Helmimi masiv në Kosovë, Haradinaj: Familja e motrës sime ka qenë shumë keq

Disa ditë pas helmimit masiv në Kosovë, ka reaguar ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se ka qenë “viktimë” e helmimit, por fatmirësisht jo të rënda. Ai tha se rëndë ka qenë familja e motrës së tij.
Të them të drejtën nuk kam pasur simptoma të mëdha, kam pasur pak por jo të mëdha. Fëmijët e motrës Antigonës, po u prekën rëndë. Shumë të afërm. Nuk është diçka që shpjegohet si gjendje. Është zvogëluar numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore që jep shpresë se do të ndërpritet kjo gjendje. Situatë mjaft e çuditshme dhe jo e zakonshme.
Sidomos dy ditët e para kanë qenë të rënda. I kam parë njerëzit duke vuajtur e veçanërisht ishte e dhimbshme t’i shohësh fëmijët duke vuajtur”, tha ai.
Prej një javë tashmë Deçani është në gjendje emergjente, ndërsa numri i të helmuarve ka shkuar në mbi 1500. Shkaqet e helmimit nuk dihen ende, ndërsa paraprakisht u dyshua se shkak ishe uji, ku nga analizat rezultoi se janë identifikuar bakterie të cilat japin indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm, por ende nuk ka një rezultat përfundimtar.