KosovaLajmeOpinione

Fale redaktorit Andri Dushi, sot me 17 shattor 2022 shkrimi kryesor ne dy faqe i eshte kushtuar levizjes esperantiste ne Shqiperi ku eshte edhe intervista ime lidhur me kete.

Si iu qas Shqipëria esperantishtes pas 1944?

Shqiptarët, në fund të 1944, përjetuan vendosjen e shtetit totalitar komunist. Kështu ndodhi edhe me lidhjet e tyre me jashtë dhe njëri- tjetrin. Nuk bëhej fjalë për organizata të pavarura jo qeveritare. Esperantistët që ekzistonin si Ing. Ҫefo Fico, Dr. Hamdi Sulçebe, Cuk Simoni, Mikel dhe Ëilhelm Koliqi, Janko Pali etj, u mbyllën në profesionet dhe shtëpitë e veta. Njëri, Dom Lazër Shantoja u arrestua në fillim të 1945, u torturua mizorisht dhe u ekzekutua, MIkel Koliqi u burgos, jo kryesisht për esperanton por si klerik antikomunist. Pas 1990 zoti Koliqi u emërua kardinal.

Ing. Ҫefo Fico, falë lidhjeve profesionale me Spiro Kolekan, politbyroist, njohës i esperantos, “hapi” një klub të esperantos në Ministrinë e Ndërtimit, kiu iu bashkuan kolegë si Doc. Vasil Pistoli, Gafur Muço e të tjerë, përpiloi një dispencë që qarkulloi ndër studentët e kohës, madje hapi edhe një kurs për mësimin e gjuhës në fjalë te ish Shtëpia e Kulturës “Ali Kelmendi”.

Esperantistët kishin vështirësi me korrespondencën me jashtë pasi kjo i bënte të dyshuar në sytë e sigurimsave. Madje Zef Mjedës, Shaban Hasanit u është tërhequr vërejtje për këtë, ndërsa Stathi Qeaf iu përdor në akuzën si “agjent”, vdiq në burg. Por, deri sa Shqipëria ishte në miqësi me Kinën Popullore, ata abononin revistat kineze në esperantisht (El Popola Ĉinio- Nga Kina popullore), ato vietnameze “Vietnam antaŭen marŝas”- Vietnami ecën përpara etj që sigurisht përçonin propagandën komuniste të shteteve të tyre. Masdje na vin falas veprat e Mau Ce Dunit, Ho Shi Minh-it në esperantisht!

Ka ndodhur edhe një skandal: pasi Vasil Pistoli përktheu një libër të shkurtër për Skënderbeun hartuar nga prof. Kristo Frashëri dhe e botoi atë më 1967, një sekretar partie urdhëroi ta dërgonin librin për karton duke arsyetuar se është shkruar në një “gjuhë gabelsh”, shenjë e plotë injorance! Megjithatë, u arrit të krijohej një film dokumentar për Gjirokastrën me folës në esperantisht, nga Gafur Muço dhe Vasil Pistoli.

Pati përpjekje nga esperantistë të huaj ta vizitonin Shqipërinë, si një çift francez që u takua me z. Luan Jaupi në Durrës, një zonjë nga Zagrebi nuk arriti ta merrte vizën hyrëse në Shqipëri.

· Po pas 1990 a u vijuaa tradita esperantiste?

Sigurisht! I gjithë vendi mori frymë dhe u hap plotësisht ndaj botës së jashtëme. U ringritën institucionet fetare, lindën shumë organizata jo qeveritare. Në këtë linjë u formua në maj 1991 edhe Lidhja Esperantiste Shqiptare (Albana Esperanto-Ligo) me dekret të ish Ministrisë së Kulturës. Vasil Pistoli, Zef Mjeda, më vonë Bardhyl Selimi, Gjergji Gusho, Agim Peraj hartuan dhe botuan libra mësimi për gjuhën. U ngritën kurse me studentët në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, në Shkollën Pedagogjike, në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Shkollën teknologjike, në shkollën “De Rada” , në Institutin e Nxënësve me aftësi të kufizuara shikimi në Tiranë, etj në Tiranë; po ashtu në gjimnazin “Skënderbeu” në Durrës nga Luan Jaupi, në gjimanzin e Pogradecit nga Gjergji Gusho; në shkollën fillore në Shkodër nga Zef Mjeda, në gjimnazin e Kukësit nga Nehat Sokoli, në shkollën tetëvjeçare të Lezhës nga Agim Peraj.

Nisën shkëmbimet e vizitave me esperantistët e huaj në Itali, Bullgari e gjetkë. U krijuan dy shoqata të rinjsh esperantistë në Tiranë dhe në Durrës. Të rinjtë tanë vizituan Kroacinë, Bullgarinë. Lidhja Esperantiste u anëtarësua në Organizatën Botërore të Esperantos. U krijuan edhe seksione mësuesish, mjekësh etj esperantistë.

Në vitin 2013 Shoqta jonë u njoh si person juridik nga Gjykata e Tiranës.

U përkthyen libra nga Esperanto në shqip dhe nga shqipja në Esperanto.

Rreth 50 gjimnazistë u dërguan gjatë viteve 1997-2007 në një shkollë të lartë për turizëm dhe kulturë ndërkombëtare në Bidgoç (Bydgoszsz) të Polonisë ku 30 morën bakalaurin dhe dy magjistrin. Në atë shkollë Esperanto ishte njëra nga gjuhët e studimit.

Pas heqjes se vizave për shqiptarët në fund të 2010, ra interesi i të rinjëve për esperanton që më parë e përdornin edhe si një mundësi për të shkuar jashtë. Kështu kurset u rralluan, por nga ana tjetër interneti krijoi mundësi të papara për ta mësuar edhe esperanton me programet Duolingvo, Lernu.net. etj.

