Shqiperia

‘Gjërat Tona’/ Rihetimi i 21 janarit, shansi i fundit për të vënë drejtësi – Abc News

Dosje të vjetra që rikthehen me fakte të reja, krime të pazbuluara e rrëfime të pathëna më parë, ngjarje pa autor që tashmë do shfaqen në “Gjërat Tona”, emision nga Etleva Delia

Në krye të 12 viteve nga tragjedia e 21 janarit, në të cilën mbetën të vrarë Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleksandër Nika, hetimet kanë marrë një rrjedhë tjetër.

Tashmë nuk po hetohet më kush qëlloi, por kush urdhëroi.

Pikëpyetjet disavjeçare se kush e dha urdhrin për të qëlluar mbi 500 plumba, pritej të merrnin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme, në zyrat e të cilës është dorëzuar kallëzim për akuzat: Vrasje në rrethana cilësuese dhe shpërdorim detyre.

Ish-funksionarët e lartë shtetërorë, për të cilët po kryhen hetime janë: Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandandi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Në SPAK u depozituan dy padi. E para nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe e dyta nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Përtej polemikave politike dhe provave, një serie aktesh ekspertimi dhe përgjigjes së italianëve për Aleks Nikën që nuk ka ardhur ende, vendimtare për të zgjuar 21 janarin ishte një audio-regjistrim i asaj kohe, i bërë publik nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Në këtë material dëgjohet një komunikim në radio që ka ndodhur para vrasjes së protestuesve.

Nga komunikimet kuptohet që komandantittë Gardës i është kërkuar të hyjë në Kryeministri. Pasi ka dalë nga aty ka nisur komunikimi në radio.

Zëri nuk është shumë i qartë, megjithatë ka sekuenca që mund të kuptohen.  I takon Prokurorisë që të bëjë transkriptin e plotë.

“Të mbahen armët gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup”. Sipas audios ky mendohet se është zëri i Ndrea Prendit.

Më pas ai i drejtohet zv.komandantit të gardës, Artan Hoxhës, duke e pyetur nëse dëgjonte dhe merr konfirmimin e tij.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzoi kallëzim në SPAK më 23 janar. Ai tha se vrasjet e 21 janarit 2011 janë vrasje shtetërore dhe Prokuroria duhet duhet të rihapë hetimet dhe çdo përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit.

Manja: “Është ora që Prokuroria e Posaçme që është kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, të bëjë drejtësi për 21 janarin”.

Ministri Manja tha se i takon drejtësisë së re që të verifikojë vërtetësinë e provës që ka dalë në dritë nga audio-përgjimi. Familjarët e viktimave, por edhe shoqëria, pret që 21 janari të zbardhet i plotë.

Manja: “Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike ose jo, kjo i takon SPAK-ut ta hetojë dhe t’i japë një përgjigje për këtë provë dhe të tjera që do të dalin në hetimin e plotë të kësaj çështje”

Dy ditë pas ministrit të Drejtësisë, edhe Partia Socialiste dorëzoi një padi në SPAK dhe kërkon po ashtu zbardhjen e 21 janarit.

Edhe në këtë padi kallëzohen penalisht për vrasje në rrethana cilësuese, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri thotë se faktet e reja, të bëra publike në media,qartazi tregojnë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë.

Sipas tij s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.

Gjiknuri: “Përfshirja e ministrit Lulzim Basha në komunikimin me radio, rezulton e provuar katërcipërisht dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme, bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejtë me efektivët e gardës, është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës”.

Pas audio-regjistrimin, edhe familjarët e të ndjerit Aleks Nika trokitën në dyert e SPAK, të bindur se është Prokuroria e Posaçme institucioni që do të hedhë dritë mbi 21 janarin.

Mark Nika takoi gjatë javës kryeprokurin Altin Dumani dhe më pas deklaroi se edhe çështja qëështë në hetim nga Prokuroria e Tiranës duhet të vazhdojë nga SPAK.

Prej dy vitesh Prokuroria po mban në sirtar historinë e pazbardhur se kush e vrau Aleks Nikën.

Ai ndërroi jetë në një spital në Turqi dhe për vrasjen e tij asnjë laborator i huaj, përfshirë edhe atë të FBI-së, nuk ishte në gjendje të përcaktonte se nga cila armë u qëllua.

