Lajme

Ambasada amerikane: Serbia, përgjegjëse për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Ambasada amerikane në Serbi, ka reaguar lidhur me mos veprimin e autoriteteve në Beograd, për kapjen e vrasësve të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi.

Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vite më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.

Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Ambasada Amerikane kërkon përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

“Vëllezërit Bytyqi janë ekzekutuar, janë qëlluar në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës, dhe edhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet” për SHBA-të, është thënë në reagimin e Ambasadës.

SHBA u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të veprojnë sa më parë për zbardhjen e rastit.

Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Autoritetet serbe në Beograd pavarësisht kërkesës së pareshtur të SHBA-ve për zbardhjen e fatit të tyre, asnjëherë nuk kanë ofruar dëshmi, përveç premtimeve se do të bashkëpunojne.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button