Gjurmë gjaku dhe shkatërrim në hotel/ Shpërthimi që tronditi Velipojën, qytetarët menduan se ishte dinamit

Edhe këtë fundjavë, sytë e qytetarëve dhe medias janë kthyer sërish në Velipojë, ku pak ditë më parë qyteti u trondit nga një masakër që la 4 viktima.
Këtë herë, në një hotel të qytetit, katër anëtarët e një familjeje, me mbiemër Gjoka kanë mbetur të plagosur dhe me djegie në 85-90% të trupit, nga shpërthimi i një bombole.
Të plagosurit mësohet të jenë Alketa Gjoka 40 vjece, Daniela Gjoka 19 vjece, Klarisa Gjoka 15 vjece dhe Enrik Gjoka 12 vjec.
Shpërthimi ka ndodhur në katin e parë të hotelit, ku ndodhet edhe kuzhina e tij.
Kati i parë i hotelit është thuajse totalisht i shkatërruar dhe në oborr ndodhet edhe bombula e gazit e cila u bë shkak i ngjarjes së rëndë.
Nga raportimet e para, dyshohet që në hotel nuk ka pasur pushues të tjerë.
Hoteli ndodhet në plazhin e Velipojës, përballë rrugës numër 5 në zonën kryesore.
Qytetarët që kanë dëgjuar këtë shpërthim kanë menduar se mund të ishte dinamit apo lëndë plasëse se ka qenë një zhurmë e madhe. Shpërthimi është dëgjuar shumë në plazhin e Velipojës.