Krye RedaktoriOpinione

“GJARPËRINJTË” TANË TË GJAKUT TONË(22)

Shkruan; Muhamet Lush Cetta

NGA NJË PËRVJETOR I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT NË NEË JORK MË 10.QERSHOR 1991
Ndodhesha në SHBA, përkatësisht në Shtetin e New Yorkut, dhe shteteve për rreth tij, si New Jersy, Kenetiket State, dhe deri në Boston, e në kryeqytetin amerikan Washington! Ishte muaji Qershor. Isha i ftuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në SHBA, me seli në New York, për të festuar përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit! Kisha arritur në të njëjtën ditë me Shkrimtarin tonë të Madh Ismail Kadare, i cili udhëtonte nga Parisi!
Në aktivitet kishte shumë të ftuar. Vinin nga të gjitha trojet shqiptare, po ashtu edhe Mërgata e madhe shqiptare. Në sallë ishin rreth 3000 (tre mijë ) pjesmarrës. Çfarë nuk u vërejt në ato dy ditë të festimit! Komunistë të vjetër kishte shumë pak, por të rinjë të organizuar në LPK, (Lëvizja Popullore e Kosovës, LPRK, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës dhe të organizatave tjera të majta shqiptare, po ashtu nuk ishin shumë, dominonte më shumë fryma Demokratike Balli Kombëtar, NDSH etj. Isha i interesuar për organizata zogiste, apo të tjera si këto, në mesin e të cilave po “masturbonin” shërbimet sekrete të UDB-së, të “Sigurimit” të Shqipërisë, ato greke, pastaj amerikane si, CIA, FBI, etj. Asnjëri nga këto pole në një fjalë të përbashkët?! Aq sa nuk kishin ardhur fare, duke thënë se “jo qenka ky s`po shkojmë, qenka ai s`po shkojmë”.por pjesmarrja e figurave intelektuale shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare, ishin bërë shkas që të vinin sa më shumë! Në ball të oxhakut ishin renditur Paria nga trojet shqiptare: Akademikët, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja. dhe Idriz Ajeti, shkrimtari i madh Ismail Kadare, Mahmut Bakalli, Abdi Baleta, Ismet Berisha dhe Mustafë Demaliaj si kryesues të LSHP në SHBA, Dr.Kristo Frashëri, historian i njohur nga Shqipëria, etj!. Në sallë ishin, Xhozef Dioguardi me të shoqen, Hajdar Bajraktari ose Herry Bajraktari, Ramadan Xhema, vëllai i Xhem Xhemës, Shaqir Gashi, Masar Krasniqi nga Zelanda e re, profesori, Nikolla Pano, etj. etj. Xhozef Dioguardi, i pakënaqur me rendjen dhe mbarëvajtjen e kësaj feste, mori fjalën i pari dhe disi pa rend, por ja çfarë tha:
– Unë e kam filluar dhe formuar Lobin në Shoqatën Jusuf Gërvalla, e përbërë nga komunistët, kurse rrymat ish proserbe dhe projugosllave na kanë hyrë tash kudo të quajtur si demokratë. Metë Bajraktari, ishte përherë një spiun i UDB – së, dhe i biri i tij, Harry Bajraktari, kudo respektohet më shumë se sa të tjerët.
Intervenuan dhe ia ndërprenë fjalën që të mos shkaktohej përplasje.Disa përshpërisnin, “e vërtetë është”, tjetri ia priste, “nuk është dashur të thuhej këtu, sepse këto janë skenare të marksistë – leninistëve,” etj.
Në sallën e madhe, ose ambientin ku mbahej ky përvjetor, dola të thërrisja babain tim, tani e 26 vite i vdekur.
SI U NJOHA ME Dr.SALI BERISHËN DHE FAMILJEN E TIJ?!
Në bisedën me babain; i tregova ku jam dhe më kënd kisha rastin të takohesha. Më tha: – shiko bre biri im, një Sali Berisha i Tropojës që po angazhohet për demokracinë në Shqipëri, duhet të jetë ose i biri i Zeqir Halilit, ose i Ramë Halilit nga Tropoja, dhe po t`u dha rasti, takoje dhe i trego se kush je, dhe biri i kujt je.
Babai im, vazhdonte babai im në telefon, Bajram Ceta, ishte pobratim me Zeqir Halilin e Tropojës, në duart e të cilit në vitin, 1926, bashkë me Binak Mahmutin e fshatit tonë, janë vrarë nga xhandarmëria serbe. Pra, në atë vit kur unë kisha lindur…!
