Kosova

Konjufca: Do të qëndrojmë deri në fund në këtë luftë të drejtë me popullin e Ukrainës

Në njëvjetorin e​ agresionit rus në Ukrainë, në Kuvendin e Kosovës u mbajt ceremonia e pritjes dhe dorëzimit të letrave të falenderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Nëtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se një vit më parë e gjithë bota u shokua nga agresioni i paprovokuar i Federatës ruse mbi shtetin dhe popullin e Ukrainës.

“Jemi mbledhur këtu, sepse sot është një vit prej kur e gjithë bota mbarë u shokua nga agresioni i paprovokuar i Federatës ruse mbi shtetin dhe popullin e Ukrainës.

Gjate një viti jemi dëshmitarë të një qëndrese të paepur e shumë frymëzuese të popullit të Ukrainës kundër okupacionit rus. Edhe njëherë historia po na tregon se përkundër ligësive të saj ekzistojnë ende luftat e drejta në botë, e të cilat janë të domosdoshme. Kjo është lufta e një populli paqedashës për liri, i cili është i gatshëm t’i sakrifikojë të gjitha për këtë vlerë aq të çmuar të njerëzimit”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit përsëriti qëndrimin e Kosovës afër popullit ukrainas që nga dita e parë.

“Kosova, Republika jonë qëndron fuqishëm me Ukrainën dhe qyshkur lufta nisi, ky agresion e ky invazion i Rusisë kundër Ukrainës, Kosova menjëherë e ka dënuar këtë sulm të padrejtë e të patolerueshëm.

Në kuvend e kemi votuar rezolutën, e cila shpreh gatishmërinë e Kosovës për strehimin e ukrainasve në vendin tonë e po ashtu edhe pranimin e gazetarëve, juve që jeni prezent sot në Kuvendin e Republikës të Kosovës e që po bëni një luftë të mrekullueshme edhe përkundër rrethanave shumë të vështira, sepse ne ju kuptojmë më së miri”, u shpreh ai.

“Prezenca e juaj këtu, 12 aq sa jeni, për shkak të raportimeve dhe rrëfimit tuaj për Kosovën, mendoj se kanë kompenzuar dekada të tëra të mungesës së afërsisë së popujve tonë. Ju i keni shkrirë këta akuj me zemrat tuaja, me dashamirësinë tuaj, duke e falenderuar shtetin e Kosovës dhe duke bërë më të mirën që populli i juaj, i cili po lufton, vuan dhe sakrifikon, ta dijë të vërtetën e asaj që na bashkon”, tha kryeparlamentari, raporton Klankosova.tv.

Konjufca rikujtoi rrugën e ngjajshme të Kosovës 24 vjet më parë, në ballafaqim me një regjim gjenocidal.

“Qytetarët e Kosovës para 24 vjetësh ishin në këpucët tuaja. Ne u përballëm me një regjim gjenocidal, i cili vrau qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, fëmijë, gra e pleq të popullit tonë. Një regjim, i cili kurrë nuk u distancua nga krimet e luftës e nga këto akte të gjenocidit që i bëri mbi popullin tonë të pafajshëm.  Por edhe ne ndoqëm bindjen se lufta jonë është e drejtë dhe vazhduam me sakrifica dhe kurajën për të vazhduar ta fitojmë lirinë tonë”, kujtoi ai, duke shtuar se njësoj liria për popullin ukrainas do të vijë shumë shpejt.

“Ashtu si tha Zelensky sot, viti 2023 do të jetë vit i fitores i popullit ukrainas mbi pushtimin rus. Prandaj, në këtë përvjetor jemi këtu për t’ju falenderuar për sakrificat që po bëni në këto rrethana dhe për t’ju treguar se do të qëndrojmë deri në fund në këtë luftë të drejtë me popullin e Ukrainës duke mos pasur asnjë dyshim që fitorja e merituar dhe e domosdoshme do të vijë në ditët në vijim”, përfundoi fjalimin Konjufca.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button