Lajme

16 vjet pritje për drejtësinë që s’erdhi kurrë për Mon Balajn e Arben Xheladinin

Sot 16 vjet më parë, mbi tre mijë vetë u mblodhën në qendër të Prishtinës për të protestuar, protestë kjo e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje .

Atëbotë, në këtë organizim të këtij subjekti politik, protestohej kundër negociatave midis Kosovës dhe Serbisë si dhe kundër Pakos së Ahtisaarit.

Këto protesta shpejt u bënë të dhunshme dhe rezultuan me fatalitet ku dy aktivistë të Vetëvendosjes, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, u vranë nga lëndimet që morën prej plumbave të gomës.

Kishte qenë policia rumune e UNMIK-ut ajo që kishte shtënë drejt protestuesve duke i lënduar gjithashtu edhe mbi 80 persona.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kishte kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj proteste, dhe ka bërë thirrje që ata të pranohen si viktima politike.

Ndërkaq, për të plagosurit KMDLNj-ja kishte kërkuar që edhe ata të kompensohen moralisht dhe materialisht.

Një hulumtim nga “Balkan Insight” thoshte se dukej që policët rumunë i kishin shkelur rregullat gjatë demonstratës.

Sipas këtij hulumtimi, këta policë kishin gjuajtur me plumba gome në drejtim të protestuesve nga një distancë e afërt e madje duke vënë në shënjestër kokat e protestuesve.

Madje shumë ekspertë dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kishin deklaruar që ky veprim i policëve ka qenë i gabuar dhe kundër rregullave.

Autopsitë e dy viktimave, të kryera nga tre ndërkombëtarë dhe Arsim Gërxhaliu, kishin konfirmuar që vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e plagëve në kokë të cilat ua kishin shkaktuar plumbat e gomës.

Dy dorëheqje madhore kishin ardhur si pasojë e kësaj – ajo e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Fatmir Rexhepit, si dhe e Steven Curtisit, kryekomisioner i Policisë së UNMIK-ut.

Ndërkaq, UNMIK-u kishte formuar një komision special për ta hetuar këtë çështje.

Edhe pamjet filmike shfaqnin momente kur polica gjuante me plumba gome në drejtim të protestuesve.

Steven Schook, asokohe zëvendës i Përfaqësuesit Special të OKB-së në Kosovë, kishte deklaruar që policia kishte gjuajtur në mënyrë jo të drejtë, dhe kishte njoftuar se ia kanë dhënë për detyrë Prokurorit Robert Dean, për ta hetuar tërë situatën.

Zëdhënësi i Xhandarmërisë rumune, Bogdan Nicolae, kishte përdorur justifikimin “që rregullat e brendshme të Rumanisë që kanë të bëjnë me përdorimin e plumbave të gomës, aktualisht nuk aplikohen për policinë e saj në misionet ndërkombëtare si ky në Kosovë”.

Prokurori në fjalë, Robert Dean, kishte ardhur në përfundimin që “një ose dy nga policët rumunë kanë shtënë plumbat fatalë apo pothuajse fatalë të gomës të asaj dite”.

Dean madje kishte thënë që vdekjet e Balajt dhe Xheladinit ishin të panevojshme dhe të mënjanueshme.

“Synimet e planit operacional ishin për të mbrojtur ndërtesat dhe për të kontrolluar turmën”, kishte thënë ai.

Prokurori po ashtu kishte thënë që përdorimi i plumbave të gomës atë ditë mund të ketë qenë “një këshillë e keqe dhe e papërshtatshme, duke marrë parasysh rrethanat”.

Më 6 qershor, 2008 Paneli Këshillimor për të Drejtat e Njeriut e kishte pranuar ankesën e familjarëve të Balajt dhe Xheladinit. 

Familjarët ishin ankuar që vrasja e djemve të tyre përbënte shkelje të të drejtave të njeriut, përshirë të drejtën për jetë, ndalim të torturës, të drejtën për mjete juridike, të drejtën për gjykim të drejtë, si dhe të drejtën për tubim paqësor.

“A. Provat e deri tanishme çojnë në konkludimin se, vdekja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit ishin të panevojshme dhe të shmangshme. Duket se nuk ka pasur justifikim për të qëlluar në kokë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, ose në gjoks Zenel Zenelin. Qëllimi i planit operacional ishte mbrojtja e ndërtesave dhe kontrolli i turmës. Shkaktimi i plagëve fatale dhe i plagëve gati fatale u bë nga një distancë e konsiderueshme prej ndërtesave qeveritare, që duheshin mbrojtur. Mbretëron edhe konstatimi se, përdorimi i plumbave të gomës gjatë asaj dite ishte këshillë jo e mirë dhe e papërshtatshme nën ato rrethana. Kjo do të jetë çështje për hetime të mëtejme”, thuhet në dokument.

