Kosova

Tri vjet nga rënia e Qeverisë Kurti 1 – gjithë çfarë ndodhi në seancën e 25 marsit

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i mbledhur në seancë plenare më 25 maj të vitit 2020, me kërkesë të 44 deputetëve, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, ka mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së.

Teksti i mocionit dhe arsyetimi i tij, në cilësi të iniciuesit, u lexuan nga kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se ky mocion ka ardhur si pasojë e një mosveprimi të gjatë në lidhje me heqjen e plotë të tarifës, veprim ky që, siç tha ai, ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke e bërë vendin subjekt të sanksioneve ekonomike amerikane.

Ndër të tjera, ai tha se me votimin e këtij mocioni, kuvendit do t’i krijohej mundësia për krijimin e një qeverie, e cila për një kohëzgjatje të caktuar do të sjellë stabilitet.

Prandaj, ai ftoi deputetët që të votohet pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Në anën tjetër, Rexhep Selimi nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, iniciuesve të këtij mocioni u tha se “në vend që të ishim aleatë, në kohën kur qytetarët kanë sytë kah qeveria dhe bota është në luftë kundër koronavirusit, ju zgjodhët aleatë kundërshtarët, meqë thirrët mocionin për rrëzimin e qeverisë”.

Ai e konsideroi të pasaktë pohimin se ka sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se kjo qeveri nuk po rrëzohet si rezultat i mos heqjes së tarifës, e as për shkak të shkarkimit të ish-ministrit Agim Veliu, por për shkak të lehtësimit të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se seanca për mocionin e mosbesimit të Qeverisë ka ardhur pas vetë dorëzimit të kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë përballë sfidave që ka vendi.

Daut Haradinaj, nga grupi parlamentar i AAK-së, rikonfirmoi qëndrimin e subjektit që përfaqëson në raport me qeverinë aktuale, duke theksuar se kjo qeveri nuk do ta ketë jetën e gjatë, për arsyet të cilat janë tashmë publike, prandaj mbështesin këtë mocion.

Për më tepër ai theksoi se kjo qeveri, nuk do të mbahet në mend për ndonjë të arritur të madhe, por do të mbahet mend për tentimin e krijimit të një monopoli, duke injoruar kështu tërësisht rolin e opozitës në demokracinë parlamentare.

Nga grupi parlamentar i Listës serbe, Igor Simiq, shprehu kundërshtimin ndaj qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo qeveri nuk ka treguar respekt të duhur ndaj popullit serb dhe përfaqësuesve të tyre.

Kryetari i grupi parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, theksoi se kjo qeveri përveç që ka krijuar krizë politike, do të mbahet në mend edhe për shkak të jetëgjatësisë së saj.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar 6+, Albert Kinolli, tha se në këtë qeveri të cilën e kanë votuar dhe që janë partnerë të koalicionit, është zbehur dhe minimizuar raporti mes tyre, prandaj konfirmoi votën për për rrëzimin e saj, duke pasur parasysh gjithashtu se, siç tha ai, votat e tyre nuk janë vendimtare, pasi shumica është e siguruar.

Duke marrë fjalën para deputetëve, kryeministri Albin Kurti përmendi të arriturat e qeverisë të drejtuar nga ai, gjatë 50 ditëve, duke potencuar se është krenar me kabinetin e tij qeveritar dhe me të arriturat e tij.

Ai po ashtu përmendi një sërë vendimesh që janë marrë, siç tha ai, në të mirën e përgjithshme.

“Që në fillim i përgjysmuam pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në gjykatën kushtetuese. Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe shkarkimin e koordinatorëve, që i quajti të panevojshëm, shkarkimin e bordeve etj.

“Mua nuk më dhimbset kjo qeveri dhe aq më pak vetja, më dhimbsen qytetarët dhe populli se çka po i bëhet me këtë mocion mosbesimi. Së pari, ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeverinë e tij, pa qeverinë për të cilën ka votuar”, tha Kurti.

Ai tha se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të saj.

Debati lidhur me mocionin ndaj qeverisë vijoi gjatë gjithë ditës, me diskutime kryesisht të deputetëve të grupit parlamentar të VV-së dhe atyre të LDK-së, polemika midis tyre dhe po ashtu me anëtarë të kabinetit qeveritar.

Kryeministri Kurti, zv/kryeministrat Hoti e Abazi, si dhe ministri Konjufca, u përfshinë në diskutime lidhur me temën në trajtim, duke mbrojtur njëkohësisht pozicionet politike të partive që përfaqësojnë.

Fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila tha se rrëzimi i qeverisë në këtë kohë është i pashembullt, duke shprehur keqardhje se kjo po ndodh. Ajo tha se kur egoja po kërkon të mbushen apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë.

Ajo shtoi se sot do të duhej të diskutohej për barna e ushqime të domosdoshme, për masat shtesë për rastet sociale e grupet e rrezikuara nga virusi, për bizneset private që mund të falimentojnë.

Osmani tha se sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet një epidemi tjetër, ajo e dehumanizimit të shpirtit.

Më pas, me një fjalë përmbyllëse deputetëve iu drejtua kryeministri Albin Kurti, sikurse edhe kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në cilësi të iniciuesit të mocionit.

Pas shterjes së debatit, me shumicë votash kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së dhe mbështetur nga 44 deputetë.

Me këtë, kryetarja Osmani mbylli punimet e kësaj seance./Kosovapress

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.


Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button