Lajme

PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, pritet votimi i emrave të rinj në partinë e Bashës

Partia Demokratike mbledh sot në orën 18:00 për herë të parë Këshillin Kombëtar. Në mbledhjen e sotme pritet që të votohen emrat e ekipit të ri të Lulzim Bashës, të cilat u bën publike një ditë më parë. Emrat u propozuan të gjithë nga kreu i PD-së, dhe ajo që vihej re ishte se Basha ka zgjedhur që në kupolën drejtuese të mbajë afër të besuarit e tij, duke larguar edhe ato pak zëra kritikë që kishin mbetur në PD.

Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë të kryedemokratit Basha, ashtu siç pritej nuk do të jetë më kryetar i Këshillit Kombëtar të PD. Në vend të tij, Basha propozon Edi Palokën. Ajo që vihet re është se Basha ka shkelur statutin e PD, që e vendosi po vetë, ku për të zgjedhur Kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar duhet të propozoheshin të paktën dy kandidatura. Basha duket se e ka shmangur këtë hap, pasi kandidatura e tij e vetme është Edi Paloka.

Nga ana tjetër është rikonfirmuar në detyrë Gazmned Bardhi i cili do të vijojë të jetë Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ndërsa i ka dhënë një pushtet edhe më të madh të besuarit të tij Alfred Rushaj, i cili do të marrë postin e Kreut të Grupit Parlamentar. Rushaj ishte edhe drejtuesi i fushatës se PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku duket se Basha ka mbetur i kënaqur nga puna e tij dhe ka vendosur t’i jpa poste të rëndësishme brenda Partisë Demokratike.

Për postet e nënkryetarit që nga dy që ishin Edi Paloka dhe Edmond Spaho, do të bëhen 4, mes të cilëve do të jenë edhe dy gra! Emrat e propozuar nga Basha janë Alfred Rrushaj, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe Jorida Tabaku. Alibeaj do të jetë edhe kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit. Edhe Jemin Gjanaj është “shpërblyer” për detyrën e tij zgjatë zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike duke u rikonfirmuar në postin e kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD.

Shkrimtarja Flutura Açka është kandidatura për kryetare e Komisionit të Integritetit dhe Etikës, një komisionin që është diskutuar shumë gjatë zgjedhjeve brenda PD nga kritikët e Bashës pasi nuk ishte aktiv prej kohës kur kryedemokrati mori drejtimin e partisë.

Emrat e kandidatëve që pritet të jenë pjesë e sekretariatit ekzekutive të Partisë vihen re prurje të reja si pedagogia Jonila Godole, e cila është propozuar sekretare për të Përndjekurit Politik një nga çështjet e rëndësishme për PD, Ori Nebiaj si sekretare për Organizatat Partnere apo edhe Belind Këlliçi i propozuar si sekretar për Emigracionin dhe Diasporën, i cili u zgjodh edhe deputet i PD.

Në postin e sekretarit organizativ Lulzim Basha ka propozuar Ervin Minarollin që pritet të zëvendësojë Sait Dollapin, i cili dha dorëheqjen pas humbjeve të zgjedhjeve. Ndërsa për kandidatët për anëtar kryesie që do të jenë 15 të tillë, Basha ka zgjedhur një listë të gjatë, ku mes të cilëve vihet re edhe emri i Agron Shehaj, i cili ishte kundërshtari i tij në zgjedhjet e brenda PD për t’i marrë drejtimin e partisë. Nga 15 anëtarët e kryesisë, 10 prej tyre do të zgjidhen burra dhe 5 do të jenë gra.

Edhe për kandidatët për drejtues të komisioneve nga PD, Basha ka vendosur emrat e njerëzve të tij të afërt dhe të besuar pa sjellë risi apo të papritura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button