Lajme

Veliaj takim me qytetarët afganë të strehuar në Qytetin Studenti: Duam që të ndiheni si në shtëpi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarja Anisa Ruseti vizituan sot Qytetin Studenti, aty ku prej 6 ditësh janë strehuar qytetarët e mbërritur nga Afganistani.

“Dua të falenderoj skuadrën shqiptare dhe të gjithë ata që na ndihmuan të largoheshim nga Afganistani. Për ne ishte një situatë shumë e vështirë për të hyrë në aeroport, sepse gjithçka jashtë aeroportit ishte nën kontrollin e talebanëve. Ishte shumë e vështirë të hyje, sidomos atë natë kur kishte shpërthime bombash dhe kushdo humbi shpresat për t’u larguar nga Afganistani, duke menduar se do të humbte edhe jetën. Ndihemi të lumtur që na ndihmuat për të ardhur këtu dhe ju falenderoj edhe në emër të të gjithë afganëve të tjerë,” u shpreh një qytetare.

Kryebashkiaku Veliaj kujtoi edhe njëherë eksperiencën e ngjashme të shqiptarëve 30 vite më parë. “Kur dëgjoj historinë tuaj, më kujtohet se para 30 vitesh ne kaluam thuajse të njëjtën histori me Afganistanin, dhe shumë shqiptarë u detyruan të largoheshin. Në fillim të gushtit përkujtuam eksodin e madh të emigrantëve shqiptarë me anijen “Vlora”. 20 mijë njerëz në mes të detit, që prisnin për të shkuar në Itali. Është në historinë tonë të para 30 viteve, por edhe në nderin e paraardhësve tanë, që sot ne të kemi mundësinë të ndihmojmë sadopak,” u shpreh Veliaj.

Ai këmbënguli që për çdo problem të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë, madje u shpreh se edhe për ata që duan të integrohen me jetën kulturore, apo aktivitete të tjera, Bashkia e Tiranës është gjithmonë e gatshme për të ndihmuar.

“E kuptoj se qëndrimi juaj këtu është i përkohshëm, teksa procesoni dokumentet tuaja për të vijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi folur edhe me zyrtarë amerikanë, të cilët duan t’i procesojnë sa më shpejt, por sado që të zgjasë ky qëndrim, duam që të jetë një qëndrim sa më i lehtë. Nëse ka diçka që mund t’ju ndihmojmë, na e bëni me dije, dhe ne do bëjmë maksimumin derisa të shkoni në një hotel, ku mund të qëndroni pak më gjatë, të jetë më e lehtë. Ne nuk jemi një qytet shumë i pasur, por kemi një zemër shumë të madhe, duam që secili prej jush të ndihet si në shtëpi,” u shpreh Veliaj. Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se ekipet e ndihmës janë në gatishmëri edhe për çdo problem shëndetësor, sidomos në kushtet e pandemisë globale të Covid 19.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button