LajmeShqiperia

Gripi në Shqipëri, mjeku: Po qarkullojnë intensivisht dy viruse

Në javën e fundit të muajit dhjetor, gripi stinor po qarkullon intensivisht në vendin tonë por ekspertët e shëndetit publik thonë se piku i tij pritet të jetë në fund të muajit janar dhe fillimin e muajit shkurt.

Në një prononcim për Gazetasi.al, eksperti i shëndetit publik Artan Simaku tha se nga sistemi i survejancës në ISHP, raportohet për afro 12 mijë të sëmurë në javën e fundit.

Simaku tha se aktualisht qarkullojnë dy viruse gripi, gripi i tipit A me nëntipet AH3 dhe AH1 si dhe virusi i gripit i tipit B, virozat respiratore dhe më pak Covid.

Prirjet për shtimin e rasteve me grip janë në rritje, por ende nuk kemi arritur pragun epidemik.

Jemi në një periudhë të zakonshme qarkullimi i gripit të stinës, njësoj si para pandemisë. Momentalisht, nëntipi AH3 është më agresiv si virus duke shfaqur temperaturë më të lartë deri në 39 e më pak virusi i tipit B”, thonë ekspertët e shëndetit publik.

Shifrat zyrtare i përkasin rasteve të paraqitura tek mjeku i familjes për vizitë mjekësore, ndërkohë që numri i të prekurve me grip e viroza është edhe më i lartë.

Sipas ekspertit Artan Simaku, të dyja nëntipet e virusit të gripit janë të përfshira në vaksinën e gripit ndaj ai bën apel për vaksinim të popullatës.

“Momentalisht kemi bashkë qarkullim të gripit dhe Covid, ndaj asnjëherë nuk është vonë për tu vaksinuar me vaksinën antigrip dhe anticovid.

Duke qenë se gripi qarkullon në të gjitha grupmoshat, nga foshnjat disamuajsh deri tek moshat e treta, kërkohet një kujdes i shtuar pasi komplikacionet e gripit janë të rënda nëse nuk mjekohen në kohë”, thonë ekspertët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button