LajmeRajoni

Policia e Vuçiqit ndalon edhe një politikan serb në Merdar, nuk i lejohet të hyjë në Serbi

Kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka deklaruar se sot rreth mesditës është ndaluar në mënyrë të ngjashme si Rada Trajkoviq në vendkalimin kufitar në Merdar dhe se pjesëtarët e Policisë së Serbisë nuk e kanë lejuar të hyjë në Serbi nga territori i Kosovës.

Bogdanoviq ka deklaruar për “N1” se e kishin nxjerrë nga autobusi që qarkullonte në linjën Graçanicë-Beograd dhe se policët i kishin dhënë dy mundësi, të priste vendimin për të në vendkalim ose të kthehej në Kosovë.

Mu afruan pjesëtarë të policisë, ishin shumë profesionistë, më thanë që duhej të dilja nga autobusi dhe të nxirrja edhe gjërat e mia. Me mua udhëtonte edhe Marija Iliq, drejtoresha politike e ‘Odgovor’, e cila u solidarizua me mua dhe doli nga autobusi. Në ambientet e policisë më kontrolluan sendet e mia, pa presion. Më thanë se kishte një urdhër që të isha këtu, pa shpjeguar pse. Kjo është e njëjta mënyrë si është arrestuar edhe Rada Trajkoviq”, ka thënë Bogdanoviq,

Ai deklaron se do të qëndrojë në ambientet e policisë në vendkalimin kufitar, pasi siç thotë, se Serbia është atdheu i tij, nuk mendon të kthehet në Kosovë dhe se po i mohohet e drejta themelore e njeriut për lirinë e lëvizjes.

“Arsyeja e ndalimit tim në vendkalim është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv. Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”, tha Bogdanoviq.

Ai vlerësoi se ndalimi i tij është “revanshizëm politik ndaj kujtdo që kundërshton politikën e Beogradit zyrtar”.

Bogdanoviq theksoi se ka probleme me disa sëmundje dhe se për secilin rast është dashur të thirrej ekipi mjekësor i urgjencës.

“Do të pres që shërbimin e urgjencës të bëjnë ekzaminimet dhe më pas do të flas me një nga efektivët e policisë ose të Agjencisë Serbe të Sigurisë. Kjo është e njëjta torturë si me Rada Trajkoviqin. Kështu mund të mbahem maksimumi 28 orë”, ka përfunduar Bogdanoviq.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button