Covid-19 në Kosovë, ekspertët: Po përballemi me valën më të egër të pandemisë, në vjeshtë…

Ekpertët në Kosovë kanë reaguar për situatën e Covid-19 në Kosovë, që është përkeqësuar. Ka qenë infektologu Shemsedin Dreshaj që ka folur, duke kërkuar që të vaksinohet popullësia dhe të respektohen masat anti- Covid.
Sipas tij, kjo është vala më e egër që qeveria e Kosovës është përballur ndonjëherë, duke bërë thirrje që të merren masat nga qytetarët, pasi vendi rrezikon që në vjeshtë të përballet me një valë tjetër.
“Me shifrat me të cilat me të cilat aktualisht jemi, kur i kemi mbi 2,000 të infektuar në ditë dhe kur kemi mbi 20 mijë raste aktive, kur kapacitetet shëndetësore janë të mbingarkuara, nuk është një situatë e cila duhet neglizhuar. Kjo situatë kërkon menaxhim shumë të mençur dhe mirë të definuar”, tha Dreshaj.
Edhe infektologu Hamdi Ramadani vlerëson se duhet kujdes i shtuar, në mënyrë që të mos përballemi edhe me një valë tjetër infektimesh në vjeshtë.
“Qytetarët duhet t’i nënshtrohen vaksinimit dhe imunizimit masiv. Vetëm një imunizim masiv, që do të kalojë shifrën mbi 55-60 për qind do ta ndalë dhe minimizojë pandeminë me virusin Delta të COVID-19”, tha Ramadani