Zjarri vazhdon të djegë Spanjën që prej 5 ditësh, shkatërrohen 7 mijë hektarë pyje

Qeveria spanjolle ka nxjerrë në terren edhe 260 trupa nga Batalioni i Ndërhyrjes Emergjente, për të vënë kështu nën kontroll zjarret që kanë përfshirë Spanjën juglindore. Prej 5 ditesh qytetet si Jubrique, Farajan, Genalguacil dhe Pujerra po luftojnë me zjarrin, duke shkatërruar 7,000 hektarë pyje.
Mediat vendase shkruajnë se në këto ditë janë evakuuar mbi 2 mijë persona, ndërsa është shënuar viktima e parë. Sipas autoriteteve përkatëse, viktima është një zjarrfikës 44-vjeçar. Prej ditësh janë në terren 600 profesionistë, ndërsa vazhdimisht kanë ndihmën e aeroplanëve me ujë dhe helikopterëve.
Ndërkohë ministria e mbrojtjes ka thënë në një deklaratë për mediat se lufta kundër zjarrit është e vështirë për shkak të terrenit, por edhe nga “kushtet e pafavorshme të motit”.