Kosova

Ngatërrohet dokumentacioni, dy viktima të COVID-19 varrosen gabimisht në Prizren

Dy viktima të COVID-19 të cilët kishin qenë të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK janë varrosur gabimisht në Prizren.

Krejt kjo ka ndodhur për shkak të përzierjes së dokumentacionit mjekësor të pacientëve.

Ndërsa, të dy viktimat më pastaj janë zhvarrosur më pas.

Zëdhënësi i Policië në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka treguar për Express se për rastin janë arrestuar dy punëtorë të kompanisë që bën bartjen e viktimave.

Ndërsa, ai ka treguar se kompania ka qenë e autorizuar që të bëjë zhvarrosjen e viktimave.

“Këtë punë e ka kryer kompania e cila ka qenë e autorizume për bartjen e tyre. Janë zhvarros është njoftu prokurori i shtetit dhe lidhur me këtë rast janë dy persona të arrestuar të kompanisë. Ata janë arrestuar mbrëmë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë treguar për Express se dyshohet se është përzier dokumentacioni mjekësor i pacientëve të cilët kanë vdekur në Klinikën Infektive.

Nga SHSKUK kanë thënë se menaxhmenti i Infektivës bashkë me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me rastin.

“Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sqaron opinionin, se menaxhmenti i klinikës është njoftuar në lidhje me mundësinë e përzierjes së dokumentacionit mjekësor të pacientëve që kanë përfunduar me vdekje në këtë klinikë. Menaxhmenti i Klinikës Infektive bashkë me organet kompetente, Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet tutje nga ky shërbim.

Se mund të jetë përzier dokumentacioni mjekësor i pacientëve, e ka pohuar edhe drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

Ai ka thënë për gazetën se mbrëmë nuk ka qenë në punë, andaj edhe sot është duke e bërë një raport në lidhje me atë se çfarë mund të ketë ndodhur.

Kujtojmë që dje u raportua për forca të Policisë së Kosovës pranë objektit të Klinikës Infektive.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se me rastin tashmë është duke u marrë Komuna e Prizrenit për shkak se viktimat janë varrosur në këtë komunë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button