Takimi historik, sot përballja e parë mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç

Siç është lajmëruar prej ditësh, sot do zhvillohet takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Teksa të gjithë e cilësojnë si një dialog, qeveria e Kosovës nuk e shikon si të tillë, por takim për dialogun e ardhshëm, ndërsa BE e shikon si vazhdim i dialogut.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian tashmë është bërë e ditur agjenda e takimit të sotëm, që thuhet se në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Joseph Borrell.
Në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Borrell, do të ketë takime bilaterale, te ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ndërsa, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00. Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.