BotaLajmePersonazhRajoni

SHKRIM NGA FITORE HAKLAJ

LOBI EURO ATLANTIK SHQIPTAR

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar lindi si ide në momentin kur u pa se diaspora shqiptare po
shkonte drejt një përgjumjeje për sa i përket problemit të asimilimit e rrjedhimisht humbjes
së brezave nga njëra anë dhe ndikimit të politikës në grupimet aktuale duke nisur një
përçarje mes tyre apo indiferentizëm të komunitetit në angazhim, nga ana tjetër.
Kështu pra, në bisedimet e para mes inisiatorëve u ra dakort për krijimin e një organizmi jo
fitimprurës, jopolitik, jofetar me qëllim parësor ruajtjen e identitetit e më pas faktorizimin e
shqiptarëve në diasporë, bashkëpunimin me institucionet e vendlindjes dhe të vendeve
pritës, depolitizimin e diasporës shqiptare ku me këtë të fundit nënkuptohet mospërfshirja e
bindjeve politike të secilit anëtar në punën vullnetare të marrë përsipër.


Prej vitit 2016, kur ky organizëm mori jetë në një kuvend të gjerë me pjesëmarrje të
përfaqësuesve të disa vendeve europiane (Gjermani, Norvegji, Zvicër, Suedi, Austri, Belgjikë,
Itali), atdhedashës e patriotë të devotshëm, Lobi Euro-Atlantik numëron në historikun e vetë
sfida, dështime e suksese të larmishme. Sot, duke iu kthyer këtij historiku, shihet fare mirë
se kjo organizatë është sprovuar mjaftueshëm dhe tashmë ka arritur në fazën e vërtetimit të
padiskutueshëm të vetvetes.
Për nga ana strukturore Leash është një organizëm i ndërtuar në strukturën e rrjetëzimit me
disa degë të vetat në disa vende të Europës si dhe me përfshirjen e një sërë organizmash të
tjerë në formën e bashkëpunimit i cili kurorëzohet me nënshkrimin e memorandumeve të
bashkëpunimit në pika të përbashkëta dhe që i shërbejnë përmbushjes së objektivave të
palëve.
Organet drejtuese të Leash janë Presidenca, Këshilli i Përgjithshëm dhe Asambleja që është
dhe organi më i lartë vendimmarrës dhe që mblidhet çdo katër vjetë për organizimin e
zgjedhjeve të përgjithshme dhe çdo vit në asamblenë e punës. Asambleja përbëhet prej pesë
delegatëve të çdo dege dhe dy delegatëve të çdo organizmi që ka nënshkruar memorandum
bashkëpunimi me Leash.
Pak a shumë kjo është struktura e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar dhe më tepër se tejzgjatje në
këtë shkrim, është një informacion i duhur për të gjithë bashkëkombasit tanë që duan të
kenë një përshkrim të asaj çka është ky organizëm.
Përsa i përket aktivitetit të Leash, ashtu siç përmendet më lart, kanë qënë të shumta sfidat
pasi nuk është aspak i thjeshtë menaxhimi i një organizmi me shtrirje të gjerë, i rrethanave
të çuditshme herë-herë të hasura gjatë udhëtimit që kanë të bëjnë deri dhe me kontestimin
e vullnetit të mirë të anëtarëve dhe të vetë organizatës, por pengesa të tilla veç sa e kanë
lartësuar punën dhe kanë shtuar edhe më tepër dëshirën për të kontribuar mbi çështjet
madhore të cilat Leash ka për objektiv.
Gjatë pothuajse gjashtë viteve të jetës Lobi ka një larmishmëri aktivitetesh dhe arritjesh,
duke përmendur këtu takime me përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore si në
vendet amë (Shqipëri, Kosovë), si në vendet ku vepron. Aktivitete me karakter historik, humanitar, kulturor, sportiv janë aktivitete të herëpashershme me qëllim kryesor angazhimin e çdo grupmoshe që jeton në diasporë, në arritjen e faktorizimit dhe ruajtjes së
identitetit.
Për t’u përmendur janë aksioni humanitar tradicional i fundvitit “Dhuro një buzëqeshje” një
aksion i cili ju dedikohet njerëzve në nevojë e kryesisht institucioneve në vendlindje të cilët
kanë në mbrojtje të tyre fëmijë jetim e me nevoja ndryshe.
Kremtimi i ditës së gruas të titulluar “Trego dhe ti suksesin tënd” që është ideuar të ketë si
fokus identifikimin e grave të suksesshme në diasporë dhe promovimin e tyre me qëllim
faktorizimin e tyre në vendet ku jetojnë.
Turneu i shahut për shahistët e të gjitha moshave në diasporë, një aktivitet që bëri të
mundur edhe bashkëpunimin e Lobit me dy federatat e shahut në Shqipëri e Kosovë.
Përfshirja e Lobit Euro-Atlantik si bashkëpuntor në konkursin tradicional “Merr një varg dhe
eja” konkurs që iu drejtohet fëmijëve shqiptar të diasporës, 7-14 vjeç të shkruajnë shqip dhe
që pati një jehonë në shumë vende të Europës. Ky konkurs në edicionin e tij të dytë u
kurorëzua dhe me botimin e antologjisë me të njëjtin titull si një stimul për fëmijët
pjesmarrës, nxitje për botimet që do pasojnë dhe patjetër si një vlerë e shtuar historikut të
diasporës shqiptare në vite.
Aktivitetet me karakter historik kanë qënë dhe do të jenë një obligim i Leash në përmbushje
të objektivit të ruajtjes së identitetit, duke përkujtuar dat e figura historike të kombit si Dita
e Pavarësisë së Shqipërisë e Kosovës, përkujtimi i protestave studentore të ’81, përkujtimore
e disa prej emblemave kombëtare si e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut e
Shenjtores Nënë Terezë.
Së fundmi Lobi Euro-Atlantik në muajin Nëntor të vitit 2021 do të paraqesë të realizuar
projektin më të fundit të tij, kalendarin vjetor të ilustruar vit pas viti me gjithçka përbën vlerë
kombëtare me qëllim promovimin e këtyre vlerave në diasporë. Ky kalendar, përveç
ilustrimit me foto do të përmbajë dhe një informacion mbi atë çka paraqet në dy gjuhë
(shqip, anglisht) me premisat që vit pas viti të pasurohet dhe me gjuhë të tjera europiane.
Të gjitha sa u përmendën dhe shumë të tjera përbëjnë atë që quhet historiku i një
organizate me objektiv të qartë ruajtjen e brezave. Strategjia e Lobit Euro-Atlantik shqiptar
përmblidhet në perifrazimin “pa breza nuk do kemi asnjë kauzë” ndaj dhe natyrshëm vjen
thirrja për angazhim, kontribut, bashkëpunim i çdo individi e grupimi në diasporë me moton
e Leash “Atë që dëshiron ta bësh i vtem ,,eja ta bëjm së bashku ”

12.10.21
F.H

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button