KosovaLajmeOpinionePersonazh

Nga Bajram Sefaj

Këtyre ditëve, (fundshtator, fillimtetor, ky vit), me kënaqësi e, pse jo, me thera në fyt!, lexova dy libra, të dy autorëve shqiptarë: të Naser I. Dërmaku, i syrgjynosur në dhé të huaj, dhe të ndjerit, kolonel Ahmet Krasniqi, i burgosur, po ashtu në dhé të huaj . Dy libra, të dy të syrgjynosurve, lirisht mund të merrnin emër (titull) të përbashkët. Si të tillë, pa i mohuar, për asnjë çast, vlerat tjera të tyre, këta dy libra, gjenden ngatë a ngatë e, përnjëherësh, hyjnë në kornizën e përbashkët të kësj kronike mbresash, nga leximet e mia të radhës.

*

Sqarime paraprake: Në saje të mirësisë se pronarit të shtypshkronjës “Drita press”, zotit Naser Vitija, nga Prishtina, libri i Naser I. Dërmakkut, me bie në dorë, shumë përpara se vetë autorit. Ky botues i vyer e bën këtë gjest bamirësie, për shkak se, urgjentisht duhej të udhëtoja për në Francë, e, si një i syrgjynosur që jam, digjesha nga meraku që “bashkudhëtar” ta kem librin “Skutave të jetës” (Të një mërgimtari!). Ashtu edhe ndodhi. Librin e Naser I. Dërmakut, lexova të parin.

*

Në rrëfim të këtij shënim (rasti), nuk ndjek radhën e leximit, jo! “Lashtësinë” e botimit, po! Dy vjet më parë, ose saktësisht, në vitin 2019, nga ana e shtëpisë botuese prestigjioze “Faik Konica” e Prishtinës, ka parë dritën e botimit libri “Shtatëmbëdhjetë shtatori” (ditar burgu) – Ahmet Krasniqi, punë e vyer e dy miqve të tij besnikë, Shkënder Zogaj dhe Fahredin Spahija. Deri sa i pari, përgatiti për botim tekstin e këtij ditari, i dyti, u përkujdes për pamjen estetike të tij, duke sajuar dhe, grafikisht dhe artistikisht, realizuar ballinën e librit dhe radhitjen e tekstit. Ndërkohë që, libri i Naser I. Dërmakut është botuar në fillim të muajit shtator të këtij viti, nga ana e Sh. B. ”Drita press”, që bën hapa të sigurt drejt afirmimit si botues serioz dhe të besueshëm!

*

Vajtën, paksa gjatë, këto sqarime dhe, për aq, brejtën hapësirë e shtrirjes se këtij shënimi, rasti e çasti. Por kjo nuk prish punë aspak nga se kallëzimi, në vijim, mbi këta dy autorë që, sikurse që fillim sqarohet, pos që, i lidhë indi i përbashkët i dashurisë ndaj librit dhe etjes për lexim, e përbashkëta tjetër e tyre është, që të dytë, janë të syrgjynosur. Kolonel Amet Krasniqi, në vende e vise të ndryshme të ish Jugosllavisë, (zëri i shterte krejt, mos iu dëgjoftë kurrë më!), saktësisht në kazermat e APJ, respektivisht në burgjet famëkeqe të tyre. Ndërkaq i dyti, Naser I. Dërmaku, i ri fare, djaloshar gjashtë shtatëmbëdhjetë vjeçar, me lak rreth qafe, mori rrugën e gjatë (si të pa kthim!), të mërgimtarit, drejtë Evropës së madhe, e të pashpirt.

Mos të harrojmë, për asnjë çast se, megjithatë, thelbi i “ngjashmërisë” midis këtyre dy autorëve që, krejtësisht i rastësishëm e, (spontan), prandaj u gjenden baskë dhe, u rrokën në një vështrim të përbashkët, është dashuria e këtyre dy autorëve ndaj librit, letërsisë në përgjithësi dhe, etja e tyre pasiononte për lexim, gjë që, mjerisht nuk është dukuri aq e shpeshtë midis bashkëkombëseve tanë të kudondodhur!

Derisa kolonel Ahmet Krasniqi, me pedanterinë e ushtarakut që ishte, në faqen 231, përmbyllëse të ditarit të tij, shfaq regjistrin prej 22 librave të lexuar, me shënimin se: “Në burg i burgosur s’mund t’i zgjedhë titujt e librave që i dëshiron, por vetëm ata libra që ia lejojnë!”.

Hiç autorët e imponuar jugosllav, në mesin e atyre 22 titujve të librave të lexuar, nga ana e të burgosurit, Ahmet Krasniqit, figurojnë edhe emra të njohur të autorëve ne famë botërore, sikurse janë Stefan Cvajg, Irving Wallase, Xhek London e të tjerë. Nga autore jugosllav, A. Krasniqi veçon emrat e këtyre autorëve: Radoje Domanoviq, Dobrica Qosiq, Millosh Cërnjanski, Ivo Andriq, August Shenoa dhe ndonjë tjetër. Boll, madje tepër, për të mirë e, për të keq, bardh e zi! Eh, në leximet e tij, Ahmeti ynë, sikur të shoqërohej për në çik edhe me veprën letrare të shkrimtarit e dramaturgut të njohur gjerman, Bertolt Breht (1898-1956), do të ndeshej edhe me këtë reflektim të tij, që krejt rastësisht, me piku ndërmend: “Ai që rri në shtëpi kur fillon lufta…”, me të cilën arrinte në përfundim: “ai le të ketë mendjen, sepse kush nuk e ndanë luftën me shokët, me armikun do të ndajë disfatën”.