Shoqata nxjerr rregullisht një revistë dymujore në dy gjuhë ku ka edhe shumë artikuj për Shqipërinë dhe pjesë letrare.

Që nga viti 2000 Shoqata ka vendosë lidhje më shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, ku më parë ka pasë esperantistë.

Arritje e madhe janë përkthimet dhe botimet në esperantisht të dy romaneve të Fatos Kongolit “Lëkura e Qenit” dhe “I humburi”, “Parrullat me gurë” të Ylljet Aliçkës, “Funerali I Pafund” i Visar Zhitit”, poezitë e Luljeta Lleshanakut, poezitë e Sali Bashotës, Eqerem Bashës, romanet “Gjarpijt e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat” të Adem Demaçit, romani “Koha e Dhive” I Luan Starovës. Esperantisti më i ri, 16 vjeçari Juri Andoni vitin e kaluar përktheu dhe botoi librin “Arne- i biri i kryetarit” të shkrimtarit esperantist suedez Leif Nordenstein.

Janë përkthyer edhe romane të Ismail Kadaresë si “Pallati I Endërrave”, etj, poezitë e Mimoza Ahmetit, Flora Brovinës, tregimet e Adil Ollurit.

Pra, të paktën për Shqipërinë mund të themi se kemi një rritje të interesimit për esperantos në krahasim me paraluftën e parë dhe dytë botërore (Esperanto doli më 1887).

4. Shoqata e Esperantisteve Shqiptare si funksionon? Kush jane anetaret dhe, a ka lidhje me shoqata simotra ne bote? Nese po, si i ka ndertuar dhe i mban keto lidhje?

Sikurse e përmenda më sipër, Shqipëria është në krye të listës së vendeve antare të Organizatës Botërore të Esperantos (Universala Esperanto- Asocio).

Ajo ka statutin e vet, anëtarësinë aktive dhe jo aktive (e kam fjalën për qindra ish kursantë të gjuhës, që jeta i ka përplasë andej këndej brenda dhe jashtë Shqipërisë), kryesinë (kryetar është Ing Shaban Hasani, unë jam sekretari). Sipas mundësisë, ne marrim pjesë në kongreset vjetore të UEA që zhvillohen në shtete të ndryshme, po ashtu në konferencat e degëve dhe shoqatave profesionale (mësues, ingjinierë, fetare, rinore, studiueses, mjekë, jurist). Herë pas here shkruajmë artikuj në shtypin vendas dhe të huaj, bëjmë intervista në televizone dhe radio, tani përmes internetit edhe në tubime ndërkombëtare.

· Gjatë me teper se nje shekulli ekzistence, ne nje vleresim nga njeshi ne dhjete, sa mendoni se ja ka dale esperantishtja te ndikoje ne njohjen e ndersjellte te kulturave dhe a ka pasur Shqiperia e esperantistet shqiptare ne rol ne kete “mision”? Nese po, cilin?

Nuk mund të përgjigjem në këtë mënyrë sikurse e kërkoni ju. Por mund të them se edhe përmes esperantishtes jemi përpjekur të marrim e të japim nga kulturat e huaja.

Psh. Kur përktheva dhe botova veprën “Shteti totalitar” të ish presidentit bullgar Zheliu Zhelev, vetë mësova shumë por edhe lexuesit shqiptarë, për ngjashmëritë e jashtëzakonshme midis shteteve fashiste dhe komuniste. Ose kur zoti Pistoli përktheu dhe botoi veprën “Realizmi I Ri” (Nova Realismo) të Bruno Vogelmann, ish sindikalist I burgosur në kampet naziste, mësuam shumë për realitetet e reja pas luftës së dytë botërore (borxhet kombëatre marramendëse, rrugët e kapërcimit të krizave ekonomike etj).

Ose të marrim Cuk Simonin, që shkroi në origjinal esperantisht një Histori të Shkurtër për Skënderbeun dhe shqiptarët dhe e botoi atë në vitin 1929 në shtypshkronjën “Gutenberg”. Libri qarkulloi nëpër Europë si një “pasaportë” apo “udhërrëfyes historik” për shqiptarët. Një kopje të tij ma dërgoi nga Skocia një mik esperantist. Unë e përktheva atë në shqip pas vitit 2000 dhe e botova. Edhe sot ai është një libër I këndëshëm me 14 kapituj sidomos për të rinjtë. U përpoqa ta ribotoj në esperantisht për publikun e huaj por nuk gjeta sponsor.

Romanet e Fatos Kongolit kanë ndriçuar historinë më të re të Shqipërisë jo vetëm në versionet e tyrë të gjuhët kombëtare ku është përkthyer por edhe në esperantisht, në gjuhën jo kombëtare asnjanëse.

Po ashtu tregimet e Ylljet Aliçkës, të cilat, nga versioni në esperantisht një miku im në Alzasë të Francës i përktheu në gjermanisht dhe një shtëpi botuese në Kubë i botoi për herë të parë në gjermanisht. Në këtë rrugë ka mundësi të ecet edhe për versionet e tij në rusisht dhe kinezisht.

Interesante është rasti me librin “Adem Demaçi në 34 gjuhë” që doli vitin e kaluar në Prishtinë. Një sprovë tri faqesh me titulin “Burgjet e mia- fati im i madh” shkruar nga Baca Adem u përkthye nga esperantistët në botë në gjuhët e tyre amtare. Në kinezisht madje në tri versionet e saj, zyrtar, taivanez, dhe të diasporës. Me këtë rast, heroi i Kosovës u bë i njohur nga Zelanda e Re në Alaskë dhe nga Kili në Kamçaktë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button