BotaRajoni

Kanadaja sanksionon anëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit – Abc News

Qeveria kanadeze ka vendosur sanksione ndaj 12 zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe të Forcave të Zbatimit të Ligjit, për “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” gjatë shtypjes vdekjeprurëse të protestave.

Irani po përballet me protesta që nga vdekja e një gruaje të re, e cila gjendej në paraburgim për shkak të dyshimeve se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit apo shamisë së kokës.

Ministria për Punë të Jashtme e Kanadasë tha më 27 shkurt se në mesin e të sanksionuarve janë guvernatori i provincës Kurdistan, Esmaeil Zarei Kousha, gjenerali dhe komandanti i Gardës për këtë provincë, Seyeh Sadegh Hosseini dhe komandanti i forcave paramilitare Basij në Sanandaj të provincës Kurdistan, Morteza Mir Aghaei.

“Sot në listën e sanksioneve janë 12 zyrtarë të lartë nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe nga Forcat e Zbatimit të Ligjit të cilët kanë marrë pjesë në shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Iran, përfshirë edhe përmes shtypjes vdekjeprurëse të protestave në gjithë zonat kurde të Iranit Perëndimor”, u tha në deklaratë.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se 500 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë në trazirat që u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit më 16 shtator 2022. Mijëra të tjerë janë arrestuar dhe gjyqësori iranian, i nxitur nga kërkesat e ligjvënësve për ndëshkime të ashpra të protestuesve, ka dhënë dënime të rënda, përfshirë edhe dënime me vdekje.

Sipas sanksioneve të Kanadasë, ndalohet ndërveprimi me personat e sanksionuar dhe atyre u ngrihen asetet që mund të kenë në Kanada.

Kanadaja tha se do të vazhdojë të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë për t’u përgjigjur trajtimit “skandaloz” që regjimi iranian i bën popullit të tij, por po ashtu edhe ndaj “propagandës” dhe veprimeve të regjimit që “vazhdojnë të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”.

“Regjimi iranian vazhdon që në mënyrë brutale të shtypë popullin e tij dhe t’ua pamundësojë të drejtat themelore dhe liritë. Ne dëgjojmë lutjet e popullit iranian dhe i vlerësojmë për trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kanadaja nuk do të ndalojë së avokuari për iranianët dhe të drejtat e tyre”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë. /REL




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button