LajmePersonazhPoezi

Thesaret e odave shqiptare

Imri Trena

Prishtine 2020
Vëllimi i dytë
f.149
Politikani me fakultet
Një burrë i thotë një politikani të njohur:
Të ka bërë të fala një shoku yt!
Si quhet ai?
Ia harrova emrin, por tha se kishte kryer fakultetin bashkë me ty.
Të paska rrejtë, besa, se këmba ime nuk ka shkelë kurrë në fakultet!
f.155
Ty nuk të pranon dheu
I thanë njërit:
Gjithë ato të zeza që ke bërë, as dheu nuk do të pranojë!
Po mirë, besa, edhe unë kthehem e rri në shtëpinë time!

f.189
Imri Trena
Kredia
-O babë!
– Fol, bre, bir!
– Kemi ndërmend me marrë kredi.
— Mirë, bre, bir! Sa është kredia?
– 100 000 euro!
– Përse do i përdni gjithë këto para?
– Po ja, unë do blej një BMW, do ndreq shtëpinë, kuzhinën, do ndërroj mobiljet..
– Kur duhet të kthehet krejt kjo kredi?
– 40 vjet, është afati.
– Në emër të kujt do merret kredia?
– Në emrin tënd, o babë!
– Jo, jo, pashë Zotin, jo në emrin tim, se nuk dua të më vijë fatura te varri!
f.229
Imri Musliu
Gjermani nuk shkruan këngë trimërie
Një mërgimtar në Gjermani ia kish marrë një kënge trimërie. E dëgjon një fqinj i tij gjerman dhe bëhet kureshtar për përmbajtjen e këngës.
– Jo, jo, tha gjermani, në nuk krijojmë këngë të tilla! Besoj se as ti nuk ke dëgjuar nga goja jonë të këndojnë për trimëri. Pse,ju, shqiptarët këndoni asish?
– Ne këndojmë se jemi trima!
– Trima jemi ne, thotë gjermani, se, kur bëhet luftë, ne luftojmë i madh dhe i vogël, prandaj nuk mund t’u këndojmë të gjithëve. Ndërsa nga ju, 1-2 në njëqind bëni luftë dhe e keni të lehtë t’i njihni ata me emër dhe mbiemër. Prandaj ju krijoni këngë trimërie!

f.232
Milaim Rexhepi
Në një rast vdekje në fshatin Stagovë, dikush fliste jo vetëm pa radhë por edhe pa kuptim.. Disa herë tha: përse të punoj? Babai im punoi gjithë jetën dhe çfarë mori me vete në varr?! Nuk la gjë pas vetes!
Një hoxhë fisnik i pranishëm, nuk duroi dot dhe i tha:
I mjeri ai! Përnjëmend asgjë s’paska lënë pas vetes!

f.237
Demush Gjonbalaj
Mos më trego mua përralla
Në Shqipëri, në kohën e socializmit, ishte dikush që shihte ëndërra dhe i shpjegonte bukur ato. Merr vesh për të Enver Hoxha dhe e kërkon t’i vijë për vizitë në shtëpi.
Kur hyn në oborr, ky burri habitet me atë që sheh aty.
– Sa bukur e keni rregjulluar oborrin, shoku Enver!
Enveri ia kthen:
– Po unë e kam rregulluar kështu tërë Shqipëriën, jo vetëm shtëpinë time!
– Shoku Enver, unë erdha për të treguar ëndërra e përralla, jo për të dëgjuar të tilla nga ju!

f.239
Rustem Seferi
Qebabat e mëdhaja
Një shitës qebabtoreje po u shërbente klientëve qebape të shijshme dhe bukur të mëdha. Për një kohë, tërhoqi shumë klientë. Por, më pas, qebabet u zvogluan mjaft. Kur e pyetën, pse kështu, ai u tha: Po vetëm një gomar kisha, jo dhjetë!

