Lajme

Dritëro Arifi: Plani evropian, plotësim i marrëveshjeve të Uashingtonit e Brukselit

Bashkimi Evropian mbrëmë e ka publikuar të plotë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë propozim gjenden 11 pika për të cilat dje gjatë takimit trepalësh në Bruksel, Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq dhe pala ndërmjetësuese Josep Borrell e Miroslav Lajçak, pati vetëm pranim verbal, por jo edhe nënshkrim mes palëve, transmeton Klankosova.tv.

Analisti politik Dritëro Arifi, vlerëson se propozimi evropian që u publikua nga BE-ja, është një përditësim i marrëveshjeve të Uashingtonit dhe Brukselit.

“Plani evropian, në njëfarë mënyre, që e kemi lexuar edhe më parë, ka pak ndryshime, thuajse është identik me atë se çfarë është publikuar më herët dhe mirë që e kanë publikuar zyrtarisht, na dëshmon se është një përditësim i marrëveshjes së Uashingtonit dhe Brukselit”, ka Arifi për Klankosova.tv.

Staff

Në Nenin 7 thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Në lidhje me këtë nen, Arifi thotë se Kosova do t’i japë të drejta Kishës Ortodokse Serbe, pasi ka parimet kushtetuese që respektohen.

“Kjo është një risi në kuptimin e planit franko-gjerman, është jo i balancuar mirë, megjithatë është shumë i rëndësishëm, shumë gjëra kërkohen nga Kosova dhe shumë pak gjëra të rëndësishme kërkohen për Serbinë, prandaj është i pabalancuar. Normalisht se Kosova do t’i japë të drejta Kishës Ortodokse serbe, sepse ne kemi parimet kushtetuese që i respektojmë më mirë se secili vend i Ballkanit Perëndimor, tash duhet të bëhet edhe një zyrtarizim i statusit të Kishës Serbe duke i dhënë ingerenca më të mëdha se që i kanë, ato veçse kanë një mosprekshmëri të territorit të tyre nga Qeveria e Kosovës. Në mënyrë të njëanshme respektohet kjo marrëveshje e heshtur mes Kishës Ortodokse serbe dhe Qeverisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Arifi tregon se çka do të pasojë pas nënshkrimit të planit evropian nga dy palët.

“Ku ka pasur mospajtime të nënshkrimit të dokumentit dhe pajtimit të zbatimit të udhërrëfyesit i cili nuk është publikuar ende, aty çka është publikuar më herët potencohet se në momentin që pranohet nënshkruhet plani franko-gjerman. Qeveria e Kosovës ka afat 15 ditë ta hartojë draft-statusin, dhe brenda 30 ditëve të bëhet zyrtarizimi i statusit për Kishën Serbe e kështu me radhë”.

Megjithatë, ai shprehet se i gjithë problemi apo ngërçi është te zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Qeveria e Serbisë do t’i pranojë të gjitha ato nene në pikën 1 dhe në njëfarë mënyre të shkohet tutje. Më herët do të formohet edhe implementimi i komitetit monitorues mes Kosovës dhe Serbisë dhe Bashkimit Evropian, mendoj që ngërçi më i madh është te zbatimi i Asociacionit, kjo është problemi më i madh që do të jetë edhe në ditët në vazhdim”.

Sa i përket nenit 2, ai tha se është vetëm përditësim i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj së Uashingtonit, teksa shtoi se nuk është ndonjë arritje që tani të njihen targat e dokumentet.

“Pika 2 na jep të drejtën… që është përditësim i marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes së Uashingtonit, ku palët do të njohin pasaportat dhe dokumentet zyrtare, kjo nuk është ndonjë arritje e madhe, megjithatë është e rëndësishme, por nuk është ndonjë arritje e madhe duke parë tek në vitin 2023 të njihen targat, dokumentet e vulat”.

Ndërkohë kryeministri i vendit, Albin Kurti, mbrëmë pas takimit trepalësh ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për planin evropian, pasi sipas tij, pala serbe nuk u tregua e gatshme.

“Kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme. Mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte meqë u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e bëri këtë”, theksoi mbrëmë Kurti.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, deklaroi mbrëmë se pati progres në takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekandar Vuçiq.

Borrelli, në një konferencë për media pas takimit, deklaroi se dialogu do të fillojë sërish gjatë muajit mars dhe se pret nga pala kosovare e ajo serbe të mos ketë veprime të pakoordinuara, njofton Klankosova.tv.

“Shpresoj që asnjë veprim i pakoordinuar të pengojë bisedimet në Bruksel. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve pa të cilin asnjëra nga palët nuk do të mund të realizoj të ardhmen e tyre evropiane”.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë ne”.

“Progres është bërë sot dhe ju rekomandoj palëve që të përfshihen në të njëjtën kohë duhet më shumë punë nga palët që të bëhet më shumë për atë të cilën është negociuar. Do të vazhdohet me diplomaci dhe nga mesi i marsit shpresoj që të kemi të finalizuar punën”, u shpreh Borrelli.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mediat pas takimit trepalësh, duke thënë që ishte një takim shumë i vështirë.

Tutje Vuçiqi tha që ai ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës ka refuzuar.

Ky është teksti i propozimit të BE-së:

Palët Kontraktuese,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje. /Klankosova.tv

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button