Përmirësohet situata në Kosovë nga COVID-19

Infektologu nga Kosova Hamdi Ramadani ka thënë se megjithëse kanë rënë rastet me COVID-19 në vend dhe situata është më e qetë, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat.
Sipas tij, situata me pandeminë është më e mirë në krahasim me javët e kaluara, por nuk duhet të relaksohemi pa arritur në 70 përqindja e të vaksinuarve.
Ramadani në prononcim për Telegraf tha se është shumë me rëndësi që procesi i vaksinimit po shkon mirë dhe qytetarët janë të interesuar për ta marr vaksinën antiCOVID.
“Kemi rënie të madhe të rasteve me COVID-pozitiv, kemi edhe një rënie e madhe të të vdekurve, që do të ishte mirë të binte në zero, por mund të themi se në krahasim me javët e kaluara është situatë më pozitive. Ajo që është e rëndësishme është që vaksinimi në masë është duke shkuar mirë edhe pse është një rënie ditët e fundit në shifra, jemi mësuar t’i shohim 15 mijë e 20 mijë të vaksinuar brenda ditës, por megjithatë tash kjo është për tu përshëndetur për shkak se më shumë se 570 mijë qytetarë janë të mbrojtur nga coronavirusi”, tha Ramadani për Telegrafin.
Megjithatë, siç thotë infektologu Ramadani, nuk bën që të relaksohemi derisa të arrihet vaksinimi i 70 për qind të popullsisë.
“Kjo gjendje është edhe falë masave antiCOVID, maskave, distancës, masa të rëndësishme dhe duhet të vazhdojnë ende sepse e kanë efektin e vet, duhet të vazhdohen. Derisa të arrijë shifra prej 70 % duhet të vazhdojnë masat, kur të arrijmë shifrën e përmendur, mund të jemi në një situatë shumë më të mirë, më të qëndrueshme dhe mendoj me një pandemi të kufizuar, por duhet patjetër të kalojë shifra prej 70% të qytetarëve të planifikuar për tu vaksinuar”, theksoi Ramadani.