Aktualisht, për të arritur këtë qëllim po punohet në një laborator në Itali.

Nga ana tjetër, pas publikimit të materialit audio, Prokuroria e Tiranës vendosi marrjen në pyetje të gazetarit investigativ Artan Hoxha.

Ai u paraqit në Polici më 23 janar dhe tha se ishte në dispozicion të drejtësisë duke bërë thirrje që të zbardhen vrasjet e 21 janarit, që sipas tij janë kryer me urdhër politik.

Artan Hoxha: “Kjo është një mundësi dhe unë besoj se kjo është mundësia e fundit, nuk do këtë më mundësi tjëtër, për ta zbardhur, për ta hetuar në mënyrë shteruese 21 janarin”.

Grupi hetimor nuk u ndihmua as nga dëshmia e gazetarit Artan Hoxha, pasi u deklaroi se materialin audio e dispononte familja e Aleks Nikës.

Kjo ishte arsyeja pse oficerët e Policisë më 1 shkurt shkuan në Lezhë, për të sekuestruar materialin në familjen e Nikës, por sërish dolën duarbosh.

Xhaxhai i Aleks Nikës shprehet se audio-regjistrimi është i tij dhe se familja e disponon atë që prej muajit korrik të vitit 2022, por nuk mund ta dorëzojë, pasi nuk ka besim.

Mark Nika thotë se në këtë pikë ka besim vetëm tek SPAK. Një agument ky që shpjegon edhe faktin pse kjo provë nuk është dorëzuar dëri më sot.

Madje xhaxhai i Aleks Nikës pohon se është ai perosini që ia ka dhënë audion gazetarit Hoxha.

Në këtë formë, bie poshtë pretendimi se audio kishte ardhur nga një burim anonim dhe sipas Kodit të Procedurës Penale nuk mund të kosnidetohej si provë.

Mark Nika: “Unë kam takuar shefin e SPAK-t, zotin Dumani, i cili më priti dhe unë kërkova ose diskutuam me të, se kemi humbur besimin tek drejtësia. Kemi humbur besimin edhe tek Prokuroria e Tiranës”.

Përveç vrasjes së Aleks Nikës,është pa autor edhe vrasja e protestuesit tjetër, Hekuran Deda, i cili pati plagë tejshpuese dhe nuk iu gjet predhë në trup. Gjithashtu as për plagosjen e 6 protestuesve nuk ka autor.

Pas kallëzimit në SPAK, gazetari Skënder Minxhozi, tha se 21 janari është një ngjarje, që nuk ka gjetur ende qetësi.

Ai thotë se provat e asaj ngjarjeje dolën në dritë të nesërmene vrasjes së 4 qytetarëve, por shton faktin se shteti shqiptar u përpoq të zhdukte provat.

Për Minxhozin, ngjarja e 21 janarit mund të cilësohet lehtësisht si ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri, pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Minxhozi: “21 janari është dirëkt një krim shtetëror, ku shteti vrau dhe u përpoq të fshehë provat”.

Ndërsa juristja Brizida Gjikondi, thotë se deri më tani kjo çështje është zvarritur, duke e lidhur këtë edhe me plumbin e Aleks Nikës, që prej një viti është në Romë dhe akoma nuk kemi një përgjigje.

Gjikondi thotë se një çështje, e cila dyshohet për shpërdorim detyre, duhet ta hetojë SPAK, që ka fuqinë ta tërheqë dosjen nga Prokuroria e Tiranë.

Ndërsa në lidhje me deklaratën e Sali Berishës, që shprehet se provat e reja për 21 janarin janë të falsifikuara nga Ardi Veliu,  juristja thotë se ish-kryeministri është një nga ata që është sjellë si gjyqtar, prokuror, ekzekutor dhe fshirës provash.

Gjikondi: “Berisha është një person atipik, Është nga ata që është gjyqtar, është prokuror, është ekzekutues, është nxitës, është fshirës provash, që nuk besoj se bëjnë kryeministra, ish-kryeministra të tjerë të vendeve, këtë që bën Berisha”.

Që historia kishte të fshehta dhe që Prokuroria po pretendonte ta zbardhte në atë kohë, ishte fakti që u mor i pandehur shefi i IT-së në Kryeministri, Armando Kasa.

