BotaRajoni

SHBA, Kongresi debaton ndihmën ushtarake për Ukrainën – Abc News

Komisioni i Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë me zyrtarë të lartë të Pentagonit për të diskutuar mbi dhjetëra miliarda dollarë që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në ndihmë sigurie për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb mendimet e anëtarëve mbeten të ndara sipas vijave partiake për gjithçka, që nga ndihma e vazhdueshme deri te lloji i trajnimit dhe pajisjeve që duhen ofruar këtej e tutje.

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e dytë, në Kongresin amerikan kanë filluar të shfaqen ndasitë partiake.

Disa republikanë thonë se SHBA-ja nuk ka siguruar armë të mjaftueshme për Ukrainën në kohën e duhur.

“Ky hezitim vetëm e ka zgjatur luftën dhe ka rritur koston në dollarë dhe jetë të humbura. Ky konflikt duhet të përfundojë dhe presidenti duhet të jetë i gatshëm të bëjë gjithçka që duhet për ta përfunduar me fitore”, thotë kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura, republikani Mike Rogers.

Republikanë të tjerë i thonë Zërit të Amerikës se SHBA ka shpenzuar shumë për luftën.

“Unë mendoj se ne duhet ta reduktojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha ligjvënësi Matt Gaetz.

Edhe demokratët vetë nuk pajtohen se si t’i shpenzojnë paratë.

Për shembull, lidhur me çështjen e nxehtë nëse SHBA ose NATO duhet t’i ofrojnë Ukrainës avionët F-16, ligjvënësi demokrat Adam Smith thotë se paratë e ndihmës do të shpenzoheshin më mirë për sistemet e mbrojtjes ajrore.

“Ne nuk mund të dërgojmë gjithçka që na kërkohet sa hap e mbyll sytë pa e menduar. Ne analizojmë dhe u dërgojmë ukrainasve atë që u duhet vërtet”, thotë ai.

Ndërsa të tjerët thonë se SHBA duhet të trajnojë menjëherë pilotët ukrainas për avionët F-16.

“T’i trajnojmë fillimisht dhe t’u japim fleksibilitetin Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të NATO-s për ta marrë atë vendim më vonë nëse duan”, thotë ligjvënësi demokrat Ted Lieu.

Kreu i zbulimit ushtarak ukrainas i tha Zërit të Amerikës së fundmi se avioni F-16 nuk është avioni më i përshtatshëm për ta.

“Ne kemi nevojë për avionë sulmues. F-16 dhe sisteme të ngjashme nuk janë avionë sulmues. Avionët sulmues amerikanë janë para së gjithash avionët A-10 Thunderbolt II dhe helikopterë sulmues”, tha Kyrylo Budanov.

Dhe ndërsa lufta vazhdon, zyrtarët e administratës amerikane thonë se duan të dërgojnë armë të reja për Ukrainën, ndërkohë që plotësojnë municionet për armët më efektive në fushën e betejës.

“Nëse Rusia është e suksesshme në Ukrainë ose shihet si e suksesshme në Ukrainë, ajo do të inkurajojë agresorët e tjerë gjetkë të bëjnë veprime të ngjashme”, thotë nënsekretari i Mbrojtjes, Colin Kahl.

Një nga arsyet e shumta pse zyrtarët amerikanë zotohen të mbështesin Ukrainën “për aq sa të duhet”./VOA




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button