Lajme

Banka Botërore: Shqipëria i rezistoi krizës ekonomike nga pandemia, por…

Shqipëria i rezistoi mirë krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, por për Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, e rëndësishme është të shkohet përtej shifrave makro.

“Treguesit makroekonomikë japin, në rastin më të mirë, një pasqyrë shumë të përgjithshme të situatës. Nga njëra anë, po, është mirë të shohim këto tendenca pozitive makroekonomike, por, nga ana tjetër, ne e dimë se ka pasur ndikim të lartë në sigurimin e jetesës dhe se ka shumë njerëz që kanë vuajtur këto kohë të vështira”, thotë ai në një intervistë për “Monitor”.

Z. Salinas shton se, sidomos pas pandemisë, është e vështirë të parashikosh të ardhmen, ndërsa bën thirrje që të gjithë duhet të tregohemi të përgjegjshëm në këtë situatë. Ai është skeptik edhe për efikasitetin e projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PBB) në Shqipëri.

Intervistë me Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së saj?

Mendoj se krizat dhe vështirësitë e fundit kanë treguar qëndrueshmërinë dhe shpirtin sipërmarrës të popullit shqiptar. Nëse marrim parasysh treguesit kryesorë ekonomikë, si rritja e PBB-së, mund të shohim se ekonomia është rikuperuar ndjeshëm në vitin 2021 (deri në 7.2%). Ne konstatojmë dhe tregues të tjerë, që sugjerojnë gjithashtu një rimëkëmbje të shpejtë.

Nëse fokusohemi në aspektin pozitiv, në fillimin e pandemisë, qeveria veproi shpejt dhe në mënyrë vendimtare për të mbështetur jetët dhe mjetet e jetesës, duke luajtur rol kyç për të ndihmuar ekonominë që të përballonte bllokimet fillestare.

Më pas, normalizimi relativisht i shpejtë i aktivitetit ekonomik mundësoi rikuperim të fortë. Shqipëria u rihap për turizmin. Aktiviteti domethënës i ndërtimit – përfshirë edhe rindërtimin pas tërmetit të 2019-s – ka ofruar mbështetje thelbësore për ekonominë.

… Por sa herë që flasim për shifra të mira makroekonomike, jam shumë i vetëdijshëm se ka shumë realitete dhe histori individuale që nuk reflektohen në ato përqindje. Jam shumë i vetëdijshëm se shumë njerëz mund të thonë “si mund të flasësh për rritje ekonomike, ose rimëkëmbje, kur unë humba punën time, ose djali im duhej të mos shkonte më në shkollë, ose vajza ime duhej të mbyllte biznesin e saj, apo babai im duhej të largohej nga vendi për të gjetur një punë jashtë vendit”.

Jam i dyzuar për këtë, sepse treguesit makroekonomikë japin, në rastin më të mirë, një pasqyrë shumë të përgjithshme të situatës. Nga njëra anë, po, është mirë të shohim këto tendenca pozitive makroekonomike, por nga ana tjetër, ne e dimë se ka pasur ndikim të lartë në sigurimin e jetesës dhe se ka shumë njerëz që kanë vuajtur këto kohë të vështira.

Për çdo tregues të mirë makroekonomik publik ka shumë histori vështirësish që nuk do t’i lexojmë kurrë në lajme. Është e rëndësishme të mos ngushëllohemi shumë nga treguesit makroekonomikë dhe të kujtojmë se ka shumë për të bërë për të siguruar prosperitet të përbashkët për popullin shqiptar.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?

Niels Bohr thoshte se “parashikimi është shumë i vështirë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për të ardhmen”. E vetmja gjë që dimë me siguri për vitin 2022 është se, ne në fakt, nuk e dimë se si do të shkojë.

Ne nuk e dimë se si do të funksionojë ekonomia, si do të zhvillohet pandemia, si do të ndikojnë tendencat e ndryshme në ekonominë globale dhe lokale, si do të evoluojë gjeopolitika, ose sa nga pasojat e ndryshimeve klimatike do të materializohen – dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut të paditurive tona. Por sigurisht që ka shumë gjëra që ne nuk i dimë dhe i shpërfillim (të panjohurat e famshme të panjohura).

Tani, duke kaluar në një nivel më pak filozofik, ndërsa askush nuk mund të parashikojë të ardhmen (të paktën askush që unë e njoh apo i besoj), ne e dimë se ka rreziqe specifike që, nëse materializohen, do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonomi.
Disa nga këto rreziqe mund të zbuten (për shembull ne mund të zbusim rreziqet e tregjeve financiare globale të pafavorshme nëpërmjet menaxhimit strategjik të borxhit publik) dhe disa rreziqe nuk mund të zbuten, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për t’u marrë me to (për shembull përmirësimi i infrastrukturës për të zvogëluar ndikimin e përmbytjeve dhe investimet në ujitje për të zbutur ndikimin e thatësirës në bujqësi).

Është e rëndësishme të përmendet se kur mendojmë për ekonominë, shpesh supozojmë se qeveria është përgjegjëse për të, shpesh duke shpërfillur atë që mund të bëjmë ne si individë. Për shembull, nëse shqetësohemi për ndikimin e pandemisë në ekonomi, ne të gjithë kemi përgjegjësinë dhe fuqinë për të kontribuar në këtë, duke u vaksinuar dhe duke respektuar masat bazë të sigurisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button