f.241
Ilir Gudaqi
Më mirë në Kërbliç
Një vajzës për martesë, Fatimes, i sollën një shkues nga fshati Kërbliç, që ndodhej bukur larg shtëpisë së saj dhe thellë në malësi. Vajza pranoi pa mëdyshje. U fejua. Shoqet e ngacmonin:
– Qysh, moj, pranove më shkue kaq larg dhe me heq keq?
– Po më mirë në Kerbliç se sa hiç!- – ua ktheu ajo.

f.248
Murroja dhe Baloja
Një fshatar e kish një pendë qe, me emra Murro dhe Balo. Një ditë Balo u dëmtua në këmbë. Kështu fshatari vuri nën zgjedhë vetëm Murron. Por tërë kohën thërriste : Hajde Murro, Hajde Balo!
E pyeti një mik aty pari: Pse thua Murro dhe Balo, vetëm Murron e ke nën zgjedhë!
Them ashtu, e sqaroi fshatari, që Murro të mos e kuptojë se është i vetëm nën zgjedhë!

f. 265
Ngjitja bishtin
Kishte ardhur nusja në shtëpinë e dhëndërrit. E vjehrra e mëson: – Shiko, nuse, mos e thërrit vjehrrin thjesht “Hasan” por thuaji “Zotni Hasan”. Nusja harroi dhe e thërriti “Hasan”. Vjehra e qortoi:- Nuse, ngjitja bishtin!
Atëhere nusja e thërriti “Hasan bishti”…

f.277
Le të ecë treni më ngadalë
Një fshatar shqiptar, në kohën e Jugosllavisë, hipi në trenin ekspres Shkup-Ferizaj. Por biletën e kish prerë për trenin e zakonshëm. Fatorinoja, serb, i thotë: ” Kjo biletë nuk vlen. Do paguash gjobë!”
– Përse, i thotë fshatari?
– Sepse ky është tren ekspres!
– Atëhere thuaji trenistit ta ngasë trenin më ngadalë- ia ktheu shqiptari.
Kjo shkaktoi të qeshura të përgjithshme.

f.285
Vëllezërit dhe qetë
Dy vëllezër, që jetonin bashkë, kishin një pendë qe. Dikur, ata u grindën mes veti dhe u ndanë. Secili mbajti nga një ka. Një ditë, qetë po kullosnin në të njëjtin livadh. Në fillim ata iu turrën njëri tjetrit, por, pasi morën erë, vijuan qetësisht kullotjen. Vëllai më i mënçur e vuri re këtë sjellje dhe i tha vëllait të vet: E shikon, qetë u pajtuan menjëherë, po ne, pse jo?

f.295
Kosova e Madhe
Baca Shefqet shkon në Shqipëri, menjeherë pas vitit 1990. Takon të afërm që kanë ikur atje nga regjimi titist. E mirëpresin si vëlla. Ftojnë edhe fqinjët, pasdarke. Njëri nga fqinjët pyeti:
More, ku bie kjo Bellograca?
Begraca! Begraca!- I nderuar, i thotë Baca. Ajo ndodhet në Kosovë, në Komunën e Kaçanikut.
Po Kaçaniku, ku bie?
Kaçaniku! Kaçaniku! A nuk ke dëgjuar për luftën në Grykën e Kaçanikut, kurrë, a?- habitet Shefqeti
Jo, kurrë!—Po kjo Kosova, a është e madhe?
Pooo! Katund i madh është!- tallet Baca Shefqet.

f. 305
Mbaroni shkollën që shkijet të ikin
Hamit Halili i Stankovcit shkon për vizitë te Riza Hoxha në Halilaq. Aty gjen shumë burra që po kuvendonin, si ta mbarojnë një xhami.
Pasi dëgjon mendime të ndryshme, e pyesin edhe atë:
Ҫfarë mendon ti, Hamit?
A keni shkije në fshat?
Po, kemi, madje shumë.
Atëhere, mos mbaroni xhaminë por një shkollë, atëhere shkijet kanë me ikë.
Ashtu bënë dhe ashtu ndodhi vërtet!

f.324
Fryeji fëmisë se gruas i fryej unë
E çon njëri fëminë e sëmurë që t’i fryejë hoxha. Fëminë e mbante në grykë e ëma. Por hoxha, duke i fryrë fëmijës, e kthente kryet nga gruaja që kish qëlluar e bukur. Atëhere i shoqi i tha hoxhës:
Hoxhë, fryji fëmisë, se gruas i fryej unë!

