Lajme

BREGOVIÇ – BEKUES I ZËSHËM I LUFTËS SUPËRKRIMINALE TË MILLOSHEVIÇIT

IDRIZ ZEQIRAJ

 I. Njoftimi i bërë publik, për pjesëmarrjen e këngëtarit serb, Goran Bregoviç, në Festën tradicionale të Birrës; në Korçë, si pjesëtar aktiv i propagandës artistike, në shërbim të luftës pushtuese të Serbisë, ka ngjallur reagime të shumëta. Një organizatë atdhetare në Korçë, është deklaruar për organizimin e protestave, me kërkesën për anulimin e ftesës, për këngëtarin Bregoviç, bekues i zellshëm dhe i zëshëm i lufts supërkriminale, të policisë dhe të ushtrisë terroriste të Millosheviçit.
     Ndërkohë, nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, ka provokuar qytetarët, duke thënë se “shqiptarët nuk janë aq të guximshëm, sa për ta penguar këngëtarin mysafir Bregoviç, në koncertin e tij!” Edhe përgjigja reaguese e ftuesëve të Bregoviçit, ka qenë mospërfillëse dhe fodulle, duke thënë se “ftesa për mysafirin e nderuar nuk mund të anulohet, madje, për çfarëdo arsye, sepse miku i ftuar, duhet pritur me respektin më të madh!”
     Mediet e afërta me qeverinë shqiptare, të cilat janë numerike, ditëve të fundit, kanë rritur minutazhin agjitues e përlavdërues, për këngëtarin në fjalë, madje, duke bërë pyetje e sondazhe bulevardeve dhe rrugëve shqiptare. Dhe, televizionet transmetojnë vetëm simptatinë e shprehur, në supërlativë, për këngëtarin serb Bregoviç.
     Një traditë të nismuar përgjatë Luftës së Dytë Botërore, dy shtetet komuniste, Shqipëri-Jugosllavi, e shpërfaqin edhe sot. Pavarësisht zënkave verbale e shkrimore, tradita e bashkëpunimit, madje, në të gjitha fushat jetësore, ka vazhduar në mes të këtyre dy vendeve ballkanike. Realisht, Shqipëria ka shpërfillur, në vijimësi, interesat e Kosovës, me preferencën për të kokëtuar, dikur me Jugosllavinë, sot me Serbinë.
      II. Natyrshëm, ftesa artistike për këngëtarin Goran Bregoviç, është sinjal përafrimi politik i Shqipërisë me Serbinë. Kjo na kujton politikën e ping-pongut  kinez, si parathënie e hapjes ndaj perëndimit. Të paktën, ka dy qëllime:
    1) Tërheqjen e vëmendjes nga zhvillimet rapide politike, për një shou artistik të Ramës, i mësuar me karaxhozllëqet e tij, me kritika e të shara pa doganë fare;
     2) Promovimi i përshpëjtuar i projektit të ashtuquajtur “Ballkani i hapur”, si testim e joshje ofërtuese për ballkanikët tjerë.
     Presidenti serb Vuçiq, nuk e ka fshehur konsideratën e lartë, që ka për kryministrin shqiptar Rama, në përballjet me shqiptarët plagë-hapur, nga genocidi serbosllavë, të cilët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, faljen e krimeve serbe. Aq më tepër, kur serbët nuk kërkojnë falje, nuk pendohen për krimet serike e masive të bëra në Kosovë.
     Politika shqiptare, që nga vitet `40-a, në pjesën më të madhe, ka qenë në rrjedhën e kundërt të pjesës absolute të shqiptarëve, ka qenë pjesë e së keqës. Ka filluar me kryetradhtitë e Enver Hoxhës dhe të bandës së tij komuniste, me Masakrën e Tivarit dhe dhënien e dhunshme të shtetësisë shqiptare refugjatëve të Krahinës së Çamërisë, në vitin 1951, duke i lënë përjetësisht pa vendlindje, pa atë pjesë të Atdheut. Sepse Greqia nuk pranonte shtetësi të dytë dhe ua hoqi shtetësinë greke çamërve, të përzënë me vrasje e terror, në grup, me një dekret kushtetues.
     Presidentja dinjitare, Vjosë Osmani, në Parlamentin Shqiptar, denoncoi krimin makabër të regjimit vrastar të Enver Hoxhës, i cili e varrosi të gjallë, në burgun-Kënetë të Maliqit, Korçë, xhaxhanë e nënës të saj, bashkëluftëtarin e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës, Kolonel Sylejman Vuçiterna, ish-kryetar i Këshillit Ushtarak të Mbretërisë Shqiptare!
     Në vizitën e parë të Enver Hoxhës, të bërë në Tropojë, në vitin 1970, do të deklaronte se “me popujtë vëllezër jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëjtat fushë-beteja!” Që këtej do të fillonte përndjekja politike e penale e emigracionit kosovarë, përplasja në burgjet shqiptare, me porosinë e drejtëprdrejtë të palës jugosllave. Vrazhdësia trajtuese ishte unike; maltretimi, deri në mbytje, siç ishte rasti i grupit të profesorëve nga Rugova e Peja: Shefqet, Selim, Istref Kelmendi dhe inxh. Namik Luci, të akuzuar, falsifikueshëm, për hedhjen e bombës në ambasadën jugosllave në Tiranë.
