
SIKUR….
Sikur të thërrisja vitet që mu larguan
E toka të mblidhej një grusht i butë
Do të vizatoja portretin tënd
Të nxirrja prej aty
Por, a do të mund?!
Sikur të bëhesha erë e aty të mbrija
Ku ti thurr vargje plot melodi
Do të puthja aq lehtë
E do besoja
Se era sundon çdo njeri!
Sikur të isha zog në rrugën tënde
Do fluturoja si e marrë
Ti i habitur do më prekje pendet
Do hiqje gjilpërën magjike
E do pyesje:
Kush të solli vallë?
Sikur..sikur një ditë të jetë ndryshe
Vetëm një ditë në jetë
Do strukesha në zemrën tënde
Në dashurinë që më vret…
LERMË TË QETË…
O botë që egër hedh shikimin, pa ditur pse, pa ditur ku?
Përse ma prek e rrit trishtimin, kur unë i shoh sytë e tu
Në jetë kam ecur e menduar në një kuadrat për regullsi
E ti prap vëngër më ke vështruar të mos kërkoj aspak liri
Paçka se hiqesh zonjë e madhe dhe ndodh të qeshësh kur ti do
Edhe kur sytë e vdekjes ngjalle, qeshe me lotët që dha ajo
U rrita në një prehër jete me dashuri nën erë dhe shi
Por, ajo streh dhe pse brinjëthyer ty botë nuk të kish zili
Do desha të rendja pa pyetur në rrugë e shtete pa kufi
E krahët të nderja nder dete e frymën ta gjeja tek ti
Por e gabuar tjetër kohë mu shfaq nga ty, o botë e marrë
Përse s’më le të qetë në kohë, k’të liri kurrë s’e kam parë
Unë jam thjesht qeliza jote, që sot ec rrugëve nën shi
E ndalem kur shoh ditë pranvere, ku gjej pak, pak lumturi
Një ditë nga ty do të largohem por e penduar nga kjo jetë
Ti botë që sundon në shekuj çdo zemër të lutem lere të qetë
Se Zoti desh që tek ty mbrita, me sy si qielli plot kaltërsi
Vështrimi Botë tek ty e rrita por jo pa lot mes reve gri
I vetmi që i dha dritë syve ishte për mua veç një Zot
Në emër të tij, më lerë të qetë që mos të derdh kurrë lot
Një ditë e ti do jesh krejt ndryshe, kur qielli re mos të ketë
E toka të rrit gjelbërimin e çdo qelizë e lirë të jetë
Do qeshin fëmijët nëpër parqe e zogjtë mbushur cicërim’
Njerëzit e zogjtë e gjithë qiellit do kenë të tyre lirinë.
PËRHERË NDRYSHE…
Kjo zhurmë rrugullisjeje nuk largohet
Dhe kur qëndroj në majë të malit
Apo nën streh të natës
E tillë ka vite që jeton tek unë
Askush nuk e ndali,s’mundi dot
As kujtimet, dashuria apo urrejtja
Përherë ndryshe mbrin ndjenja
E spërkatur shumë herë nga vetvetja
Pa lënë hije që dikush të ulet
Vetëm gënjeshtra vishet bukur
Por, s’mund të largoj ligësinë
Në sytë e kohës që më mban
Fjala “Të dua!”, më vjen papritur
E skeletosur , mbuluar me gjethe vjeshte
E dimrit i shoh lakuriqsinë
Kështu e bindur vesh vetminë
Një pelerinë me fije shpirti
E s’lë askush atë ta prek…
E ledhaton me rreze Hëna
E vetmja mike që e dua
Një miqësi që kurrë
S’të vret!
NJË NËNË E VETMUAR
Si pema e dalë rrënjësh, hedhur nga rrjedha
Qëndron duke pritur një dorë ta ngre
Po rrënjët shpërndarë mbeten në Diell
Pengu i një jete të mjerë nën re
Ku janë fëmijët?
Ku është dritë e ditës?
Ku është këngë e mbrëmjes?
Ka vite që më kjo nënë nuk i dëgjon
Me zemër të vrarë kaq shumë nga vetmia
Jetën e saj zë mallkon…
Si natë e verbuar, pa Hënë dhe pa yje
Ndjen gjoksit gërhitje që çjerr
Me duart që zgjat mëngjesit në lindje
Pret rrezja mbi fytyrë t’i bjerë
Ta ngroh agimi
Agime dhuroi
Fëmijëve një jetë nëne dha’
Tani, krejt e vetme qëndron në prag dere
Dhe pret e malluar ata…
Kaluan muaj dhe vite kaluan
Errësira i mbulon sytë
Një zë vjen nga larg”Nënë më prit!”
