Kosova

Rama: Uroj që Zelensky të mos ketë fatin e Thaçit, po gjykohet që luftoi për vendin e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e tij të dytë të vizitës zyrtare në Londër, ka zhvilluar një bashkëbisedim në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Chatham House”.

Rama, gjatë këtij bashkëbisedimi, u pyet për fjalimin që mbajti në Asamblenë e Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt, teksa pati një urim për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të cilin e lidhi me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, njofton Klankosova.tv.

“Është një kurth rus, kjo është e qartë dhe ju heq kapelën rusëve që kurthi i tyre vazhdon të funksionojë dhe gjithë komuniteti evropian, komuniteti demokratik po punon në bazë të një kurthi, sajese ruse. Dikush duhet të më thotë ku janë organet që janë hequr nga trupat dhe që janë trafikuar në perëndim. Ku janë? Nuk ka asnjë provë të asnjë lloj veprimtarie të këtij lloji. Ky raport është një turp për Këshillin  e Evropës. Ky raport është turp për komunitetin evropian të vendeve që janë pjesë e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, Rama uroi që Zelensky të mos përfundojë njësoj si Thaçi.

“Shpresoj që Zelensky të mos përfundojë në burg një ditë sepse me këtë logjikë… Sllobodan Millosheviqi u deklarua kriminel lufte, kishte një mandat arresti, ndërkohë që atëherë Hashim Thaçi u pagëzua si Xhorxh Uashingtoni i Kosovës. Kështu që ai ishte Zelensky i Kosovës atë kohë. Është në burg. Uroj që Zelensky të mos shkojë në burg një ditë me këtë logjikë për krime lufte. Pra të akuzosh për krime lufte dikë që ka udhëhequr një kryengritje kundër një agresori që kërkonte t’i spastronte etnikisht, si të ishte komandanti i një shteti të organizuar, kjo është absurde”, tha Rama.

Mes tjerash, Rama tha se marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa sot.

Megjithatë, ai shtoi se duhet pasur kujdes për influencën ruse në Serbi, dhe sipas tij, kjo është arsyeja pse “Beogradi duhet mbajtur në anën tonë dhe pse duhen forcuar marrëdhëniet me të”.

Sa i përket mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, Rama u shpreh se pavarësisht gjithçkaje, dy vendet ulen në tryezë dhe përparojnë. /Klankosova.tv

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button