Lajme

Deklarata e fortë e Besa Shahinit: Në Universitetet shqiptare ka rektorë që kanë marrë tituj me plagjiaturë

Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka analizuar stafin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Shahini thotë se në disa nga universitetet publike në Shqipëri, “sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara”. Duke nënvizuar rëndësinë e ligjit të arsimit të lartë, thekson se kontrolli anti-plagjiaturë “nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet”.

“Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura. Asnjë rektor, dekan apo shef departamenti, asnjë profesor, të mos zgjidhet pa kaluar nëpër kontrollin anti-plagjiaturë”.

POSTIMI I PLOTE

Anti-plagjiatura është çelësi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në vitin 2020, kur universitetet publike në Shqipëri përzgjodhën udhëheqësit e rinj, si ministre e arsimit pata kërkuar që kandidatët për rektorë të bëjnë verifikimin e punimeve të tyre akademike përmes platformës digjitale anti-plagjiaturë, të cilën e siguruam për universitetet me buxhetin publik. Ideja ishte që pas rektorëve, kontrolli do të zbatohej për gjithë hierarkinë akademike, deri në zhdukjen e plagjiaturës nga universiteti publik.

Rektorët refuzuan këtë proces pasi disa nuk mund ta kalonin kontrollin, ndërsa të tjerët e kishin më të rëndësishëm kolegjialitetin me kolegët se sa zhdukjen e kësaj sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë përbrenda. Qeveria nuk kishte mundësi ligjore t’i detyronte, duke qenë se ligji i arsimit të lartë i jep autonomi të plotë akademike universiteteve dhe nuk lejon ndërhyrje nga jashtë. Si rezultat, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara.

Po shkruaj sot për këtë pasi që qeveria e Shqipërisë paska rinisur përpjekjen për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, duke sugjeruar edhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ky është lajm shumë i mirë dhe vjen në një moment kur Partia Socialiste ka mandat të qartë qeverisës dhe mundësi për të bërë ndryshimin e duhur.

Duhet bërë kujdes: kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura.

Asnjë rektor, dekan apo shef departamenti, asnjë profesor, të mos zgjidhet pa kaluar nëpër kontrollin anti-plagjiaturë.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit duhet të sigurojë përsëri qasje për universitetet publike në platformën anti-plagjiaturë në gjuhën shqipe, e cila ka skaduar tashmë prej disa muajsh.

Ndryshimet ligjore kundër plagjiaturës akademike marrin kohë dhe ky proces do të hasë në rezistencë të madhe nga universitetet. Por, duhet të ndërmerret sa më parë. Kurajo dhe sukses!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button