Aksidenti fatal në Kroaci, reagon për herë të parë Deva Tours: Nuk e përshkruajmë peshën e dhimbjes

Ka reaguar për herë të parë kompania Deva Tours, pas aksidentit fatal që mori 10 jetë emigrantësh një ditë më parë. Në një komunikatë për media, Deva Tours shkruan se me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojnë çdo sekond të tragjedisë së djeshme.
Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për t’a përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkendjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë here.
Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe poashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, puntor i zellshëm dhe i kompletuar.
Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta! Duke ju falënderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje. Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.