
Në fund të këtij muaji, Republika Çeke përfundon presidencën e saj të radhës me Bashkimin Evropian. Krahas luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor ishte gjithashtu në krye të axhendës së këtij vendi.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord për dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Tani, Suedia, vendi i radhës i Presidencës së BE-së, që merr kryesimin me 1 janar deri me 30 qershor, përcaktoi katër qëllime.
Ato janë ruajtja e unitetit evropian dhe forcimi i sigurisë, tranzicioni i gjelbër, politika energjetike, pastaj forcimi dhe ruajtja e konkurrencës evropiane dhe rëndësia e vlerave evropiane, demokracia dhe sundimi i ligjit.
Për rezultatet e Presidencës Çeke, nëse ka vullnet për të mbajtur zgjerimin lart në axhendën e BE-së, si dhe cilat duhet të jenë prioritetet në procesin e anëtarësimit me rajonin, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Martin Košatka, ka dhënë intervistë për portalin ‘European Western Balkans’, transmeton RTK.
Ai tha se gjithçka ndryshoi me agresionin rus kundër Ukrainës.
“Ne duhej të bënim korrigjime vërtetë të rëndësishme në prioritetet e Presidencës sepse duhej të merreshim me çështje si ndihma për Ukrainën, sanksionet ndaj Rusisë apo situata në sektorin energjetik të Bashkimit Evropian. Këto probleme u shfaqën dhe ne duhej t’i inkorporonim si prioritetet më të larta të Presidencës”, tha Košatka në këtë intervistë nga Praga .
Por megjithatë, ai tha se Ballkani Perëndimor mbeti prioritet ashtu siç ishte planifikuar para agresionit rus në Ukrainë. “Në fakt, ne kishim tre synime kryesore konkrete për Presidencën”, sqaroi ai.
“Së pari, kemi pasur një samit të mirë BE-Ballkani Perëndimor – i mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë. Si Bashkimi Evropian, jo vetëm që kemi rikonfirmuar angazhimin tonë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por kemi bërë thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Kemi mbajtur IGC me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bosnja dhe Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit për antarësim në BE kurse Kosova liberalizimin e vizave. Për më tepër, Kosova ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE”, rikujtoi numri dy i diplomacisë çeke.
Kohë më parë, ambasadori çek në Serbi, pati deklaruar se një nga qëllimet e Presidencës çeke ishte hapja e një grupi temash për negociata me Serbinë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, por kjo nuk ndodhi.
Në këtë pikë, zëvëndësministri Košatka shpjegon arsyen.
“Jo, për fat të keq, nuk ka pasur një debat të vërtetë për këtë. Sigurisht, gjithmonë keni disa diskutime teknike. Por, të them të drejtën, atmosfera nuk është e favorshme për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë”, shpjegoi ai, duke rikujtuar së paku tre arsye.
“E para, nuk ka përparim në fushën e sundimit të ligjit. E dyta, nuk ka përparim në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë. Dhe e treta është niveli shumë i ulët i harmonizimit të politikës së jashtme serbe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ky është një problem madhor që po bëhet gjithnjë e më i madh”, tha ai.