LajmeShqiperia

Magjia e karikaturës

Gjithnjë më ka tërhequr arti i karikaturës, ndonëse jo gjithnjë i zbërtheja veprat e saj. Sepse ato janë, sikurse edhe arti modernist, shumë të holla, shumë të thella, fshehin ide të mëdha.

Njoh, ndër karikaturistët e Shqipërisë, zotin Bujar Kapexhiu, i diplomuar njëkohësisht me mua (unë në Fakultetin e Matematikës më 1967 ndërsa Bujari në ish institutin e Arteve)  por, prej gati një viti, njoh edhe zotin Imri Musliu, ingjinier në Ferizaj, Kosovë. Në fillim të majit 2021, ai hapi një ekspozitë të madhe në Ferizaj ku u paraqitën edhe shumë punimeve të kolegëve të huaj. Iu luta për të bërë këtë intervistë.

Imri Musliu, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Karikaturistëve HiTHi – Ferizaj

 

1/ Cfarë përfaqësoni ju dhe vetë Festivali i karikaturës i Ferizajt, shkurtimisht historiku?

 

Ferizaj edhe si qytet është i ri, ndër më të rinjtë në Kosovë. U themelua më 1873 (edhe logoja e qytetit e ka të shënuar këtë datë). U lind përnjëhërë si qytet, pa qenë më parë fshat, bashkë me hekurudhën, e cila u ndërtua mbi tokën moçalike, që vështirë kalohej.

Edhe karikatura ka filluar tek në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. I pari karikaturist nga Ferizaj ishte Nexhmedin Hasani – Trisha, i cili i publikoi veprat e tij në gazetat e kohës.

Nga viti 1981, unë vetë fillova të botoj karikatura në gazetën e studentëve “Bota e Re” në Prishtinë, kurse, thuajse në të njëjtën kohë, paraqitet në gazeta e ekspozita kolektive Selajdin Hajdini dhe, nga viti 1999, edhe karikaturisti Agron Sejdiu, në javoren “FerPress” të Ferizajt.

Në vitin 2001, Imri Musliu ka hapur ekspoziten e parë përsonale, e cila ishte edhe e para ekspozitë e karikaturës e hapur ndonjëherë në Ferizaj dhe, pas njëzetë vjetësh (2021) edhe ekspozitën e dytë personale.

Më pas, treshja: Imri Musliu, Selajdin Hajdini e Agron Sejdiu e kanë vazhduar aktivitetin në Shoqatën e Karikaturistëve “Thumbi” në Prishtinë, aktivitet që pas një ekspozite me karakter ndërkombëtar në Prishtinë dhe dy ekspozitave të tjera në Prishtinë e Tiranë, e ndërpreu aktivitetin e vet.

Në mungesë të një shoqate të karikaturës në Kosovë, në Ferizaj u themelua Shoqata e Karikaturistëve HiTHi, më 20/9/2017.

Aktiviteti i mirëfilltë  i organizimit të ekspozitave të karikaturës në Ferizaj  ka filluar në vitin 2015 dhe tani është në radhë edicioni i shtatë, i treti me karakter ndërkombëtar.

Me rastin e hapjes së ekspozitës kolektive të karikaturës në Galerinë e Arteve në Ferizaj, nga Shoqata e Karikaturistëve HiTHi-Ferizaj,  3 maj 2018, mori pjesë edhe karikaturisti nga Shqipëria Bujar Kapexhiu, i cili me rastin e hapjes së ekspozitës deklaroi:

“Kam marrë pjesë në shumë ekspozita, në shumë panaire. Për herë të parë vij në Ferizaj, dhe, t’u them të drejtën, ideja ime ishte se Ferizaj është një qytet i vogël. Më besoni, se paskeni qytet shumë të bukur, shumë të madh. Sepse kulmi i nivelit intelektual të një vendi  matet me nivelin e humorit, pra edhe me nivelin e karikaturës!”

Bardhyli me Bujar Kapexhiun, Tiranë

 

-Në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës, Ferizaj 2019 – Edicioni i  Parë, morën pjesë 317 autorë nga 51 shtete, prej tyre 51 femra. Nga ky numër i femrave, 49 morën pjesë në garë kurse 2 ishin anëtare të jurisë.  Numri i përgjithshëm i karikaturave ishte 1350.

 

-Në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës, Ferizaj 2020 – Edicioni i Gjashtë –i dyti ndërkombëtar, u paraqitën 1650 karikatura, 360 autorë (78 femra, 282 meshkuj), nga ata 47 nën moshën 18 vjeç. Nga 53 shtete.

 

– Numri i pjesëmarrësve të Festivalit Ndërkombëtar Ferizaj 2021 është 264, nga 53 shtete  (29 femra dhe 235 meshkuj), me gjithsej 1082 karikatura.

