Bota

Presidenti Biden: Pushtimi rus në shkurt, mundësi e dukshme

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden paralajmëroi të enjten presidentin e Ukrainës se ekziston një “mundësi e dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt. Kremlini gjithashtu paraqiti një pamje të zymtë, duke thënë se shihte “pak vend për optimizëm” në zgjidhjen e krizës, kjo pasi SHBA-ja këtë javë, refuzoi sërisht kërkesat kryesore të Rusisë.

Zyrtarët rusë thanë se dialogu ishte ende i mundur për t’i dhënë fund krizës, por Presidenti Biden ofroi një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se Presidenti rus Vladimir Putin, do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët.

Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.

“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt“, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë“, shtoi ajo.

Rusia: Pak vend për optimizëm për lehtësimin e tensioneve

Më herët të enjten Rusia tha se kishte “pak vend për optimizëm” për zbutje të tensioneve në Evropën Lindore pasi siç thanë autoritetet e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e saj që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet në NATO dhe që Perëndimi të tërheqë trupat dhe armatimet nga vendet në kufi me Rusinë.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj “nuk ishte pozitive”, por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në “fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore”. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat kryesore të Moskës duke i quajtur ato si të papranueshme.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se dokumenti që SHBA-ja i dorëzoi Rusisë: “përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tanë në lidhje me veprimet e Rusisë që minojnë sigurinë- një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve që Rusia ka ngritur, dhe propozimet tona për çështjet ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ndërsa përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë, vazhdimisht e ka paralajmëruar Rusinë se Perëndimi do të vendosë sanksione ekonomike të ashpra kundër saj, nëse sulmon Ukrainën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button