Lajme

PDK me aksion para Qeverisë: Martin Berishaj të shkarkohet, dhe të sillet para drejtësisë në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës sonte ka vendosur një projektor me reflektim në objektin e Qeverisë së Kosovës, me mbishkrimin “Qeveria e Martinit!”, e në të cilin shihen kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori Martin Berishaj.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka thënë se qëllimi i këtij aksioni është të hidhet dritë mbi atë se kush në të vërtetë po e udhëheqë Qeverinë Kurti, transmeton klankosova.tv.

“Dhe, siç mund ta shihni, në fotografi janë Kryeministri Kurti dhe ambasadori me aferë, Martin Berishaj me një titull: Qeveria e Martinit! Në realitet, siç keni mundur të lexoni në mediat ndërkombëtare, ambasadori Martin Berishaj, me paratë që ka tërhequr nga kompania GEN-I me seli në Beograd, mbi 4.5 milionë euro, dyshohet se ka financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë. Rrjedhimisht, kjo është Qeveria Martini dhe jo Qeveria Kurti. Kjo, edhe për një arsye tjetër. Ka afro një vjet që kur ka shpërthyer skandali i madh rajonal, në të cilin Martin Berishaj është i përfshirë bashkë mafinë rajonale energjetike të Serbisë, dhe kryeministri Kurti nuk po ndërmerr asgjë. Përkundrazi, po e mbron me xhelozi dhe vendosmëri, si mik personal që e ka”, theksoi deputetja Hoxha.

PDK ka ftuar përsëri organet e drejtësisë që ta hetojnë aferën e ambasadorit Berishaj.

“Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë që të veprojnë. Kallëzimet penale dhe paditë që janë ngritur të qohen deri në fund. E po ashtu, të nisin edhe të tjera për dyshimet e ngritura. Kërkojmë nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj ambasadorin Berishaj dhe ta sjellë sa më parë në Kosovë para drejtësisë”, tha Hoxha.

Ndërsa, kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se në këtë periudhë ku niveli i lartë i papunësië po i shtyen të rinjtë të ikin nga nga vendi, Kosovën e përfaqëson një ambasador si Martin Berishaj, i cili po e dëmton imazhin e shtetit.

“Në një kohë kur niveli i papunësisë tek të rinjtë në Kosovë vazhdon të mbetet mbi 35 për qind, e dyert e ambasadave janë përplot me të rinj të zhgënjyer që dëshirojnë të ikin nga vendi, Kosovën po e përfaqëson një ambasador si Martin Berishaj, i përfshirë në një aferë të madhe financiare me mafinë energjetike të Serbisë, duke dëmtuar shumë imazhin e vendit”, shtoi ajo.

Salihu ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani ta shkarkojnë ambasadorin Berishaj.

“Kërkojmë nga kryeministri dhe presidentja që ta shkarkojnë ambasadorin Berishaj dhe ta sjellin para drejtësisë në Kosovë. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe llogaridhënie, që të besojmë së në këtë vend ka shpresë dhe vend për drejtësi. Ndryshe, rinia do të vazhdojë të largohet nga Kosova duke dëmtuar të ardhmen e shtetit tonë”, tha ajo.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button