Lajme

Krerët institucionalë solidarizohen duke u ulur në karrocë për 1 Mars  (FOTO)

Me moton “Ne lëvizim ndryshe, por jemi të barabartë!”, HANDIKOS sot shënoi 1 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, ku përmes vizitave te krerët institucionalë dhe ftesës ndaj tyre për t’u ulur e lëvizur me karrocë, u synua një solidarizim sa më i madh me personat me aftësi të kufizuara – përdorues të karrocës, ngritje e vetëdijes institucionale dhe shoqërore për krijim të mundësive të barabarta në qasje infrastrukturore, përfshirë në institucione të larta shtetërore, si dhe për veprim në përmirësimin e kushteve në çdo fushës të jetës së përditshme për komunitetin.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pjesëmarrësit e HANDIKOS, në krye me drejtorin  Afrim Maliqi shprehën sfidat në qasje infrastrukturore, në marrjen e shërbimeve shëndetësore, edukim, punësim e pjesëmarrje të plotë në jetën publike.

Ndërkaq u adresua edhe problematika e vlerësimit jo të drejtë nga Komisioni Mjekësor,  të personave me status Paraplegjik dhe Tetraplegjik, transmeton Klan Kosova.

Në veçanti, përgjatë takimit u diskutua për shtyrjen përpara të përfshirjes së Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin në çdo proces të përbashkët.

Temat e ngjashme u adresuan po ashtu në takimin e realizuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu gatishmërinë për mbështetje sa më madhe në kauzat e personave me aftësi të kufizuara.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës HANDIKOS, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë ”, ka theksuar Osmani.

Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca u bë pjesë e aktivitetit tonë, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me të cilin u diskutuan sfidat në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Themelimi i një komisioni vlerësues për krijimin e qasjes së plotë infrastrukturore në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ishte zotim i Konjufcës, të cilin e mirëpritëm. Po ashtu, u diskutua edhe përshpejtimi i procesit të përfshirjes së Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.

Duke u solidarizuar me lëvizje në karrocë, në takim na pritën sot gjatë ditës drejtoresha për Mirëqenie Sociale e komunës së Prishtinës, Adelina Sahiti dhe drejtori për Shëndetësi, Izet Sadiku, me të cilët po ashtu diskutuam për barrierat dhe veprimet që duhet ndërmarrë në nivel lokal, me qëllim të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve esenciale për personat me aftësi të kufizuara.

Dita Ndërkombëtare e përdoruesve të karrocës shënohet çdo vit në mbarë botën, për të shprehur ndikimin pozitiv që një karrocë ka në jetën e përditshme të personave që janë përdorues të tyre.

Kjo ditë iu kushtohet gjithë atyre që janë përdorues të karrocave, atyre që ofrojnë karroca për personat me aftësi të kufizuara dhe atyre që kanë nevojë për to, atyre që i mbështesin dhe që kanë kujdes për ta, me qëllim të krijimit të një ambienti më të mirë dhe më të qasshëm për të gjithë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

klankosova.tv

 


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button