Lajme

Gjykata liron nga sekuestrimi 2/3 e pronave të Habilajve, “janë bërë me punë të ndershme…”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten të heqë urdhrin e sekuestrimit për pjesën më të madhe të pasurive të familjes Habilaj sa i përket numrit të tyre ndërsa urdhëroi konfiskimin dhe kalimin nën pronësi të shtetit të një të tretës së tyre pasi Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtor dhe u dënuan nga drejtësia italiane dhe ajo shqiptare.

Gjykata e Posaçme thotë në një njoftim se kryetarja Irena Gjoka ka vendosur që një listë me 9 pasuri, përfshirë prona të patundshme dhe automjete, konfiskohen dhe i kalojnë shtetit ndërsa pjesa tjetër e pasurive të sekuestruara në vitin 2018, lirohen.

Revokimin e masës së sekuestrimit për pasuritë e tjera sekuestruar me vendimin Nr.20, datë 15.09.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda,” shkruhet në vendimin e shpërndarë me Whatsapp në mënyrë të pjesshme nga gjykata, ku emrat e pronarëve të pasurive nuk janë.

Vendimi nuk saktëson se sa është vlera e pasurive të konfiskuara ndërsa vendimi i sekuestrimit i vitit 2018 rendiste rreth 29 prona të luajtshme dhe të paluajtshme. Pjesa më e madhe e tyre u liruan nga sekuestrimi si pasuri të ligjshme.

Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet heqje lirie më 18 maj 2021, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në tentativë, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. Dënime të rënda morën edhe bashkëpunëtorët e tij.

Autoritetet Italiane goditën bandën e trafikut të marijuanës në vitin 2017, pasi kishin mbajtur nën përgjim organizatën për katër vjet me rradhë. Kërkesa për urdhrat e arrestit të tyre në Gjykatën e Katanias në Siçili, u publikua në Shqipëri nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe shkaktoi një stuhi politike për shkak të lidhjeve mes vëllezërve Habilaj dhe ish-Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.

Prokuroria dhe policia shqiptare u vunë në lëvizje pas arrestimit të Habilajt në Itali dhe inspektoi fshatin Babicë e Vogël, ku gjeti pesë ton kanabis.

Mes pasurive të liruara janë edhe 10 objekte në proces legalizimi, apartamente, njësi shërbimi e të tjera.

Një prej prokurorëve që përfaqësoi SPAK në gjykatë në këtë çështje, Vladimir Mara shpjegoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se kërkesa fillestare për konfiskim është kryer për të gjitha pasuritë e sekuestruara në vitin 2018. Sipas tij, gjatë procesit gjykata ka caktuar një grup ekspertësh që ka konkluduar se prej vlerës totale të pasurive të skuestruara nuk arrihej të justifikohej me burime të ligjshme shuma rreth 80 milionë lekë.

“Në përfundim ne kërkuam që të konfiskoheshin pasuri në vlerën e konkluduar nga ekspertët”, tha prokurori Mara dhe sqaroi se në këtë rast është kërkuar që të mos procedohej me sekustrim të pjesshëm të të gjitha pasurive, por me sekuestrimin e plotë të disa prej tyre, pasi kështu është më i lehtë administrimi nga shteti.
Një masë të tillë SPAK e ka zbatuar edhe në rastin e Kelmend Balilit dhe familjes së tij. Pasi Balili u dënua për trafik ndërkombëtar droge, gjykata konkludoi se 60% e pasurive të tij janë vënë me punë të ndershme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button