 

Irani ishte me pjesëmarrjen më të madhe të femrave. Nga 52 pjesëmarrës, 16 ishin femra dhe 36 meshkuj.

 

Përveç këtyre çmimeve, jepen edhe nga 5 çmime speciale për secilin edicion.

 

Shoqatën kulturore  HiTHi e përfaqëson Imri Musliu,  drejtor ekzekutiv i shoqatës.

 

2/ Cila ishte e reja në edicionin e sivjetëm?

 

E re në edicionin e sivjemë është se do të ketë vetëm karikatura e jo edhe strip. Vitin e kaluar kanë konkuruar dy kategori: Mbi 18 vjeç dhe nën 18 vjeç, gjë që ka sjellur një numër rekord  karikaturash- 1650, kurse këtë vit kanë arritur gjithsej 1082 karikatura në vetëm një kategori, në temën kryesore “Bestytnitë” dhe në temën e lirë.

 

Pjesëmarrja ishte thuajse nga të gjitha kontinentet (në dy edicionet e para ka munguar vetëm Australia).

3) Ҫfarë është Stripi)

 

Stripi eshte nje ngjarje e shprehur permes vizatimit ku ne nje qoshe shkruhen edhe fjale.

Per shembull, Ramadan Zaplluzha -Therre Murrizi ka pergatitur stripin me titull “Arbëri nuk vdes kurre” ne vitet e gjashtedhjeta ku flet per betejat e Skenderbeut. Mbahen ekspozita te stripit neper bote, keshtu qe edhe ne, me kerkesen e Qendres se Stripit te Maqedonise Veriore, kemi pranuar edhe stripa.

4/ Cilat janë idetë dhe mesazhet që përçojnë karikaturat e paraqitura sivjet?

 

Sivjet temë bosht ishte BESTYTNIA, e kjo u paraqit në mënyrat se si e shohin popujt e botës, por në temën e lirë nuk përjashtohet as emigrimi i popujve, liria e shtypit, liria e lëvizjes, të drejtat e njeriut, ushqimi, klima, lufta, paqja, mbrojtja/degradimi i mjedisit, barazia/pabarazia gjinore etj.

 

5) Pashë një vepër tuajën, “Ura e Siratit”. Mund të na thoni diçka për të?

Në karikaturën “Ura e Siratit” e kam paraqitur njeriun dhe rrugën e tij jetësore e cila i ngjan Urës së Siratit, ku në çdo çast mund të rrëshqasë e të bie poshtë, po nuk pati vëmëndjen e duhur gjatë rrugëtimit të tij.

Ura e Siratit permendet ne mitologjine islame, e cila ndodhet ne boten e pertejme. Kjo ure kalon mbi ferr dhe çon ne parajse, por per dike eshte e holle sa nje fije floku dhe veshtire kalohet. Sipas mitologjise, mëkatarët bien poshte ne zjarr dhe nuk e kalojne kete ure. Une e kam paraqitur se edhe ne kete bote nuk eshte lehte ecja drejt qellimt por i ngjan Ures se Siratit, dmth te gjithe nuk arrijne ne cak por disa bien!

 

6/ Rëndësia e Festivalit për njohjen e shtetit të Kosovës?

 

Festivali që organizohet në Ferizaj ka treguar se arti është mbi politikën, sepse ka pasur shumë artistë pjesëmarrës nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Në këtë mënyrë ata kanë treguar se, pavarësisht politikës së shteteve, të cilëve u takojnë, ata de facto e njohin Kosovën.

 

7/ Cilët morën çmime me veprat e tyre?

 

Në Festivalin Ferizaj 2019 kanë fituar:

–              Çmimin e  parë “HiTHi i Artë” – Alireza Pakdel nga Irani

–              Ҫmimin e dytë “HiTHi i Argjendtë” – Seyran Nasirov Caferli nga Azarbajxhani

–              Çmimin e tretë “HiTHi i Bronztë” – Shahroki Heidari nga Irani.

 

Në Festivalin Ferizaj 2020 kanë fituar:

–              Çmimin e  parë “HiTHi i Artë” – Diego Feld nga Argjentina

–              Ҫmimin e dytë “HiTHi i Argjendtë” – Aleksei Kivokurtsev nga Rusia

–              Çmimin e tretë “HiTHi i Bronztë” – Seyran Nasirov Caferli nga Azarbajxhani

 

Në festivalin e sivjemë ende nuk janë ndarë çmimet. Ato do të bëhen publike në ceremoninë e hapjes së festivalit më 4 korrik 2021, datë e cila përputhet me pavarësinë e Shteve të Bashkuara të Amerikës, shtet i cili e ka bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, në Sojevë të Ferizajt.

 

Falemnderit dhe suksese të mëtutjeshme!

 

Dhënë me16/6/2021,

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button