     Gjuetisë së shtrigave të qeverisë komuniste, nuk i shpëtoi as garda e vjetër e nacioalistëve kosovarë: Aziz Zhilivoda, Eshref Hoti, Shaban Basha, Qazim Bllaca, Prof. Selman Riza, Sytki Hoxha, Zeqir Rashica, Hashim Toplica, Remzi Bushi, Avdulla Zagora, Qazim Kreku, Fetah Sedllari, Hoxhë Visoka, Hoxhë Marevci, për të vazhduar me Nazmi Berishën, Esat Miftarin, Hysen Bukoshin, Murteza Bajraktarin, Qerim Jakupin, Ismet Boletinin, Ali Statovcin, Selim Xhakën, Jetullah Gashin dhe qindra të tjerë. Përfshi këtu edhe autorin e këtij shkrimi, i dënuar për një letër-përgjigje grupit ilegal në Kosovë, të kryesuar nga Kadri Os(Mani), Binak Ulaj, Xhafër Shatri, Metë Shatri, me shokë. Letra me titull “Taktika dhe strategjia për realizimin e Republikës të Kosovës”, u konsiderua si subversion politik ndaj Jugosllavisë, me qëllim të prishjes të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave!
     E gjithë kjo plojë arrestimesh e dënimesh, bëhej në koordinim të qeverive, përkatësisht, të Ministrive të Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Lidhjet koordinuese i bënin Sigurimi Shqiptar dhe UDB-a jugosllave.
     Demonstratat e vitit 1981, janë përfolur, bazueshëm, për infiltrime të jashtme, kryesisht, Shqipëri-Serbi. Shpërthyen në një kohë zezonë dhe qëllimet ishin të errëta. Propaganda lehaqene hoxhiste u lakuriqësua dhe askush nuk bindej se “kosovarët hanin bukë e qepë”, siç thoshte në fushatën zgjedhore Vito Kapo, anëtare e KQ të PPSH-së, bashkëshortja e Hysni Kapos, personi i dytë në parti, pas Enver Hoxhës.
     Ritmet zhvillimore të Kosovës, kishin eklipsuar “kështjellën e begatë dhe të pamposhtur të Shqipërisë komuniste në botë!” Pra, Kosova duhej të stopohej në ecjen zhvillimore. Janë një serë dëshmish, që flasin për bashkëpunimin, kryesisht, me palën serbe, për ta bërë “zap” Kosovën. Dhe, ashtu u bë!
          Pala shqiptare ka shpërfillur, në vijimësi,
                              interesat e Kosovës
      III. E gjithë kjo kronologji e zezë, tejet domëthënëse, të goditjeve, në vijimësi, të dhënë Kosovës, nga shteti amë, së fundi, na japin produktin – monstrumin Rama, për t`u mos u ndërprerë tradita e bashkëpunimit me shtetin armik, Serbinë, gjithnjë, në dëm të Kosovës.
     Bashkëpunimi pragmatik, për interesa reciproke, me transparencën e duhur për popullin, qoftë edhe i shteteve armike, është normale për bashkëjetesë dhe fqinjësi korrekte. Por, afrimi, apriori, i Shqipërisë me Serbinë, në një kohë kur cinizmi përçmues i Serbisë ndaj Kosovës është kulmor, është larg të qenit veprim normal.
     Është rrjedhë logjike se afrimi dhe koordinimi i veprimeve të Shqipërisë me Serbinë, pa e konsultuar paraprakisht, Kosovën, lënë për të dyshuar për shumëçka dhe largon Kosovën nga politika e shtetit amë. Dhe, kjo është krejt e panatyrshme, në marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve. Projekti “Ballkani i hapur”, i kryeministrit Rama, është provokimi i radhës ndaj Kosovës.
     Kosova ka toleruar shumë qeverinë Rama dhe ka heshtur për veprimet e saj fatale. Unike në botë, është manipulimi i zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti në Shqipëri. Abuzimi me identitetin të 90 mijë familjeve në Shqipëri, me ndërhyrjen brutale të “patronazhistëve”, është, padyshim, një akt i rëndë për demokracinë. Dhe, megjithatë, Evropa dhe bota “heshti si peshku”! Skajmërisht e turpshme për heshtakët e qëllimshëm. Po t`i ndodhte kjo një partie tjetër, do të bëhej nami, do ta merrte vesh “Shkup e Shkodër!” E gjithë kjo maskaradë bëhet, për ta mposhtur rezistencën e Kosovës, në përballjen politike me Serbinë fashizoide.
      IV. Kryeministri Rama, është i paparashikueshëm në shumë veprime të tij. I guximshëm ka qenë në shkatërrimin e tërësishëm të procesit zgjedhor të sivjem, për ta grabitur, paligjshëm dhe turpshëm, mandatin e tretë skandaloz dhe hiç meritor. Projekti Rama-Vuçiq, për “Ballkanin e hapur”, i refuzuar dhe i anatemuar, nga shumica absolute e shqiptarëve, ka pykuar marrëdhënie normale Kosovë-Shqipëri.
     Ajo që dihet deri tani, ky projekt favorizon Serbinë, duke e bërë atë lidere të Ballkanit, qoftë ekonomike apo politike, edhe pse ende i ka duartë e përgjakura, në luftërat pushtuese në ish-Jugosllavi. Qeveria Kurti, por, edhe opozita, kush në surdinë dhe kush zëshëm, e kanë kontestuar, madje, edhe kritikuar Projektin Rama-Vuçiq.

Pala kosovare nuk është në pozita të favorshme, për të hapur front me kryeministrin e handakosur shqiptar. Sepse, për shumëçka, sidomos, në arenën ndërkombëtare, i duhet mbështetja zyrtare e qeverisë motër shqiptare. Megjithatë, heshtja është barazi me asgjë, andaj, veprimet e dëmshme për kombin, duhet dënuar, me forcën e mendjes dhe të pendës.


Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button