Kosova

Kurti: Problemi më i madh i Kosovës është Serbia, po vepron në Ballkan njësoj si Rusia

KOSOVË- Për kryeministrin Albin Kurti, problemi më i madh i Kosovës vijon të mbetet Serbia, pasi kjo e fundit vijon të këmbëngulë se nuk do të ketë njohje të Kosovës si shtet të pavarur. Në një intervistë për gazetën malazeze, Pobjeda, Kurti thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë ndryshuar, por vijojnë të mbeten të njëjta.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta, nuk janë as më të mira e as më të këqija. Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe pro Moskës. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme. Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta imagjinojë dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Serbia po vepron njësoj siç vepron Rusia me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Serbia i konsideron vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë e Veriut, si shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësisë e tyre.

Serbia po sillet si Rusia në fqinjësinë e saj në Ballkanin Perëndimor, po përpiqet ta kthejë Republika Srpskan në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, madje edhe Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ta shkatërruar shtetësinë e tyre”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës thotë se e mirëpret angazhimin SHBA-së në Ballkan, ku thekson se qeveria po punon ngushtë me administratën e Joe Biden. Ai thotë se prania etrupave të SHBA-së në rajon tregon përkushtimin e SHBA-së ndaj Kosovës, por edhe faktorë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Europë.

“Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, por vetë Shtetet e Bashkuara vendosin për llojin dhe intensitetin e këtij angazhimi. Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën e Presidentit Biden për ta forcuar demokracinë, për t’i zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe për ta thelluar miqësinë për të garantuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës për Kosovën dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen në rajon dhe Evropë”, deklaroi Kurti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button