BotaRajoni

Frika që pati SHBA-ja 30 vjet më parë për mundësinë e luftës Rusi-Ukrainë – Abc News

Më 5 janar 1993, pak ditë para se Bill Clinton të inaugurohej si president i Shteteve të Bashkuara, Sekretari amerikan i Shtetit, në shkuarje atëbotë, Lawrence Eagleburger, e ka finalizuar një dokument 23-faqësh për pasardhësin e tij.

Dy ditë më herët, shefi i Eagleburger-it, ish-presidenti George H.W. Bush, ka udhëtuar në Moskë për të nënshkruar me ish-presidentin rus, Boris Yeltsin një traktat të ri për kontrollin e armëve, START II.

Kjo marrëveshje është konsideruar fitore e minutës së fundit në mandatin e tij, përgjatë të cilit u janë dhënë fund tensioneve bërthamore të Luftës së Ftohtë, prandaj shumë njerëz kanë menduar se po nis një epokë e re në marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Uashingtonit.

Dokumenti që i është lënë në tavolinë Warren Christopher-it ka qenë përmbledhje e tensioneve dhe konflikteve nëpër botë, dhe jo më pak të rëndësishme kanë qenë mbetjet e ish-Bashkimit Sovjetik, që atëherë i ka pasur vetëm 13 muaj që ka pushuar së ekzistuari.

Në listë janë përfshirë rreziqet nga lufta në ish-Jugosllavi, “prishjet e reformave në Rusi dhe kthimi në një formë të pushtetit autoritar”.

Eagleburger po ashtu e ka paralajmëruar pasardhësin e tij për rreziqet e një konflikti të armatosur në mes të “Rusisë dhe një numri shtetesh në periferinë e saj”.

“Ukraina nuk është opsioni më i mundshëm, por është më i rrezikshmi”, ka shkruar ai.

Tridhjetë vjet më vonë, dhe gati një vit pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, Moska dhe Kievi janë duke u përballur në luftën më të madhe në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Dokumenti në fjalë është një prej teksteve që së fundi janë deklasifikuar nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, një organizatë joqeveritare që gjendet në Universitetin George Washington, në Uashington.

Organizata ka arritur që me sukses së deklasifikojë edhe materiale tjera të presidencës së Clintonit, sidomos ato që lidhen me marrëdhëniet e SHBA-së me Moskën, nën udhëheqësinë e Yeltsinit.

Për politikën amerikane, në vitet e para pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, “fokusi ka qenë në Rusi, pavarësisht porosisë së Eagleburgerit për Ukrainën”, ka thënë Thomas Graham, i cili ka shërbyer në Ambasadën amerikane në Moskë gjatë periudhës së ish-Bashkimit Sovjetik dhe ka qenë drejtor për Rusinë në Këshillin e Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare në vitet 2000.

“Është dashur kohë që Ukrainës t’i jepet vëmendja që i është dhënë Rusisë”, ka thënë ai.

“Reformat demokratike të Rusisë”
Një dokument tjetër, që është përpiluar vetëm tri ditë pasi Clinton është betuar si president, tregon për një bisedë telefonike të zhvilluar mes Clintonit dhe Yeltsinit, në të cilën ata kanë diskutuar për krizën në ish-Jugosllavi dhe konfliktet në rritje në Bosnje-Hercegovinë.

Ata kanë diskutuar edhe për Irakun, ku forcat amerikane e kanë zbatuar atëherë një masë të ndalim-fluturimit pas përfundimit të Luftës së Gjirit.

Ata kanë diskutuar edhe për synimet e Rusisë që të lë pas epokën sovjetike.

“Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në jetësimin e reformave demokratike të Rusisë”, i ka thënë Clinton, Yeltsinit.

Një tjetër dokument është një memorandum i Eagleburgerit për Christopherin, mandati i shkurtër i të cilit është eklipsuar nga ai kryediplomatit me mandatin më të gjatë njeriut të Bushit, James Baker.

Baker ka qenë ndërmjetësues kyç jo vetëm me Yeltsinin, por edhe me Gorbachevin, teksa ish-Bashkimi Sovjetik ka nisur të shpërbëhet në vitet 1980.

Baker është takuar disa herë me Gorbachevin dhe liderë tjerë evropianë, teksa Gjermania ka marrë hapin e ribashkimit, dhe zyrtarë amerikanë dhe ata të NATO-s kanë qenë në hall për të vendosur nëse do të lejojnë trupat ushtarake të kenë bazën në atë që atëherë ka qenë Gjermania Lindore.