Ai akuzohej se kishte fshirë pamjet e vrasjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të sigurisë.

Përfaqësuesi i akuzës në atë hetim, Ndini Tavani, duke lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj Kasës, ndër të tjera u mbështet edhe tek ekspertiza e FBI-së, e cila përcaktoi se këto filmime ishin fshirë.

Prokurori theksoi se nga 16 kamera, që ndodheshin në objektin e Kryeministrisë, 11 prej tyre ishin në gjendje pune, me shpejtësi 25 pamje në sekondë për secilin kanal.

Këto regjistrime nuk iu vunë në dispozicion organit të hetimit, pasi sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet një letërkëmbimi me Prokurorinë, pohonte se kamerat nuk punonin që prej 2009-s.

Fshehja, fshirja dhe manipulimi i provave nisi menjëherë pasi përfundoi protesta.

Fillimisht me pastrimin e sheshit para Kryeministrisë nga vetë punonjësit e këtij institucioni, para se ky shesh të rrethohej si skenë krimi.

Manipulimi i fakteve nisi nga vetë kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha.

Në daljen e parë publike pas vrasjes së 4 qytetarëve, Berisha u përpoq të bënte përgjegjës protestuesit.

Berisha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit, është se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.

Manipulimi u zhvendos më pas në Spitalin Ushtarak, ku mjekët u urdhëruan që të mbështesnin versionin e kryeministrit, duke thënë se qytetarët ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël.

Mjeku: “Dukeshin plagë të vogla që shkonin për armë zjarri nga distancë… e afërt”.

Kur ky skenar nisi të rrëzohej nga pamjet e publikuara në media, nisi të vihej në jetë skenari tjetër. Fillimisht sulmi ndaj kryeprokurorores së asaj kohe, Ina Rama dhe presidentit Bamir Topi e më pas ndaj gazetarëve që po publikonin fakte.

Në ditët e nxehta pas 4 vrasjeve, lufta e parë që qeveria i shpalli Prokurorisë, përveç fshirjes së gjurmëve të krimit, ishte refuzimi për të dorëzuar 6 gardistët për të cilët ishte firmosur urdhër-arresti.

Faktet nisën të dalin në dritë ditë pas dite, por sa më shumë shtoheshin faktet, aq më shumë shtoheshin edhe hipotezat dhe interoretimet shtetërorë për t’i rrëzuar.

Në fillim duke thënë se gardistët nuk kishin marrë urdhër për të qëlluar, por qëlluan me vullnetin e tyre.

Më pas, ekspertë kriminalistë, nisën të mbështesin teorinë se vrasjet ishin kryer nga plumba rikoshetë.

Në këtë formë, qartazi, po përdorej gjithçka për të fshehur të vërtetën.

Në një lojë të gjatë gjyqësore, drejtësia shpalli fajtor gjeneralin Ndrea Prendi dhe shefin e Operacionales së Gardës, Agim Llupo, duke i dënuar minimalisht.

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin e Ndrea Prendit me 23 vjet burg dhe të Agim Llupos me 25 vjet burg, duke i akuzuar për vrasje me paramendim.

Ndërsa Gjykata rrëzoi organin e akuzës, duke ndryshuar edhe akuzat.

Në përnfudim, Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg dhe Agim Llupo me 3 vjet burg, për akuzën “vrasje nga pakujdesia”.

Ata u shpallën fajtorë vetëm për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.

Gjyqësori shqiptar ka njohur si viktimë të pestë të 21 janarit edhe djalin e Faik Myrtajt , 22-vjeçarin Bardhosh Myrtajn. Ai u vetëvra 3 muaj pas ngjarjes ku humbi jetën i ati.

Gjykata Administrative tha se ai ishte viktimë e ngjarjes tragjike, pasi nuk arriti dot të përballonte vrasjen e të atit dhe ka qenë nën efektin e zisë patologjike.

Çështja e 21 janarit është një nga testet më të forta të Prokurorisë për të kuptuar nëse akuza shqiptare ka apo jo vullnet për tëçuar para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të vrasjes së Faik Myrtajt, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Aleksandër Nikës.

Ky ndoshta është shansi i fundit për të vënë drejtësi./abcnews.al

 

 

 

 




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button