Kosova

KPK: Deklarimet e ministres Haxhiu përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka quajtur “të pamatura dhe joserioze” komentet e sotme nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se për Gjykatën Kushtetuese është më i rëndësishëm interesi individual i anëtarëve të KPK-së, i disa prej tyre, sesa ai i përgjithshëm dhe ndalimi i korperatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarëve e sistemin e drejtësisë.

“KPK-ja, deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit. Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”, thuhet në komunkatën e tyre.

KPK tha se publikimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.

“Paraprakisht, për hir të transparencës publike, KPK-ja, ka shprehur disa herë para opinionit qëndrimin e vet me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve tendencioze dhe jofunksionale, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa e konsultuar draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias. Gjithashtu, KPK-ja, ka theksuar sistematikisht defektet e shprehura të Ekzekutivit lidhur me mosmarrjen parasysh të propozimeve të dala nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë ose jashtë tij, gjë që realisht përbënte hapur një tendencë për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese. Në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, duke parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe ligjësimin e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës”.

KPK-ja tha se Gjykata Kushtetuese, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmoi njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, njofton Klankosova.tv.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, deklaron se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese në sistemin prokurorial dhe do të bëjë përpjekje edhe në të ardhmen që së bashku me të gjithë mekanizmat shtetërorë të vendit, mbështetësit dhe partnerët e çmuar ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme legjislative dhe nisma të tjera, që kanë për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, transparente, duke mos u ekspozuar para asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni nga palët e ndryshme”, përfundon komunikata.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button