Në dokumentin për Christopherin, Eagleburger ka përmendur shumë çështje globale: degradimin e natyrës, përhapjen e sëmundjeve sikurse AIDS dhe ka përmendur edhe “ndërtimin e partneritetit” me Japoninë dhe me Evropën, Kinën, Korenë Veriore dhe Vietnamin.

Ai ka përmendur në dokument edhe problemet potenciale që mund të kenë shtetet e pavarura të ish-Bashkimin Sovjetik, duke paralajmëruar se problemet ekonomike në Ukrainë – si pasojë e periudhës sovjetike – “mund të shkaktojnë tensione me Rusinë për shkak të çështjeve të sigurisë”.

Aty përfshihen edhe aksionet që kishin të dyja shtet në Flotën e Detit të Zi, e cila pas periudhës sovjetike është ndarë në mes të Kievit dhe Moskës.

Në dokument është përmendur edhe fati i armëve bërthamore sovjetike, të cilat kanë mbetur në territorin ukrainas.

Zyrtarët amerikanë kanë pasur shqetësime atëbotë se ato do të mund të vidheshin apo të shiteshin në tregun e zi.

Shqetësime të ngjashme kanë ekzistuar edhe për armët bërthamore të Rusisë.

“Ne mund të punojmë për të zbutur sjelljen ukrainase duke e trajtuar Ukrainën si lojtare të rëndësishme në të drejtën e saj – jo vetëm si shtesë në marrëdhëniet me Rusinë”, ka shkruar Eagleburger.

“Në të njëjtën kohë, ukrainasit duhet ta kuptojnë se posedimi i armëve bërthamore është përgjegjësi dhe jo aset, në synimet e tyre për t’u trajtuar me seriozitet”, ka shkruar atëbotë ai.

Shqetësime për konfliktin

Më 1994, Ukraina e ka nënshkruar një marrëveshje të titulluar Memorandumi i Budapestit, një seri e garancive që i janë bërë Ukrainës, Bjellorusisë dhe Kazakistanit për t’i bindur ato që të heqin dorë nga armët e mbetura bërthamore dhe që t’i dërgojnë ato në Rusi.

Marrëveshja është mbikëqyrur nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Britania.

Disa zyrtarë ukrainas kanë përfshirë në marrëveshje garancinë për paprekshmërinë e kufijve të të trija shteteve.

Ka zyrtarë ukrainas, por edhe vëzhgues perëndimorë që argumentojnë se Kievi ka gabuar kur ka dorëzuar armët, duke thënë se ato do të mund të përdoreshin për të ndalur Rusinë në luftën që është duke u zhvilluar tani.

“Kur është shpërbërë Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të shqetësuara për shpërthim të konfliktit në territorin e vendeve ish-sovjetike”, ka thënë Graham.

“Administrata Bush ka qenë e shqetësuar për skenarët në Jugosllavi dhe në ish-Bashkimin Sovjetik”, ka thënë ai.

“Skenari më katastrofal do të mund të ishte në mes të Rusisë dhe Ukrainës, ne e kemi vëzhguar situatën me kujdes”.

“Kjo është larg prej të deklaruarit se do të ndodhë diçka. Ka qenë çështje diskutimi, mirëpo askush nuk ka mundur ta parashikojë”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë.

“Tensionet në mes të Rusisë dhe Ukrainës, ne i kemi ditur, ne kemi bërë çfarë kemi mundur që t’i menaxhojmë ato, që të anashkalojmë shpërthimin”, ka thënë ai.

Boris dhe Bill

Marrëdhënia e ngrohtë në mes të Clintonit dhe Yeltsinit është theksuar në përmendur në tjera materiale të deklasifikuara në të kaluarën.

Më 2018, libraria presidenciale e Clintonit ka publikuar 1.000 faqe të dokumenteve nga presidenca e tij, duke përfshirë transkriptin e një bisede telefonike në të cilën Yeltsin e ka përkrahur Vladimir Putin si pasardhës, duke e quajtur “burrë të fortë”.

Në bisedën e zhvilluar më 23 janar 1993, Clinton dhe Yeltsin i flasin me ngrohtësi njëri-tjetrit dhe diskutojnë për mundësinë e një takimi bilateral.

“Jam në ankth që t’ju takoj dhe t’ju njoh si ‘Bill’”, është cituar të ketë thënë Yeltsin.

“Kam pasur marrëdhënia të mira me Bushin. Tani më duhet të zhvillojë marrëdhënie me presidentin Clinton”, ka thënë mes tjerash ai.

“Secili në botë e dëshiron këtë gjë… jam i bindur se marrëdhëniet tona do të përmirësohen në të ardhmen”.

/rel




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button