f.337
Ruajtja e fytyrës
Kur u martua, njëri e pyet nusen:
Oj grua! A do të ma ruash fytyrën time?
Posi jo, i thotë ajo, tërë jetën!
Burri e përzuri nusen.
U martua për herë të dytë. Sërish e pyeti nusen:
A do ma ruash fytyrën?
Sigurisht që do ta ruaj, morë burrë, tërë jetën!
E përzuri edhe gruan e dytë.
Kur u martua për së treti, pasi ia bëri nuses të njëjtën pyetje, kjo ia ktheu:
Kurrë nuk do ta ruaj fytyrën tënde! Në mundesha ta ruaj fytyrën time, mjaft e kam! Ruaje vetë fytyrën tënde!
Kjo përgjigje e kënaqi burrin dhe e mbajti nusen.

f.353
Gruaja kthehet vonë në shtëpi. Kur hyn në dhomën e gjumit sheh në krevat dy palë këmbë. Mendon sëe është I shoqi me ndonjë dashnore. Merr një hu dhe u bie të dyve. Pastaj shkon në salon ku e gjen të shoqin duke fjetë në divan. Ai zgjohet dhe I thotë gruas që po flinte aty, pasi kishin ardhë prindët e gruas dhe ai I kish shpënë të flinin në dhomën e tyre të gjumit!

Vwllimi I tretw
Prishtinw 2021
f.29
Bukë e lang por në sofrën time
Një pasanik pajtoi disa punëtorë ndërtimi. Një ditë u përgatiti atyre një drekë të bollshme. Por, pas drekës, nisi të mburrej. I tha punëtorit më të vobegtë:
Hasan, tregomë drejt, a ke ngrënë ndonjë herë drekë si kjo?
Po, tha Hasani, kam ngrënë mbrëmë.
Qysh kështu?! Ҫfarë hëngre, a mund ta di?
Kam ngrënë bukë e lang në sofër time!

f. 30
Data e skadimit
Ҫfarë po e kqyr kaq gjatë çertifikatën tonë të martesës, o burrë?
Po përpiqem të gjej kur e ka datën e skadimit!..

f.16
Bëhu ti i vogël
E takon mësuesin e vet të dikurshëm njëri dhe e pyet:
A po më njeh, i ndeuar mësues?
Jo, të them të drejtën!
Qysh kështu, mësues, i përkas brezir X të nxënësve tuaj.
Po, ke të drejtë, por ka kaluar bukur kohë që atëhere.
Po habitem, vërtet!
Mos u habit fare, i dashur. Bëhu edhe një herë i vogël dhe atëhere do të njoh!

f. 66
Te farmacisti
Shkon një grua te farmacia dhe pyet:
Të lutem, më jep një dozë arsenik?
Pse?
Dua ta mbys tim shoq!
Ah jo, nuk e bëj dot këtë gjë pa recetë. Po, pse do ta mbysësh?
Sepse ai shkon më tët shoqe!- dhe gruaja i tregoi një foto intime.
Ashtu qenka puna! Pse nuk ma the që në fillim se e kishe recetën?

f.119
Nusja po flet shumë
U martua njëri me një vajzë, ndonëse asaj i ishte marrë goja.
E çon te specialisti nusen, pas martesës.
Doktor, bëni diçka që ime shoqe të mund të flasë!
Doktori e kqyri mirë dhe vendosi ta operojë. Nuses i erdhi zëri.
Dhëndërri, i gëzuar, u kthye në shtëpi.
Pas ca kohe, erdhi te doktori me nusen përsëri.
Doktor, të lutem, nusja po flet shumë. Të lutem bëj diçka që ajo të flasë më pak!
Jo, jo, nuk mundem ta bëj këtë gjë! Madje, nuk ka burrë që ia del dot kësaj pune!