Nuk e harrova këtë porosi, për të cilën kisha mësuar që kur isha fëmijë i vogël!
Biletën e këtij udhëtimi, ma kishin siguruar nikoqirët, kurse për të marrë pjesë, më kishin veshur e bërë “kollomoq” kërçovarët e njohur të cilët kishin firmat e tyre kudo nëpër Paris, e kësaj radhe, Sylejman Selimi, nga Zajazi i Kërçovës! Ata, përveç rrobave të qepura enkas për mua, më dhanë edhe ca para xhepi. Sa kishte vlerë ky udhëtim, e tregoi edhe dëmi që do t`i paguaj me vonesë pasojat, sepse familjen po e lejoja larg vetes!
Shkoja nga Parisi në Belfort ku jetoja, 500 kilometra larg pothuajse çdo javë, sepse nuk ngopesha nga takimet dhe shkrimet në revistën tonë “Zëri i Shqiptarit”, 48 faqëshe në kolor, pastaj raportoja për gazetën “BUJKU”, e cila kinse po e zëvendësonte gazetën Rilindja, pastaj për Radio Zagrebin në gjuhën shqipe, si edhe në Radio Tirana së shpejti.
Njëri me mbiemrin Sinishta, iu drejtua Rexhep Qoses kur e mori fjalën në përvjetor, “Ju ore Fishta i dytë”, dhe ky nga mburrja, më thotë personalisht “ma gjejë atë që më quajti Fishta i Dytë”! Mezi e gjetëm! Kur Sinishta i tha këtë epitet Qoses, ai i ngriti dy duart me nga dy gishta përpjetë sikurse demokratët, dhe këtë pamje e ruajta derisa u ktheva në Francë, për të bërë një artikull, duke i paraqitur në kopertinën e parë në kolor dy personalitetet Dr.Sali Berishën, dhe akademik, Rexhep Qosen. Ishte koha, kur ata po shkruanin egërsisht kundër njëri – tjetrit!
Me t`u kthyer nga SHBA – të, e përgatita një shkrim analitik me titull, “Mos të mashtrohet kush, sepse këto dy personalitete nuk përçahen”. Thuajse si me porosi, po bëja intervistën me kryetarin e parë të Partisë Demokratike të Shqipërisë! Kështu edhe doli!
Në atë kohë, nga redaksia “Bota Shqiptare” në kuadër të Televizionit Shqiptar, kisha marrë përsipër realizimin e 30 intervistave me bashkëatdhetarët, të cilët u mundova shumë për t`i gjetur. Ishin emisione që ritransmetoheshin disa herë. Bashkëpunoja me kameramanin e njohur, Astrit Omeri, me gazetarët e njohur, Ndue Ukcama (Leka), Shpresa Ukcama, një nga moderatoret e spikeret me të njohura në TVSH, që nga koha e Radio Kukësit. Me Petro Latin, Ilir Grazhdanin, Pushkin Lubonjën, Luiza Mustën, Miço Dhimën, dhe Arianit Dodbibën, njëri ndër gazetarët më të mirë të kulturës. Sa kënaqesha kur rrija me këta intelektualë në kuptimin e vërtetë të fjalës intelektualë. Për të kaluar më pas tek spikeret e lajmeve, Tefta Radi e Shpresa Ukcama. Ishin këto zërat më të mirë që i zgjidhja kur bëja montimin e emisioneve dokumentare nga diaspora shqiptare.
LODHJE POR EDHE HUMOR E BUZËQESHJE DUKE SHKUAR TE SHTËPIA E VIKTOR HYGO NË BE SANCON TË FRANCËS!
Një mëngjes të vitit 1993, dolëm për “gjah” të realizonim emisionin dokumentar, ku isha fokusuar te realizimi i një emisioni kushtuar qytetit të Besanconit, atje ku ndodhet shtëpia e shkrimtarit francez, Victor HYGO, dhe përballë saj, edhe ajo e vëllezërve, LUMINIERS. Kameramani po vraponte nëpër shi, duke realizuar skenarin që i kisha shkruar për të xhiruar nëpër këtë qytet të bukur. Shefi i redaksisë “Bota Shqiptare” të TVSH – së, Ndue Ukcama, një krijues i dalluar radioteleviziv, duke ecur në këmbë sëbashku me mua, ishte lodhur e mërzitur mjaft. Nuk ia dija hallin nga se vuante. Duke iu marrë fryma, m`u drejtua: – Po nga na polli kjo ide të vizitojmë shtëpinë e Viktor Hygos?!
