BotaRajoni

Policia tatimore kontrollon zyrat e rrjetit BBC në Indi – Abc News

Autoritetet tatimore në Indi kontrolluan të martën zyrat e rrjetit BBC në qytetet Nju Delhi dhe Mumbai, disa javë pasi qeveria indiane e cilësoi si “propagandë” një dokumentar të prodhuar nga rrjeti britanik lidhur me Kryeministrin Narendra Modi.

Dokumentari, “India: The Modi Question”, përqendrohet tek trazirat që përfshinë shtetin perëndimor Gujarat në vitin 2002, ku humbën jetën të paktën 1000 njerëz, kryesisht myslimanë, kur zoti Modi ishte në krye të atij shteti.

Përmes një deklarate në rrjetin Twitter, rrjeti BBC shkruante se, po bashkëpunon plotësisht me autoritetet e tatimore, që aktualisht janë në zyrat e BBC-së në Nju Delhi dhe Mumbai.

“Shpresojmë që situata të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha rrjeti BBC.

Mediat vendase njoftojnë se autoritetet kanë sekuestruar telefonat e punonjësve të BBC-së. Gaurav Bhatia, zëdhënës i partisë në pushtet Bharatiya Janata (BJP), e quajti veprimin një “inspektim tatimor”.

“Nëse keni zbatuar ligjin e vendit, nëse nuk keni asgjë për të fshehur, pse frikësoheni nga një veprim që bazohet në ligj?”, tha ai për gazetarët.

Duke akuzuar BBC-në se ka një “histori të zezë kundër Indisë”, zoti Bhatia u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se, “Nuk do të ishte gabim të thuhej se është korporata më e korruptuar dhe qesharake në botë”.

Ai tha se mediat që “kanë një axhendë të fshehtë” dhe “përhapin helm” nuk mund të tolerohen në vend.

Dokumentari zemëroi mbështetësit e partisë në pushtet BJP dhe zotin Modi, të cilët shtrojnë pikëpyetjen se pse BBC-ja zgjodhi një temë që daton dy dekada më parë.

Dokumentari nxjerr në pah një raport nga Zyra e Jashtme britanike të pabotuar më parë dhe të shtënë në dorë nga BBC, i cili sipas rrjetit ngre pikëpyetje mbi veprimet e zotit Modi gjatë trazirave dhe pretendon se ai ishte “përgjegjës i drejtpërdrejtë” për “klimën e mosndëshkimit” që mundësoi dhunën.

Një hetim nga Gjykata e Lartë e Indisë në vitin 2012 e nxori të pafajshëm zotin Modi lidhur me trazirat, përfshirë akuzat se ai u kishte thënë autoriteteve të rendit që të mos i frenojnë rebelët.

Dokumentari nga rrjeti BBC nuk u transmetua në Indi. Qeveria përdori manovra ligjore duke bllokuar video dhe postimet në Twitter për shpërndarjen e të dhënave mbi dokumentarin.

Policia u përpoq të ndalonte shfaqjen e dokumentarit të organizuar nga grupe studentore nëpër kampuset universitare dhe ndaloi disa studentë organizatorë.

Ministria e Jashtme e Indisë tha se filmit “i mungonte objektiviteti” dhe e quajti atë, “pjesë propagandistike të krijuar për të nxitur një linjë kryesisht të diskretituar”.

Rrjeti BBC ka thënë se për dokumentarin ishin bërë “hulumtime rigoroze” dhe ofronte një sërë opinionesh, përfshirë reagimet e punonjësve nga BBC-ja.

Organizata që përfaqësojnë grupe mediatike në Indi shprehën shqetësime lidhur me kontrollin e zyrave të BBC-së nga policia tatimore./VOA




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button