f.124
Në u bëfsha unë vajzë e re
Shkon te një rrobaqepëse e vjetër një bari për të qepur gunën e shkepur gjatë punës në mal.
Të lutem, ma qep vendin e dëmtuar, ama guna të duket si ka qenë më parë!
Jo, nuk mundem dot ta bëj këtë, sikur edhe unë nuk bëhem dot vajzë e re!

f.160
E mira nuk duhet harruar
Dy shokë po udhëtonin për diku larg. Rrugës grinden keq dhe njëri e rreh tjetrin. I dëmtuari shkroi diçka në rërë. Vazhduan udhën. Do kalonin një lumë sipër një trau të gjatë. Por shoku I rrahur bie në lumë dhe do mbytej se nuk dinte not pot ë mose e shpëtonte shoku. Pas kësaj, ai shkroi diçka në një faqe shkëmbi.
Shoku u bë kureshtar:
Pse herën e parë shkrove mbi rërë kurse tani në faqe shkëmbi?
Sepse e keqja mund të harrohet ndërsa e mira jo!

f.163
Pse po rren, bre Dragë
E kam pasë, jo larg nesh, ne fshatin Gërlicë, një serb, si serbi- provokator. Nuk e hiqte nga kryet shapkën e vet, të cilës i vinte era nga larg. Ishte viti 1974 kur Kosova fitoi një autonomi më të zgjeruar. Im atë, Arifi, i thosh: Si je, Dragë? Mirë më thanë, gjegjej ai. Pse mirë me thanë, krejt në punë i ke, djemtë, vajzat, gruaja merr pension. Për ty nuk e di çfarë pensioni merr. Unë i kam nëntë vetë në familje e nuk marr pension, por gërmoj puse tërë ditën për të tjerët, merrem me bujqësi e bagëti.
Po unë kam qenë luftëtar, ia ktheu serbi.
Ha-ha-ha, çfarë luftëtari ke qenë, pash Zotin, Dragë! Mbase i mbretit, por jo i Titos, mos rrej!
Draga uli kryet dhe shkoi pas bagëtive.

f.164
Vajza e mençur
Një burrë e therri një viç, e pjeku dhe i tha vajzës të lajmërojë fqinjët e miqtë për drekë. E bija shkoi vërtet t’i lajmërojë njerëzit, por duke u thënë: Na ndihmoni, o vëllezër, i ka rënë zjarri shtëpisë!
Shumë vetë nxorën lloj lloj arsyesh për të mos ardhë, por disa erdhën.
I ati u habit, se mungonin shumë fqinj dhe të njohur që vinin shpesh te ai për dreka e darka. Kur miqtë u larguan, e pyeti vajzën, si ishte puna. E bija i tregoi të vërtetën. Plaku e kuptoi se cilët ishin miqtë e vërtetë dhe sa e zgjuar ishte vajza e vet.

f.214
Mësuesi i dobët
Një mësues, nga 28 nxënës, kish kaluar për vitin tjetër vetëm 7. Një fshatar vërejti: O mësues, një bari që po ruan 28 dele, vjen ujku ia ha 21 dele, çfarë bariu është ai?!

f.222
Kur hyn dhëndërri te nusja
Hamideja ishte dhënë pas celularit. E pyeti një shoqe:
Ҫfarë po sheh gjithë kohën në celular?
Po shoh një dasëm.
Po ti ke qenë në dasma të vërteta! Ҫfarë ka aty?
Është skena kur hyn dhëndërri te nusja, në dasmat e vërteta e shohim një herë këtë moment dhe ikim, kurse në celular e shoh sa herë të dua!

f.227
Pse të huajt nuk vishen si ne
I thotë Ismail Qemali Isë Buletinit, para se të shkonin në Londër:
Isë, hiqi tirqet dhe vishu si europianët! Kështu nuk bie në sy!
Pse, Ismail, ata europianët, kur vinë te ne, pse nuk veshin tirqet tona?!

