LajmePersonazh

Në vigjilje të çeljes së ekspozitës vetjake të piktores dhe autores Fitore Haklaj

Prej disa ditësh publiku është njoftuar për një ekspozitë pikture që do të organizohet në datën 30-31, Tetor në Gjenevë-Zvicër.

Në këtë ekspozitë artdashësit do të shohin punime të autores si dhe falë ndërthurjes së artit pamor dhe atij të shkruar që autorja i shërben, do të kenë mundësi të njihen dhe me poezinë e saj të mbledhur në tre vëllime poetike.

Fitore Haklaj ka lindur më 30.11.1973 në Deçan, shkollën fillore e kreu në Isniq, duke vazhduar të mesmen në Deçan ku vitin e fundit e kreu bashkë me shokët e shoqet nëpër oda private, për të vazhduar në Prishtinë në Fakultetin Ekonomik.

Qysh e vogël, Fitorja  adhuronte pikturën, muzikën, vallëzimin e shkrimet, duke i shpalosur këto talente të saj në aktivitete të ndryshme të organizuar nga shkolla.

Në vitin 1998 Haklaj shpërngulet në Itali, ku më shumë vështirësi filloj të bëjë një jetë larg familjes dhe vendlindjes të cilën e adhuron.

 

Ndoshta ky boshllëk që të lë largësia nga familja, shoqëria e atdheu i ri-zgjoi Fitores dëshirën për t’u marrë me art si e vetmja mënyrë për të shprehur ndjesitë e saja artistike. Kështu fillon të pikturojë me ngjyra vaj në beze e paralel ndjek disa kurse duke hapur rrugën e pjesëmarrjes në disa ekspozita, bashkë me kolegë të tjerë.

Gjatë këtyre viteve filloi të punojë e studiojë në Itali, ku për pesë vite punoi në Emergjencë dhe vazhdoi ta kryejë atë detyrë edhe si vullnetare për shumë vite më pas.

Viti 2015 e gjen përsëri në bankat e shkollës duke kryer studimet për asistente mjekësore.

Që prej vitit 2019 Fitorja jeton në Zvicër bashkë me bashkëshortin e dy fëmijët e saj. Pas kaq vitesh shpërnguljesh e sakrificash për ndërtimin e një familjeje dhe një jetese cilësore, duke mos i lënë asnjëherë pas dore rizgjimet herë të artit vizual e herë të atij të shkruar, Fitorja ka arritur të ketë jo diçka, por shumëçka për të na treguar duke nisur nga vullnetarizmi, piktura, poezia, dhe patjetër suksesin e të qenit grua, nënë, bashkëshorte, mikeshë e kolege.

“unë mbi të gjitha jam nënë e dy engjëjve të mi, pastaj ndihem piktore e poete, por për të arritur deri këtu është dashur një durim e sakrificë e madhe e më ndihmën e shumë atyre personave që më duan edhe i dua.

Këtu ku jam, jam falë këmbënguljes sime e përkrahjes se madhe nga familja e shoqëria. E mendoj gjithmonë jetën në pozitivitet pasi vetëm kështu  arrihen sukseset”, thotë Fitore Haklaj duke na dhënë shembullin më të mirë të një përfaqësuese të denjë shqiptare në diasporë.

Botime të autores:

“Shpirti peshon”

“Peizazh në zemër”

“Melodi vargu”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button