Lajme

Rëndohet edhe më tej numri i viktimave si pasojë e helmimit masiv nga uji në Deçan të Kosovës

Sa vjen e rëndohet situata nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës, ku deri më tani raportohet se, ka shkuar në 2 numri i personave që kanë humbur jetën, ndërsa numri i personave që kanë shkuar në spital ka shkuar në 884.

Nga hetimet e para dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit.

Për dy trupat e pajetë tashmë Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që të bëhet ekspertiza nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të kuptuar më shumë rrethanat e vdekjes.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se varësisht edhe nga rezultatet do ndërmerren veprimet.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit me ç’rast Prokurori i Shtetit, përkatësisht i Departamentit të Krimeve të Rënda për shkak të situatës së krijuar në atë rajon ka dërguar dy trupat e pajetë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes së dy viktimave[…]Varësisht nga rezultatet e Mjekësisë Ligjore do merren veprimet e mëtutjeshme”, tha Niçki, për KosovaPress.

Ndërsa lidhur me dyshimet për helmim të qytetarëve, Nikçi tha se Prokuroria e Pejës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka ka autorizuar edhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) për të bërë analiza të mostrave të ujit.

“Me të pranuar informatat, Prokuroria Themelore e Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku fillimisht janë autorizuar IKShP-ja për të marr mostrat dhe për të bërë analizat e ujit, ende nuk i kemi rezultate finale. Prokurori i Shtetit dje (e hënë) ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, me ç’rast ka biseduar me personelin shëndetësor ku është njoftuar me shqetësimet që kanë qytetarët “, tha ai për KosovaPress.

Ndërsa, që nga e shtuna e deri të hënën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mjekësore 823 pacientë prej të cilëve 428 kanë qenë me simptoma të njëjta, e të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Gjatë së hënës është rritur edhe numri i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë në këtë institucion primar shëndetësor.

Drejtori i QKMF-së “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, Selmon Berisha, tha të hënën se gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është e mirë dhe se janë jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me këtë, konferencë të jashtëzakonshme ka mbajtur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili ka hedhur dyshime që helmimi i ujit ka mundur të bëhet qëllimshëm, kjo meqë kjo po ndodhë për herë të dytë brenda një muaji. Ramosaj në konferencën e së hënës u shpreh se kanë njoftuar të gjitha organet kompetente për te hetuar këtë rast.

Pasditen e së hënës konferencë për media u mbajt edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar pas dyshimeve se mbi 800 persona janë infektuar në Deçan nga uji i pijes, se mostrat e marra të ujit dhe rezultatet e nxjerra konstatojnë se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standardet evropiane.
Për t’ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button