(Ika nga dhoma e gjumit (kur e kam edhe kabinet pune!), në dhomën e pritjes, të ndjek vazhdimin e dytë të emisionit dokumentar, ”Dosje të hapura” të Televizionit shqiptar (TVSH 1/hd), që i kushtohet vrasjes “misterioze” të Amet Krasniqit, në të cilin emision, pos shumë e shumë të tjerëve, si dëshmitar të asaj kohe të vrugtë, vend të rëndësishëm zinte edhe z. Skënder Zogaj, i cili përgatiti për shtyp ditarin e burgut me titull “Shtatëmbëdhjetë shtatori”, të Ahmet Krasniqit. Mjerisht, as ky emision e, si duket, as shumë të tjerë pas tij, nuk do të arrijnë të mbyllin “Dosjen e hapur”, të davarisnin mjegullat e “mistershme” e, më në fund, të del në shesh e vërteta: cila ishte ajo dorë e zezë, mercenare dhe, gjithsesi tinëzare, që e vrau, kolonel Ahmet Krasniqin!).

*

Ndërkaq, syrgjynosja e autorit tonë tjetër, rrokë periudhë më të gjatë. (ai edhe sot është atje në atë Gjermani të lartë e më mjegulla të murrme shumë, të dendura!), prandaj, kolana e librave të lexuar nga ai, është shumë e gjatë dhe gjithëpërfshirëse, mund te quhet edhe kështu. “Naser Dërmaku është i lexuar, e do librin dhe librin e do jo për ta vënë si dekoracion në dollapët e dhomës, siç bëjnë shpesh ca snobë, por ai librin e ka konsum kulturor, dituror dhe shkencor, për pasurim shpirtëror dhe ngritje kulturore, por edhe s një ngushëllim që një mërgimtari i mungon atdheu, ndaj edhe leximi i ndihmon që ta përplotësojë atë. (…) Autorët e tij të preferuar janë Stefan Cvajg, Paulo Cohelo, Amos Oz, Sigmund Frojd, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli,Ali Podrimja, e të tjerë, me veprat e të cilëve ka ndarë orë të gjata leximi…”.

Pajtohem, gjithandej pajtohem, me atë që thotë recensuesi i këtij libri, z. Mr. sc. Sylejman Salihu, veç mund të shtoj se, Naser I. Dermaku, është një dashamirë i thekur i librit dhe i leximit. Kjo prirje, kjo dashuri ndaj leximit dhe librave, Naserin tonë, shumëherë e çuan në Panairin e përvitshëm të librit, me reputacion të lartë botëror, në qytetin gjerman Lajpcig. Dikur, jo shumë moti, kur Kosova ziente nën peshën e rëndë të okupacionit serb, e sidomos përgjatë kohës së luftës, Panairi i librit në Lajpcig të Gjermanisë e, deri diku, edhe Salloni i librit në Gjenevë të Zvicrës, ishin të vetmet shtigje që u mundësonin, të syrgjynosurit shqiptarë, si puna e Naserit, të furnizoheshin me libra te ri letrarë e të tjerë, botuar në Kosovë e në Shqipëri. Por jo vetëm këtë panair, Naseri frekuentonte dhe “panagjyre” të tjerë dhe ekspozita të librit, kudo që shfaqeshin ato. Sidomos pa çlirimit të vonuar të Kosovës kjo punë u lehtësua dhe u intensifikua. Prandaj, detyrimisht, regjistrit të librave që i shënoi recensuesi z. Sylejman, në regjistrin (konton) e z. Naser, duhet shtuar e plotësuar edhe shumë shkrimtarë shqiptarë, nga Kosova dhe Shqiperia, sidomos. Duke mos harruar për asnjë çast mendjeje nobelistin turk, Orhan Pamuk që, sikurse edhe shumë lexues të tjerë, anë e manë botës, Naseri e ka fort për zemër, në faqen 138 të librit të tij, me dorë të vet, shënon edhe këtë: ”Vijova me një trend të vrullshëm, me librat e Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” dhe “Emblema e dikurshme”, pastaj me “Vrapuesja e Prizrenit”, të Musa Ramadanit,”Treni me murtajë”, Ramadan Haziri -(libër fantastik, këtë shkrimtar dhe veprimtar, e njoha në Tiranë dhe vijuam miqësinë në Kosovë e gjetiu, mjerisht ky nuk është më në jetë). Nga publicistika u kënaqa me “Gazetaria ime”, Bajram Sefaj, (i cili me trajton si Fidel/Besnik i veprave të tij), tutje me tërhoqën librat, si: “Shkulësit e përjetshëm”, Arif Demolli, “Kur dashuronte Siami”, Marsel Prust, “Ditë të qeta në Klishi”, Henri Miller dhe “Para agimit”, Shefqet Musaraj… (Që do të thotë (shtoj unë) se, ky Naseri ynë, është krejt i “tretur dhe i mbështjellë me fletë letrash”, të botës e letrare!).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button