Përfundon takimi i zyrtarit të lartë të DASH me Bashën, Reeker shmang Metën

Ka përfunduar takimi në Selinë Blu i kryedemokratit Lulzim Basha me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Philip Reeker. Më herët gjatë ditës zyrtari i lartë i DASH, i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim, u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.
Zyra e shtypit të PD pritet të dalë më vonë gjatë ditës me një deklaratë për takimin që zgjati për më shumë se 60 minuta.
Kreu i opozitës shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi dhe nga deputetja Jorida Tabaku.
Ky takim, nuk ishte thjesht një takim kortezie dhe gjatë tij janë diskutuar çështje si integrimi, ecuria e negociatave, mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në Reformën në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.
Ajo që bie në sy është fakti që një zyrtar kaq i lartë i DASH vjen në Shqipëri dhe anashkalon kreun e shtetit Ilir Meta. Në agjendën e tij nuk parashikohet një takim me Metën.