Lajme

Zv.drejtori i policisë po mbahet peng nga Serbia

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviç, është duke u mbajtur “në ndalim nga mëngjesi i sotëm pa asnjë sqarim”.

Jankoviç – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

“Duke e njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, i njëjti intervistohet nga aktorë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë”, tha Ministria kosovare në një komunikatë.

Ajo tha se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar tashmë. Ajo tha se Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar.

“Nga mëngjesi i hershëm janë targetuar autobusë dhe automjete që po transportonin qytetarët tanë nga perëndimi drejt Kosovës apo anasjelltas, duke i ndaluar ata, duke i’u konfiskuar dokumentet personale dhe duke i intervistuar pa asnjë arsyetim paraprak”, tha ajo.

Ministria kosovare i akuzoi autoritetet serbe se i kanë “mbyllur qytetarët tanë në zyrat e autoriteteve të Serbisë me orë të tëra dhe nga persona të ndryshëm janë intervistuar për pjesëmarrjen apo lidhjet e tyre eventuale me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, apo me luftën në Kosovë”.

Për ndalimin e Dejan Jankoviç njoftoi për herë të parë më herët gjatë ditës në rrjetet sociale Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Brendshme të Serbisë për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Zulfaj tha gjithashtu se autoritetet serbe i kanë nisur “arrestimet masive” pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe se po i mbajnë “peng të gjithë”.

 

 




Source link

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button