Po sheh më në fund ajo dritë…
Një nënë e vetmuar largon mjerimin
Me zërin e birit dritëplotë
Një tingull, një fjalë troket sot qiellit
Dhe fshin fare lehtë kaq shumë lot…
Si pema dalë rrënjësh, hedhur nga rrjedha
Tek pragu i derës, pret birin ta ngre
Lut Zotin për lajmin që mbrin nga larg
Dhe ndihet një nënë e re.
KJO DHIMBJE
Kjo është dhimbje…është mohim i bukurisë
Ta shkel, nuk mundem nuk kam forcë, jam mpirë
Zhurma e djeshme orëve kur qëndronim tok
Po fle, mbuluar, me krahët e shtrirë nxirrë
Zgjoje!, të them…ç’është ky gjumë i gjatë
Ku janë fjalët, cicërimat në pranverën e lulëzuar
Shpirtrat, me mijëra shpirtra pse ngjitur qiellit janë
Mos toka ku u lindëm nga mëkatet është rënduar?!
Ti hesht, më vështron ftohtë, shikon qiellin lart
Yje nuk ka, errësira këtë mbrëmje mjerimi ka sunduar
Atëherë brenda vehtes trokas me forcë shpirti trokas
Kërkoj patjetër të ndjejë të djeshmen të jet’ zgjuar
Në dhomë jam e vetme në këtë mesnatë pa gjumë
Më zhurmon e djeshmja në mëndje dhe shpirt e kam
Tek vetja e kërkoj ta shoh, por më kot, ethet vërshojnë
Qelizat e lëkurës shpojnë si unë të pafuqishme janë
Ato zëra jete, ato buzëqeshje fëmijësh, atë kaltërsi
Kush , kush egërsisht nga e sotmja tokës, qiellit ia ka larguar
Të moshuarit përloten mbyllur shtëpive në vetmi
E lusin Zotin, mos të vdesin para se malli t’i ketë verbuar
Jeta dhe vdekja janë tashmë aq shumë pranë
Sa harron loti, lotin tjetër mbi faqe të përcjell
Një virus përbindësh përhapur mbi tokë si kasapanë
Vrapon nëpër shtete, pa mëshirë, vdekje mbjell
Mos është ky mallkim sepse mëkatet u përhapën
Tek të gjithë, kush më pak e më shumë pa njohur kufi
E mbeti fjala e bekuar e Zotit në sy të diellit duke vështruar
Këtë mjegull ligësie, pabesi që po rritej nga djalli i zi
Rrugët janë pa jetë, shoh ndonjë pemë të përkundet
Mbi asfalt dhe gjurmët e kohës askund nuk duken më
O Zot! Ngre sytë e përlotur qiellit e bërtas se ndofta ëngjëjt
Këtë lutje përcjellin si miljona botës, me lot dhe plot zë
Harrove gjithçka njeri, grua, familje, fëmijë e miqësi
Mendove se me milionat grabitur në jet’ turbulluar
Kishe gjetur Parajsën dhe mund të sundoje gjithësinë
Harrove se kishe ardhur në jetë nga Krijuesi për t’u larguar
Lotët e të mjerëve e mbuluan qiellin nga varfëria
Lotët e kripur të nënave i thanë pemët e lulet në jetë
Ku u shkoi vajza, djali, ku shkoi respekti, dashuria
Jetë aventurë, vrasje,dhunë,luftë, çdo gjë e shkretë?
Diku në mes errësirës qiellit shikoj një dritë që vjen
Përhapet deri tek mëndja ime e lodhur kaq shumë sot
Mos Zoti që gjithçka shikon na mëshiron e po vjen mes nesh
Për një shpresë të re, jetë, pa luftra, sundime dhe lot?!
Hap derën e dhomës, hap dritaren, ndez dritat radhë
Kjo mbyllje ka mpirë ëndrra, këngë por jo mirësi
Atë e sjell për tu rilindur e pastër jetë e re mbi tokë
Me forcën e vetme, në çdo zemër vetëm Ti Perëndi!