Pastaj m`u afrua më afër e më thotë në vesh: – More! S`jam mirë nga zemra unë. Nëse nuk e pi një dopio raki të fortë, rrëzohem mu këtu në mes të rrugës. U ndaluam në një kafene dhe menjëherë porositi një dopio raki rrushi, dhe i lëvizën sytë sikurse pulës kur e ka dergjen. Më tha se i duhet edhe një dopio që ta marr veten. E piu edhe të dytën. Pas kësaj, u freskua dhe e mori veten. Dolëm për të ecur nga po xhironte kameramani Astrit Omeri. I njëjti, Ndue Ukcama, m`u drejtua: – Çfarë mrekullie të bëjmë emision për Viktor Hygon! E këndelli rakia! Doli një emision tepër i arrirë!
E pyesja për Sali Berishën dhe familjen e tij. Ndue Ukcama më shpjegonte se ata janë patriotë të mëdhenj shqiptarë nga Malësia e Gjakovës. Doktori është i biri i Ramë Halilit, bariut, i rritur me idetë e axhës së tij, Zeqir Halilit. Kur ia tregova rastin tonë, më tha se më ka rrëfyer Zeqir Halili për RadioTiranën, për vëllain e tij prej gjaku, Bajram Çetaj. I shpreha dëshirën se me të mbërritur, dëshiroj ta takoj për një intervistë. Më premtoi se do e realizoja këtë me çdo kusht! Ndërkohë, u mbajtën zgjedhjet në Shqipëri në vitin 1992, dhe Doktori u zgjodh president. Ishte pozicioni zyrtar që kishte kompetencat më të mëdha të kohës!
Vendosa për të qëndruar në Tiranë, dhe po bëja montazhin në RTSH. Ndërkohë, takohem me Tritan Shehun, i cili kishte qenë në shtëpinë time në Francë, dhe tani ishte bërë ministër. Gruaja e tij, Aida Shehu, ishte zëdhënëse e Presidentit Berisha! Ia bëjë një kërkesë për takim dhe një intervistë duke ia dërguar një ekzemplar të revistës, ZËRI I SHQIPTARIT. Intervista e tij ishte e dyta në numrin e revistës. I kishte bërë përshtypje artikulli i ilustruar me fotot e Berishës dhe të Qoses. Më thërret menjëherë Aida Shehu në TVSH, dhe më thotë: – Eja urgjent, se po ju pret presidenti! Keni vetëm 30 minuta kohë të qëndroni me të! Kur hyra në presidencë, më mori në pyetje Bujar Hoxha. (thonin i biri i Hoxhë Kadrisë), por që kishte punuar edhe në kohën e Enverit. Nuk më mbajti shumë dhe m`u hap dera e presidentit. U ndjeva i emocionuar! Më doli përpara dy metra burrë, më shtrëngoi dorën, dhe më përshëndeti ngrohtësisht. Kameramani dhe fotografi i tij, Leka Hoti, na bëri fotografitë zyrtare.
– I kam parë pyetjet tuaja, po ashtu dhe revistën! – e nisi fjalën Sali Berisha. Më bëri përshtypje ky shkrim që na ke vu me Rexhep Qosen, kur ne po shkruhemi kundër njëri – tjetrit.
– Zoti president! Kjo botohet jashtë vendit në tri gjuhë. Shqip, Frëngjisht, dhe Gjermanisht, – iu përgjigja unë.
– Ok, kjo është puna juaj! – vazhdoi Zoti Berisha. Më paskeni bërë gjashtë pyetje goxha provokative. Urdhëro!
Nxora një kasetofon të vogël, dhe ashtu e mbaruam intervistën! Pasi e lexoi edhe njëherë emrin e mbiemrin tim, më pyeti:
– Në mos jeni nga Kolgecajt e Tropojës?!
– Jo, i thashë. Jam nga Kosova!
– Auuuu, eehhh! Mos jeni nga familja e Bajram Çetës, pobratimit tonë i cili kishte pirë gjakun me axhën tim, Zeqir Halilin, fotografi me të cilin jam rritur që fëmijë?!
Po, i thashë! Jam nipi i tij! U ngrit në këmbë, më përqafoi edhe njëherë, dhe i tha fotoreporterit dhe kameramanit të tij, Lek Hotit:
Fotografo dhe xhiro jashtë protokolit!
Ishte data 2 korrik 1992. Takimi u mbyll me fjalët:
Do ta përsërisim vëllazërinë sërish?!
(M.L.C.)
Vijon
“GJARPËRINJTË” TANË TË GJAKUT TONË (23)
MIRË U PAFSHIM NË BETEJËN E LAVDISHME TË UÇK – së NË KOSHARE!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button