“B. Provat e deri tanishme mbështesin konstatimin se, plumbat fatal dhe gati fatal ishin shkrepur prej një ose dy pjesëtarëve me pushkë të Njësive të Formuara Policore (FPU). Atë ditë ishin 10 pjesëtarë të FPU-së rumune që mbanin pushkë. Pjesëtarët rumunë që mbanin pushkë kishin shkrepur 56 plumba të gomës, të llojit RB1. Së paku tetë pjesëtarë rumunë që mbanin pushkë kishin shkrepur këta 59 plumba të llojit RB1. Mirëpo provat, nuk sigurojnë një bazë që do të çonte në identifikimin e personave, të cilët kishin shkrepur municionin e vet me plumba RB1, që ishin vdekjeprurës dhe plagosës. Shkalla e provave të mbledhura deri më tani, nuk arrin nivelin e dyshimit të arsyeshëm për aktivitet kriminal të kryer nga ndonjë person i caktuar. Prandaj, inicimi zyrtar i procedurës penale, në bazë 3 të nenit 220 dhe 221 të (Kodit të Procedurës Penale të Kosovës) aktualisht nuk mund të autorizohet”.

“C. Në dritën e asaj që u tha më lart, UNMIK-u, Kombet e Bashkuara dhe Qeveria e Rumanisë mund të marrin parasysh inicimin e procedurave të përshtatshme për kompensim të familjarëve të afërm të atyre që u qëlluan për vdekje dhe të atyre që u plagosën rëndë”.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte kritikuar UNMIK-un që i kishte lënë policët rumunë të largoheshin nga Kosova më 21 mars, 2007, para publikimit të raportit të prokurorit.

“Ata janë të mbrojtur nga imuniteti i UNMIK-ut. Qeveria e tyre pohon se ka nisur një hetim ushtarak, por nuk është dhënë asnjë informatë tjetër. Me t’u kthyer në Rumani këta policë ishin dekoruar me medalje nga presidenti rumun”, thuhej nga LVV-ja në atë kohë.

“Asnjë hetim penal i pavarur nuk është bërë pas demonstratës. Hetimet e UNMIK-ut/Dinit nuk i kanë trajtuar policët rumunë si të dyshimtë, edhe pse ishte e qartë që prej momentit kur kishin filluar hetimet se ishin fishekët nga kjo njësi (të skaduar prej 12 vjetësh) që kishin vrarë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin”.

Sipas Vetëvendosjes, përfundimet e prokurorit thoshin se nuk mund të vërtetohej se cilët policë kishin shtënë drejt viktimave, dhe se me këtë “përfundim” kishte marrë fund procesi gjyqësor.

Zëdhënësi i atëhershëm i UNMIK-ut, Russel Geekie, kishte thënë më 2009 “se rasti Balaj e Xheladini nuk është mbyllur, por se vazhdon të trajtohet në New York”. “Më sa jam i informuar, rasti është duke u shqyrtuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në New Jork“, kishte thënë Geekie.

Organizata “Amnesty International” e kishte kërkuar dënimin e fajtorëve të vrasjes së dy protestuesve, duke dhënë kritika edhe për autoritetet kosovare që nuk kishin bërë hetim të pavarur për këtë ngjarje.

Mirëpo asgjë nuk erdhi nga kjo. Dhjetë vjet pas protestës, Amnesty International e kishte bërë një publikim ku thoshte se është një dekadë në pritje të drejtësisë.

“Asnjë reparacion nuk u është ofruar të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, dhe asnjë hetim i pavarur penal mbi vrasjet nuk është hapur në Kosovë”, kishte thënë AI-ja.

“Në mars 2015, pas një procesi të gjatë të lënë në hije nga hezitimi i UNMIK-ut për të bashkëpunuar, PKDNj-ja kishte gjetur që Misioni kishte dështuar që ta mbrojë të drejtën për jetë të viktimave sipas Nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, edhe në shkaktimin e vdekjes dhe lëndimeve, edhe në dështimin për ta bërë një hetim efektiv mbi këtë”.

Amnesty International ka shprehur keqardhje që gati dy vjet pas rekomandimeve të këtij paneli, UNMIK-u nuk e kishte bërë publik asnjë vendim apo nuk ka dhënë informata për progresin e bërë drejt përmbushjes së rekomandimeve të panelit.

AI-ja madje i kishte bërë thirrje UNMIK-ut që të kërkonte falje publike për dështimin në mbrojtjen e jetëve të Balajt dhe Xheladinit, si dhe për të lënduarit, dhe që t’i ofrojë reparacionet për të dëmtuarit.

Megjithatë, 16 vjet më vonë, drejtësia ende nuk ka arritur. Që nga ajo kohë Lëvizja Vetëvendosje u transformua në parti, duke hyrë fillimisht në Kuvend si forcë opozitare, dhe më pas edhe duke ardhur në pushtet.

Glauk Konjufca, atë kohë aktivist i LVV-së, sot kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar drejtësi për protestuesit që e pësuan në protestat e 10 shkurtit.

“Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte”, ka shkruar sot Konjufca në Facebook. /Klankosova.tv


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button