash, nuk po më rrihet pa ibâ nja disa fjalë rreth realizmit t’ashtuquejtun socialist. Unë dhe Maksim Gorki qëndrojmë në nji proporcion si trumcaku me balenën, por më duket se kjo gjâ nuk duhet të jetë pengesë që Gorkin dhe veprat e tij t’i shiqoj me nji sy kritik. Më duket se pagëzimi inji metode letrare ashtu si e ka mendue Gorki dhe si e ka zbatu ai me veprat e tij nuk âsht as fatlum as edhe gjithaq ipërpikët. Termi realizmi socialist jo vetëm që nuk âsht formulue teorikisht ashtu si duhet dhe sa duhet, qartë e me saktësi, por ky term len mbas vedit edhe shum pikëpyetje. Bie fjala dikush mund të thotë: mbasi paska realizëm socialist atëherë duhet të ketë edhe realizëm kapitalist! Mandej mbas realizmit socialist, me ardhjen e komunizmit do të vijë edhe realizmi komunist e kështu me radhë. Nga kjo del se termit të metodës së krijimit artistik po i vardiset emri isistemit shoqnor në fuqi – gjâ të cilën e ka përgënjeshtrue dhe e përgënjeshtron vetë praktika. Ta përmendim vetëm nji shembull: Shekspiri, metoda e tij e krijimtarís letrare dhe koha e sistemi shoqnor në të cilin jetoi dhe krijoi ky kolos iletërsis. Pse bie fjala mos t’i thomi realizmi dialektik ose realizmi logjik, sepse edhe logjika s’âsht gjâ tjetër përveçse kuintesenca31 e të katër ligjeve themelorë të dialektikës materialiste?…”
f.148
Shemsi Rrotelit Iivetoi në fytyrën zeshkane nji rreze flakë e kuqe. Mandej e përfshiu nji fije turpi, por Feriz Têja me mjeshtri idha fund kësaj angshtíje të pakandëshme: – Pa, siç thot Naimi ynë imadh, “të dëgjojmë fyellin ç’na thotë!…” Djaloshi memzi priti me ia nisë leximit: “Sikur dikujt t’ia vejshim mbi krye nji duvak dhe mbasi ta shpíjshim n’oborrin e shtëpís së Rrahim Lakut, t’ia heqshim këtê, ai porsa të hidhte vështrimin e parë rreth e rrotull vedit e do të mendonte pa mëdyshje se gjindet në katund. Dhe me të vërtetë këtu nuk mund të shifet asgjâ që të çon mallin e qytetit, edhepse shtëpija ndodhet vetëm pesë minuta larg kërthizës së qytetit. Aty bie në sy ndërtesa e madhe me shum dhoma e me hajat përpara, këthina e gatuemjes me votër dhe me derë që mbyllet me ngujore, aty qëndron izverdhuem hambari idrithit, çerraniku imbuluem me thekën nën strehën e të cilit vargisen koshiqet e lyeme me bagël të bletëve, aty gjindet ahri dhe vatha, aty kahdo që të hedhësh syt shikimi të ndeshë në glaca pulash, aty, në nuhatjen e parë, do të ndiejsh erën e plehut të freskët që avullohet më nji kand të vathës dhe amën e bukëve masdore të cilat magjetorja ika vu në drítare të shpis së zjarmit me u ftofë. Këtu nuk mungojnë kurrsesi edhe gratë me dími, xhaketa e shamija me ojna , nuk mungojnë as vocrrakët gjysëlakuriq e të zdathun, nuk mungojnë burrat me pantolla e setra zhguni, me çeleshe dhe mahrama të bardha, nuk mungonte as qerrja e hekurtë e kuajve, as qeni ilidhun nën hambar, leshatuk e imadh rrum sa nji ogiç … Por me hy nëpër të gjitha këthinat do të shofim diçka tjetër. Sekush dhomën e vet e ka rregullue dhe ujdisë ashtu si âsht vetë.
Konspektoi Bardhyl Adem Selimi, 14 prill 2021