KosovaLajme

KFOR shton praninë e forcave në veri të Kosovës

Shtimi i trupave të KFOR-it në veri u bë pasi grupet djathtiste nga Serbia organizuan një protestë në anën serbe të kufirit me Kosovën në Jarinje dhe tentuan të hynin në Kosovë.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar prezencën në veri të Kosovës. Por jo vetëm vazhdimi i bllokadës në rrugët kryesore të organizuar nga serbët lokalë është arsye për këtë.

Shtimi i konsiderueshëm i trupave të KFOR-it u bë pasi grupe nga Serbia organizuan një protestë në anën serbe të kufirit me Kosovën në Jarinje dhe u përpoqën të hynin në Kosovë, por u ndaluan me dhunë nga policia e Serbisë. Protesta u organizua nga grupe djathtiste nga Serbia.

KFOR bën thirrje për heqje dorë nga provokimet.

“Pas koordinimit me të gjitha palët, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Jarinje për arsye të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, thuhet në njoftim të KFOR-it.

“Është gjithmonë e rëndësishme që të gjithë personat që marrin pjesë në një protestë të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur dhunën joproporcionale, qëndrimet dhe sjelljet agresive që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë të panevojshme”, thuhet më tej në njoftimin e KFOR-it.

Sipas forcave paqeruajtëse, “KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurt për të garantuar dhe lirinë e lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu forcat paqeruajtëse KFOR, kanë bërë ditur se në ditët në vijim ata do të kryejnë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës në Novosellë në veri. “Stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.

Njoftimi i KFOR-it për këto stërvitje në veri të Kosovës, vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës që po pengojnë lirinë e lëvizjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button