Kosova

Mbi 260 ditë, mesatarja e trajtimit të një rasti të dhunës në familje

Mbi 260 ditë është mesatarja e trajtimit të një rasti të dhunës në familje. Nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale deri në shpalljen e aktgjykimit në shkallë të parë, gjyqësori merr kohë më shumë se tetë muaj në zgjidhjen e rastit. Gjykatat në masë të madhe shqiptojnë dënim me kusht dhe jomeritor. Kështu u tha sot në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore me temën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se parandalimi i dhunës në baza gjinore është përkushtim i përditshëm. Përmes një videoje, Osmani u shpreh se miratimi i konventës ka shënuar vetëm një hap dhe se ka shumë punë për tu bërë për tu zbatuar.

“Konventa dhe instrumentet e ndryshme ligjore marrin kuptim vetëm kur gjejnë zbatueshmëri të plotë. Ato jetësohen përmes veprave dhe punës tonë të çdoditëshme. Konventa e Stambollit është një mundësi e artë e jona për të garantuar barazinë ndërmjet burrave dhe grave, mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës dhe ndëshkim gjithë atyre që cenojnë të drejtat elementare dhe ushtrojnë dhunë ndaj grave në familje. Dhuna nuk ka vend në vendin tonë, e luftimi i saj është pakompromis”, tha ajo.

Ajo kërkoi nga institucionet që të angazhohen në zbatimin e plotë të Konventës së Stambollit.

Edhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog u shpreh se dhuna ndaj grave është akoma realitet në Kosovë.

“Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet institucionale dhe të shoqërisë civile, dhuna në familje dhe format e tjera të dhunës ndaj grave janë ende një realitet në Kosovë, në këtë drejtim mirëpres edhe një herë që Ministrja e Drejtësisë e identifikoi luftimin e fenomenit si një nga prioritetet e ministrisë së saj, dhe përpjekjet e saj për ta vendosur këtë në axhendën e qeverisë. Sigurimi i lirisë nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore është një angazhim i përhershëm i Bashkimit Evropian. Disa prej jush mund të jenë të njohur me strategjinë e BE-së për barazinë gjinore 2020-2025 dhe planin e veprimit gjinor, planin e lirë dhe specifik të zbatimit për Kosovën, të cilin e kam nënshkruar në shtator të vitit 2021. Në programin e Kosovës për barazi gjinore, plani përshkruan prioritetet strategjike për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në Kosovë. Konventa e Stambollit më në fund njihet si instrumenti ligjor më i gjerë për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave si shkelje e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Hulumtuesja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Arrita Rezniqi deklaroi se rastet e kësaj natyre po trajtohen më shpejt se rastet tjera. Megjithatë, ajo theksoi nga 50 aktgjykimet e analizuara, kanë vërejtur se mesatarja e zgjidhjes së një rasti është më shumë se 260 ditë.

“Prej momentit të kryerjes së veprës penale deri në shpalljen e aktgjykimit në shkallë të parë mesatarja është 266 apo 8.5 muaj në trajtimin e rastit. Që do të thotë nëse merren parasysh të gjitha hapat procedural që duhet të ndërmerren në përputhje me Kodin e Procedurës Penale që zhvillohen prej momentit të kryerjes së veprës, atëherë në mesataren e përgjithshme mund të themi se këto raste trajtohen më shpejt se sa rastet e tjera që trajtohen nëpër gjykatat e vendit tonë. Në këtë aspekt gjykatat janë më efikase në trajtimin e këtyre rasteve. Por, edhe këtu është një diferencë për shkak se varësisht nga vlerësimi juridik i veprave që bëhen, automatikisht kemi vërejtur që rastet që kryhen shumë më shpejt. Përkundër kësaj mesatare, ka pasur edhe diferenca në trajtimin e rasteve në përgjithësi. Për shembull ka pasur raste kur kemi identifikuar që aktakuza është ngritur në ditën e parë, në raste tjera kemi parë që aktakuxa është ngritur pas 764 ditëve prej momentit të kryerjes se veprës penale”, u shpreh ajo.

Rezniqi shtoi se kanë analizuar 50 aktgjykime, ku prej tyre 37 kanë pasur dënime me kusht.

“Prej 50 aktgjykimeve, të cilat i kemi analizuar, kemi pasur në 47 raste, gjykatat kanë marrë aktgjykime dënuese. Në dy raste ka pasur aktgjykim lirues dhe një rast ka qenë aktgjykim refuzues. Prej 47 rasteve të aktgjykimeve dënuese kanë qenë të përfshirë 50 persona dhe për këta 50 persona, 37 prej tyre gjykatat kanë shqiptuar dënim me kusht. Kjo automatikisht tregon që në masë drastike që gjykatat në rastet e dhunës në familje shqiptojnë dënime me kusht dhe nuk shqiptojnë dënime meritore. Në vetëm pesë raste, në rastet që ne i kemi analizuar gjykatat kanë shqiptuar burgim me dënim efektiv, ndërsa në tri raste të tjera, dënimi me burgim efektiv është zëvendësuar me burgim me gjobë”, shtoi Rezniqi.

E drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli u shpreh se kanë hasur në vështirësi në komunikim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Për neve Konventa e Stambollit është tejet e rëndësishme dhe prandaj organizata jonë ka marrë një iniciativë që mbështetet nga Un Women dhe Bashkimi Evropian që të bijmë në disa aspekte, të ngrisim kapacitetet, me qëllim të vetëm të zbatimit të legjislacionit dhe forcimin e zbatimit për të përfunduar luftën në baza gjinore, luftën ndaj grave dhe luftën në familje. Konventa e Stambollit njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe një formë të diskriminimit ndaj tyre. Bazuar në qasje të përqëndruar tek viktima, ofron mjete për të siguruar mbrojtjen e vajzave dhe grave, sigurinë dhe fuqizimin e tyre. Këto i lidh me një qëllim më të gjerë, atë të arritjes së barazisë gjinore”, tha Demolli, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Në raportin “Konventa e Stambollit në aktgjykimet e gjykatave në Kosovë”, është cekur edhe një rast, që Prokurori i Shtetit kundërligjshëm ishte tërhequr nga akuza, siç është thënë, me arsyetimin se palët janë ish-bashkëshort dhe duke amnistuar kundërligjshëm të pandehurin për dhunë në familje.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button