f.240
Dy budallenj
Po ecnin bashkë dy budallenj. Shohin një shitore buke. Shkon njëri dhe blen bukë. Pastaj i thotë shokut: Po e gjete sa bukë kam blerë, t’i jap të dyja bukët!
f.263
Hamami i Hyrës
(si është e vërteta)
Hyrie Sulejman Shemsiu (1880-1929) nga Perlepnica. I shoqi quhej Hasan Hanuci, nga Karadaku. Bashkë drejtonin një hamam, të marrë me qira, nga 1900 deri 1912, në Gjilan, aty ku sot është biblioteka. Hamami kish dy ndarje, një për femra dhe tjetra për meshkuj. Kur ushtria turke u tërhoq, u largua edhe Hasani, pasi kish vrarë një serb dhe do ta përndiqnin. Hyria mbeti me djemtë, Mehmetin dhe Beqirin dhe vajzën Nebije. Mehmeti i vdiq 22 vjeç. Atëhere nisi ta ndihmojë një kushërirë, Lejla Shemsiu Llozana. Pas vdekjes së Hyries, Beqiri shkon në Shqipëri (1930) ku punon asi karrocier në Oborrin Mbretëror, duke bartur me pajton motrat e Zogut të Parë.
Hamami ishte i mirëmbajtur, i pastër.
Shprehja “shko te Hamami i Hyres” ka kuptimin “shko pastrohu nga këto mendime”

f. 277
Llojet e njerëzve
Një i ditur kishte dhënë këtë përgjigje:
Një lloj njerëzish i ngjajnë ushqimit, ke nevojë për ta gjithë kohën!
Të tjerë njerëz u ngjajnë ilaçeve, na duhen vetëm kur kemi nevojë për ta!
Të tretë u ngjajnë sëmundjeve, askush nuk ka nevojë për to, poe ato të ndjekin pas!

f.283
Nastradini nuk do të jetë prijës
Njerëzit donin ta bënin Nastradinin prijës dhe shkuan të marrin pëlqimin e tij.
Më falni pak, tha ai, sa të shkoj në nevojtore.
Kur u kthye, u përgjigj:
Jo, burra!
Po pse, Nastradin?!
Të betohem, provova me shti duart aty ku nuk duhet, por nuk munda. Me qenëse nuk munda t’i shtij duart, këtë s’e bëj dot as me hundët!

f.286
Mashtrimet janë të ndryshme.
Një burrë mashtrohej shumë herë. E qortuan për këtë:
Pse pranon të mashtrohesh disa herë?
Po, çfarë të bëj unë, kur mënyra e mashtrimit ndryshon nga hera në herë?!

f. 317
Kur ndahen vëllezërit
Kur ndahen anëtarët e një familje, vërehen tri gjëra:
Budalla bëhet i mençur.
Dembeli bëhet punëtor.
I sëmuri bëhet i shëndoshë.

f. 360
Kur bëhet më mirë?
Kur i forti ia din të dobëtit
Pasaniku skamnorit
I riu plakut

f.368
Po mbeti në klasë , do bëhet polic?
Udhëtonte një hoxhë në Kosovë me tren, në kohën e Jugosllavisë. Aty sheh dy policë me një qen.
Më falni, vëren hoxha, ju po udhëtoni për ndonjë punë, po qeni?
Po e çojmë në shkollë për t’u ba polic!- u tallën ata.
Mirë, po në se qeni nuk e kalon klasën? Do bëhet polic?!

f.379
Sa herë të gëzon miku?
Dy herë: kur vjen në shtëpinë tënde dhe kur largohet!

f.380
Si mund të bëhesh njeri i madh?
Kur blen shtrënjtë dhe shet lirë!

f. 384
Nastradini dhe shkencëtari
Një herë Nastradini ulet në sallën e një konference shkencore, ndonëse nuk dinte shkrim e këndim. Një shkencëtar, aty pranë, për ta tallur, i thotë:
Nastradin, sa larg gomarit je ti?
Një pëllëmbë, ia ktheu Nastradini!

f. 386
Si e ke emrin?
E pyetën njëri, si quhej. Ai tha:
Shuj.
Nuk po e kuptoj,,
Po ja, sa herë unë flas në shtëpi më thonë “Shuj”, “Shuj”, “Shuj”.
Konspektoi Bardhyl Selimi, 3 nentor 2021

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button